2.8 C
Prizren
E diel, 17 Nëntor, 2024

Në Prizren jeton një 106-vjeçare, “Kam jetuar mirë, hjekat s’po jua tregoj”

Në qytetin e Prizrenit jeton Xhevahire Mustafa, gruaja një shekullore që i ka mbijetuar tri luftërave. “Nëna plakë” siç njihet në rrethinë, këtë vit ka mbushur 106 vjeç. Familjen e ka shtuar si edhe vitet. Ajo sot rreth vetës ka afro 100 nipër e mbesa, stërnipa e stërmbesa. Gruaja e moçme, që për nga pamja fizike duket rreth tri dekada më e re, rrëfen për jetëgjatësinë e saj.

Në moshë kaq të shtyrë jemi mësuar t’i shohim kryesisht pleqtë e Japonisë së largët, të cilët nuk janë të paktë atje. Por, në Kosovë plaka nga Prizreni përbën përjashtim. Xhevahire Mustafa u lind më 1913 në Plavë të Opojës, apo një vit para se të niste Lufta e Parë Botërore. Ajo është krenare për moshën që ka arritur dhe është njëra ndër gratë më me jetëgjatësi në Kosovë dhe rajon.

Të enjten ekipi i Gazetës Express ka vizituar Xhevahiren në shtëpi. Vështirësitë nuk i kujton fort më shumë bën muhabet për ditët e mira që ka kaluar në rini dhe ndër vite. Kjo tregon shumë për karakterin e saj dhe mënyrës se si i është qasur jetës. Përvec kësaj, mikëpritja dhe humori i mirë i saj janë dy vetitë që flasin për personalitetin e gruas më të vjetër në vend, porsa të hysh në shtëpi. Nëna plakë reflektonte shëndet, kthjelltësi, pastërti dhe pozitivitet. Njësoj si kuptimi i emrit që mban “Xhevahir” (e çmuar) ashtu është edhe në jetën reale.

E pyetur se si ka arritur të jetojë kaq gjatë, ajo u përgjigj:

“Jemi rritë mirë, edhe ajo kohë u kanë e mirë. Kemi hanger mirë, jemi kanë ma të fortë, jemi ushqy edhe prej produkteve të lopës. Kom pas edhe hjeka, si sëmundje nganjëherë po nuk po t’i tregoj hiç”.

Xhevahirja është martuar në moshën 18 vjeçare, burri i saj ka vdekur rreth 50 vite më parë. Ata kanë gjashtë fëmijë, tre djem dhe tri vajza. Dy djem i kanë vdekur pas luftës së fundit në Kosovë, për të cilët ka shumë mall.

“Gjashtë fëmijë i kam pas tre djem e tri çika, dy djem më kanë vdekë. Njëri 55 vjet tjetri 53 vjet më ka vdekë”, rrëfën 106 vjeçarja.

Më e moçmja e shtëpisë, Xhevahirja, mbante në duar më të voglin e shtëpisë, stërnipin e saj 1 vjeç.

Tregon se në të kaluarën nuk ka pasur shkolla në fshatin e saj,  po të ishte lindur në këtë kohë thotë se do të kishte pasur dëshirë të shkollohej.

“Shkollë nuk kam kry, në atë kohë s’ka pas shkolla. Tash me kon e kësaj kohë kisha pas qef me shku në shkollë. Atëherë ka pas hoxhonica dhe hoxha”, bën muhabet Xhevahirja.

Plaka tregon se ushqimi ka ndikuar në jetëgjatësinë e saj, dhe jep porosi se çka nuk duhet të bëjnë sot të rinjtë në mënyrë që të arrijnë moshën një shekullore.

“ Kemi hanger bukë thekri, elbi, kollomoçe, tërshërë. Po mirë kemi kalu, kemi hanger long, turshi. E jo si tash që po hajn gjithçka. Unë hala i ha këto ushqime”, rrëfen ajo për Gazetën Express.

Tregon se asnjëherë s’ka ngrënë bukë jashtë shtëpisë në ndonjë restoran në Prizren apo diku tjetër.

“Që sa vjet i kom hala në qytet kurrë s’kom hanger. Njëherë s’jam ulë me hanger bukë në qytet. Kurrë. Nuk e kom pas marak me u ulë gjithkund e me dalë”, thotë plaka.

Për të rinjtë thotë se nuk duhet të pinë duhan dhe alkool. “S’bon me pi se ju bën zarar”, vlerëson gruaja e moçme.

E pyetur se si është një ditë e saj, 106 vjeçarja, tregon se shikon edhe televizor.

“Çohna mirë, më bon nusja e djalit hyzmet. I kapi tespitë, falem ndonjëherë.I lutem Zotit për krejt. I marrë tespitë në dorë, herë bi herë çohem. Kqyri televizor nganjëherë”, tregon Xhevahirja.

Kujton edhe kohërat e vjetra si ka punuar punë dore. E përmend faktin se veshjet atëherë i kanë bërë prej duarve të tyre.

“Punë dore kam punu boll, kemi bo peshqira, këmisha, shputa. Jemi veshë me duar”, tregon Xhevahirja.

Xhevahirja vazhdon të kujdeset për shëndetin, bëhet marak se nuk po mund ta lëvizë krahun për ta lidhur shaminë. Madje për këtë problem ka vizituar edhe mjekun e saj në Prizren.

Haxhi Avdyli mjek dhe deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, ka shkruar për pacienten e tij në Facebook.

Ajo u ankua pak se po ka problem edhe me këmbë. Mban shputa mbathur.

Xhevahirja me renë e saj, Fatmiren

Xhevahire Mustafa 106 vjeçare vazhdon ta gëzojë jetën në mesin e shumë familjarëve, për familjen e madhe meritat kryesore i ka vetë ajo. /Gazeta Express

Më Shumë

Digjet një shtëpi në fshatin Vraniq të Suharekës

Një shtëpi në fshatin Vraniq të Suharekës është përfshirë nga zjarri, ndërsa, njësitë e policisë dhe zjarrfikësve që po punojnë për shuarjen e flakëve Njësitë...

Fillon trajnimi i mësimdhënësve në Prizren

Drejtoresha e Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj-Gutaj, ka njoftuar se sot ka filluar faza e parë e trajnimit të mësimdhënësve, një nismë e rëndësishme...

Jam po aty

Lajmet e Fundit