6.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Nënkryetari i Prizrenit thotë që ish-drejtori i Administratës s’e ka pasur detyrë të përpilojë vërtetimin mbi pranim-dorëzimin e laptopëve

Në Gjykatën Themelore në Prizren, në rigjykimin ndaj ish-drejtorit të Administratës në Prizren, Ilir Baldedaj, nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit, i cili deklaroi se i akuzuari Baldedaj nuk e ka pasur detyrë të përpilojë vërtetimin për pranim-dorëzimin e laptopëve.

Baldedaj akuzohet se ua kishte shpërndarë 40 laptopë asamblistëve të Prizrenit pa vërtetimin se kjo pasuri shtetërore duhet të kthehet pas përfundimit të mandatit. Dëmi vlerësohet 19 mijë e 350 euro, derisa në aktakuzë thuhet se s’ka prova se edhe tre laptopë janë shpërndarë për personat për të cilët kanë qenë të destinuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Jo, sepse kjo është menaxhuar përmes zyrës së IT dhe komisioneve përkatëse. Çdo procedurë që zhvillohet nëpërmjet zyrës së prokurimit, pavarësisht natyrës së punës është procedurë administrative dhe ligjore për të cilat formohen disa komisione të cilët administrojnë tërë procedurën dhe projektet përkatëse”, ka thënë Gashi.

Po ashtu, Gashi ka thënë se i akuzuari Baldedaj nuk e ka pasur për obligim të bëjë shpërndarjen e laptopëve.

“Në pozitën e drejtorit nuk mendoj se ka pas obligim t’i shpërndajë, ngase ka pasur komision përkatës. Mendoj që e ka pasur komisioni përkatës”, ka thënë Gashi.

Asociation “Loyola–Gymnasium” shpall konkurs për regjistrimin e nxënësve të rinj

Tutje, Gashi ka thënë se në mes të muajit maj dhe nëntor 2015, ka qenë në pozitën e kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Prizrenit.

Ai ka treguar se përmes procedurës së prokurimit janë pranuar rreth 43 laptopë, ku sipas tij 41 prej tyre i janë shpërndarë anëtarëve të Kuvendit, ndërsa dy për administratën, për shërbimin profesional të Kuvendit ku bëjnë pjesë juristët, përkthyesit, procesmbajtësit dhe lektorët.

Në deklarimet e tij, Gashi ka thënë se çdo pagesë për mallin e pranuar ekzekutohet pas zhvillimit të procedurave dhe pas procesverbalit, i cili përgatitet nga anëtarët e komisionit përkatës.

Gashi ka thënë se një laptop e ka pranuar në vitin 2015 dhe se të njëjtin ia ka kthyer më 25 prill 2019 pasardhësit të tij, Islam Ukaj.

Në këtë seancë është bërë edhe dëgjimi i dëshmitarëve Arben Krasniqi dhe Bashkim Rakaj.

Dëshmitari Krasniqi ka thënë se qëndron pranë deklaratave të dhëna më 2 nëntor 2020 dhe 17 shkurt 2022. Ai ka treguar se sa ka njohuri, nuk janë dorëzuar laptopët nga asamblistët, pasi e kanë përfunduar mandatin në Kuvendin e Komunës.

Ndërsa, dëshmitari Rakaj ka thënë se gjatë periudhës maj- nëntor 2015, ka qenë i punësuar në zyrën e kryesuesit të Kuvendit të Komunës, Kujtim Gashit.

Rakaj ka thënë se ka pranuar një laptop nga anëtarë të komisionit dhe se sipas tij duhet të kenë qenë zyrtarë të IT-së.

Më pas, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi, seancën e sotme e ka ndërprerë, kurse seanca e radhës tha se do të mbahet sipas ditarit të punës më 14 mars 2023.

Ndryshe, Baldedaj për herën e dytë ishte dënuar më 2 gusht 2022 me 10 muaj burgim efektiv dhe iu shqiptua dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksioneve publike në administratë ose shërbime publike në afat prej 2 vite. Edhe herën e parë, ai ishte dënuar me dhjetë muaj burgim efektiv më 15 janar 2021, mirëpo, Gjykata e Apelit dy herë e ka kthyer rastin në rigjykim.

Ndryshe, sipas aktgjykimit që ishte shpallur nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Xheladin Osmani, më 15 janar 2021, i akuzuari Ilir Baldedaj ishte shpallur fajtor për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, për çka ishte dënuar me 10 muaj burgim efektiv, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 21 gusht 2019, i pandehuri Ilir Baldedaj, akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Baldedaj, akuzohet se më 13 maj 2018 e deri më 22 maj 2018, në cilësinë e personit zyrtar si drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka bërë shpërndarjen e pasurisë jofinanciare, laptopë dhe çanta të tyre, për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë, nga sasia totale prej 43 sosh dhe në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Baldedaj ka vepruar në që kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë si dhe Rregulloren e Ministrisë së Financave, nr.02/2013 për menaxhimin e pasurisë jofinanciare në organizata buxhetore.

Në aktakuzë thuhet se për tre laptopë të tjerë nuk ka prova se ata u janë shpërndarë personave për të cilët kanë qenë të destinuar, me ç’rast thuhet se me këto veprime i akuzuari, buxhetit të shtetit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 19 mijë e 350 euro. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Zyrtare: Roma konfirmon se De Rossi do të vazhdojë si trajner në 2024-25

Dan dhe Ryan Friedkin njoftojnë se Daniele de Rossi do të qëndrojë në krye të Roma-s në sezonin 2024-25. Pronarët e Roma-s, Dan dhe Ryan...

16 kosovarë janë ndaluar nga autoritetet serbe, mbi 300 të bllokuar në kufi

16 kosovarë janë ndaluar nga autoritet serbe në pikën kufitare Kroaci-Serbi. Janë mbi 300 udhëtarë të cilët janë bllokuar në këtë pikë kufitare me...

Lajmet e Fundit