9.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Ndryshimi është i nevojshëm në Kosovë

Hydajet HyseniHydajet Hyseni thotë se nuk është i befasuar me vendimin e Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit për themelimin e partisë së re që pritet të bëhet publike së shpejti.

Ndonëse ditëve të fundit emri i tij është lakuar si pjesë e mundshme e formacionit të këtij subjekti, Deputeti i PDK’së Hydajet Hyseni nuk jep një përgjigje të drejtpërdrejtë se çfarë do të bëjë.

Sidoqoftë, përmend se qasja e tij ka qenë dhe mbetet parimore dhe jo e personalizuar. Mbi këto baza, mund ta marrë eventualisht vendim për angazhimin e tij të ardhshëm politik.

Në një intervistë për lajmi.net, Hydajet Hyseni flet për zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike të Kosovës.

Lajmi.net: Fatmir Limaj përfundimisht ka vendosur të mos jetë pjesë e PDK’së, ndërsa pritet të themelojë një alternativë të re politike, së bashku me Jakup Krasniqin. Si e keni parë këtë zhvillim?

Hydajet Hyseni: Diçka e pritur dhe aspak e jashtëzakonshme. Kjo tashmë nuk është lajm dhe mua nuk më befason. Besoj as të tjerët. Po bëhet një vit që këtë mundësi e ka paralajmëruar e riparalajmëruar Z. Jakup Krasniqi, madje edhe duke theksuar motive e arsye parimore për pozicionin e distancuar nga gjendja dhe prirjet politike në PDK dhe politikat e saj.

I kam pas adresuar edhe unë, udhëheqjes se PDK’së, shprehjen e mospajtimeve me disa nga fenomenet, tendencat dhe kahet e zhvillimeve të PDK’së dhe politikave te saj. Kam pas besuar dhe kam dëshiruar të besoj se vërejtjet e tilla të bazuara, e sipas meje dashamirëse, do të shqyrtohen seriozisht dhe do të rezultojnë me reagime adekuate këndellëse, korrigjuese e konsoliduese. Është për habi, por edhe për keqardhje, që kjo jo vetëm nuk ka ndodhur, por, për me tepër, janë dhënë sinjale e mesazhe që dëshmojnë të kundërtën!

Lajmi.net: Në këtë linjë, është përmendur edhe emri juaj, si një prej të mundshmëve që do t’i bashkohet kësaj nisme. Ju më herët keni shfaqur pakënaqësitë rreth mungesës së demokracisë së brendshme në PDK dhe po ashtu keni refuzuar të merrni pjesë në Kongresin e partisë. A do të thotë kjo që ju do të radhiteni në formacionin e partisë së re të Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit?

Hydajet Hyseni: Do të mund të shtrohej kjo pyetje edhe ndryshe. Mendoj që skena politike e Kosovës ka nevojë për ndryshime, reformim dhe profilizim të kompletuar, por nuk besoj se ka nevojë për personifikim të mëtejshëm. Edhe ashtu është tepër e personifikuar dhe tepër e personalizuar. Unë i përshëndes përpjekjet që avancojnë, reformojnë, demokratizojnë, konsolidojnë, funksionalizojnë dhe fuqizojnë politikëbërjen në Kosovë.

Unë kam raporte normale miqësie e bashkëpunimi me të gjithë akterët e skenës politike kosovare dhe me asnjërin prej tyre nuk kam ndonjë raport armiqësie e ekskomunikimi.

Qëndrimet e mia politike asnjëherë nuk i kam ndërtuar mbi baza personale, qoftë të mërisë, smirës, kapriceve, dhe qoftë të idhujtarisë apo të protagonizmit liderist. Përcaktimin tim politik përpiqem ta ndërtoj mbi bazë të përcaktimeve programore të cilin e përfaqësojnë formacionet politike. I respektoj të gjithë veprimtarët që përpiqen për kauzën e përbashkët, por natyrshëm ndjehem më afër atyre që angazhohen, që identifikohen dhe mishërohen me vlerat politike atdhetare, demokratike, progresiste dhe morale, vlera që e karakterizojnë dhe e dinjizojnë traditën tonë pozitive dhe lëvizjen tonë kombëtare shoqërore dhe demokratike.

Lajmi.net: Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj kanë qenë dy nga deputetët më të votuar në PDK. Sa e dëmton PDK’në largimi i tyre?

Hydajet Hyseni: Kjo pyetje do të mund t’u shtrohej drejtueseve të PDK’së. Sa për mua, më përpara se kështu siç e shtroni ju pyetjen, unë do të pyesja: sa e ndihmon, e konsolidon, e kombëtarizon dhe e demokratizon skenën tonë politike në përgjithësi dhe, në këtë kuadër (pse jo?) edhe vetë PDK’në? Alternativat e reja eventuale do të duhej të synonin të ndihmonin proceset dhe jo të dëmtonin, të bashkonin, funksionalizonin dhe optimalizonin potencialet krijuese dhe vepruese, e jo t’i ndanin, përçanin, shkapërderdhnin e konfrontonin ato.

Qasja ime ka qenë dhe mbetet parimore dhe jo e personalizuar dhe e tarafizuar. Vetëm mbi këto baza mund të marr eventualisht vendim për angazhimin tim të ardhshëm politik.

Më Shumë

Proton Cable Prizreni nikoqir i Golden Eagle Yllit

Sot zhvillohen dy përballje interesante në Superligën e Basketbollit kosovar. Ndeshjet janë të vlefshme për javën e 27-të të PrinceCaffe Superligës. Proton Cable Prizreni do të...

Hajnat futen në tri shtëpi në Rogovë, vjedhin mijëra euro dhe stoli ari

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur mbesin...

Lajmet e Fundit