Bëhet e ditur se manifestimi qendror për festën e Fitër Bajramit për Republikën e Kosovës mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Manifestimi fillon në orën 5.05, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga teologu, Muhamed ef. Stublla.

“Namazi i Fitër Bajramit falet në orën 06:23, të cilit do t’i prijë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti. Hytben e Fitër Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili do t’i drejtohet opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste”, thuhet në njoftimin e BIK-ut.

Gjithashtu bëhet e ditur se me rastin e festës së Fitër Bajramit, ditën e parë, më 21 prill 2023, kryesia e BIK-ut, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ua uron festën e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë, duke e lutur Zotin që t’i ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe ibadetet tona. Me fat festa e Fitër Bajramit!”, thuhet në këtë njoftim.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava uroi të enjten besimtarët myslimanë në prag të festës së Fitër Bajramit.

Ai, në urimin e tij tha se Fitër Bajrami është festa më popullore që prek të gjitha shtresat dhe kategoritë e shoqërisë dhe që shënon përfundimin e Muajit të Ramazanit.

“Fitër Bajrami na vjen pas një muaji të mëshirës e sakrificës. Pas muajit të faljeve dhe begative të veçanta që i sjell vetëm Ramazani”, tha Tërnava.

Tërnava me tej tha se çdo qytetar duhet që të punojnë në ruajtjen e familjes si dhe të vendlindjes.

Festa e Fitër Bajramit pason muajin e Ramazanit, gjatë të cilit, sipas besimit Islam, besimtarët agjërojnë për 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.