0.8 C
Prizren
E diel, 24 Nëntor, 2024

Nebi Mërseli: Kush është futur në lojë e kush do të përfitojë nga kriza në Kumanovë?

Analisti Nebi Mërseli, njohës i rrethanave politike e sociale në Maqedoni, thotë se ngjarjet në Kumanovë janë epilog i një skenari mirë të përgatitur nga regjisorët që duan ta shpëtojnë veten.
“S’do mend se aksioni i Policisë në Kumanovë është produkt i një truku të pushtetit për të defokusuar, për të amortizuar aferën e përgjimeve – tash kur po dalin të gjitha të palarat e bashkëqeverisjes së VMRO-DPMNE-së me dy partitë shqiptare – BDI dhe PDSH”, ka thënë Mërseli në një prononcim për Telegrafin.

Sipas tij, kjo po ndodh në kohën kur po afrohet paralajmërimi i opozitës se këto ditë do të zbardhë edhe incizimet ku do të demaskohet vrasja e pesëfishtë e të rinjve maqedonas (që iu mvesh shqiptarëve), si dhe vrasja e Harun Aliut me katër shokë në Radushë të Shkupit.

“Opozita paralajmëroi se më 17 maj do të organizojë protestë gjithëpopullore, ndërsa gjatë gjithë kësaj periudhe pati tratativa të krijimit të një situate tendosëse në terren. Dhe, u zgjodh rajoni i Kumanovës, ku para tre javësh u bë një sulm i dyshimtë ndaj Policisë në fshatin Gushicë. Por, kjo nuk mjaftoi! Andaj u deshtë që ‘grupet terroriste’ të zbresin në mes të Kumanovës dhe të ngujohen në dy shtëpi dhe t’i ‘shpallin’ luftë pushtetit”, thekson analisti i njohur nga Maqedonia.

Mërseli deklaron se “këto grupe të armatosura janë futur në lojë me një motivim financiar”, duke shtuar se ato “bëjnë një tollovi, pësojnë viktimat, krijohet paniku dhe frikësohet populli e opozita”.

“Prapa këtij skenari mund të qëndrojnë vetëm njerëz që nuk ia duan të mirën shqiptarëve. Sepse, po përsëritet 2001-shi, kur u bë një luftë e pakuptimtë, tinëzare dhe pa kushtrim të të gjithë shqiptarëve”, deklaron Mërseli. “Dyshoj se me rënien e muzgut, grupi i armatosur ‘zhduket’ dhe nxirren përfitime. Pushteti blen kohë, mban në tension katër-pesë ditë shqiptarët e Kumanovës, ndërkohë që Edi Rama dhe Isa Mustafa vizitojnë Maqedoninë e i japin përkrahje Ali Ahmetit e Menduh Thaçit (lexo Nikola Gruevskit)”!

Mërseli për Telegrafin thotë se kjo krizë aktuale dhe vazhdimësia e turbulencës që nga ardhja në pushtet e Gruevskit, ka një emërues të përbashkët – shqiptarët në pushtet.

“Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi i morën në qafë shqiptarët. Ata ua vërsulën Gruevskin, i cili qysh nga 2006 ka kthyer Maqedoninë në ‘pjesëlojën e dytë’ të luftës së vitit 2001. Plotë 11 vjet ai po u hakmerret shqiptarëve në mënyrë institucionale dhe shtetërore. Bëri dhe po bënë çfarë po do me shtetin. Shkupin e shndërroi në një muze të pavlerë, po luan me identitetin e maqedonasve, po ndërton shtet kishtar, e për shqiptarët as që do të dëgjojë. Sa më shumë që i ankohen shqiptarët, ai aq më shumë ua shton dajakun. Nëse kriza e 2001-ishit ishte produkt I një pakënaqësie të një pjese të shqiptarëve të cilët dikur ishin betuar për bashkimin e trojeve shqiptare, duke bërë një ‘blitz-krieg’ për t’u faktorizuar në jetën politike, kriza e tanishme ka po të njëjtin aktor. Ali Ahmeti është emër i përveçëm! Ai mund të ndal Gruevskin dhe huxhumin e tij. Po çfarë të bësh!? Ahmeti me çdo kusht po do Maqedoninë ta fusë në NATO dhe BE, ndërsa Gruevski nuk çanë kokën për kahjen e shtetit”, thotë ai.

Mërseli shprehet se dalja e BDI-së nga Qeveria me automatizëm do të thotë edhe rënie e këtij sistemi totalitar. /Telegrafi/

Më Shumë

Themelohet Zyra për Ndihmë Juridike Falas në Rahovec

I pari i Komunës, Smajl Latifi, sot mori pjesë në tryezën për themelimin e Zyrës për Ndihmë Juridike Falas në Rahovec, së bashku me...

Në mars pritet të nisë vendosja e paneleve në Parkun Solar në Rahovec

Në 110 hektarë tokë bujqësore në mes të fshatrave Kramovik-Guri i Kuq, në komunën e Rahovecit, pritet të ndërtohet Parku Solar. Në këto hapësira disa...

Lajmet e Fundit