12.1 C
Prizren
E shtunë, 10 Maj, 2025

Nis në Prishtinë “Defender Europe ’23”, ushtrimi më i madh ndërkombëtar ushtarak

Kosova do të jetë nikoqire e stërvitjes më të madhe ushtarake ndërkombëtare “Defender Europe 2023”, që do të mbahet nga kjo e diele deri më 2 qershor, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes së Kosovës nëpërmjet një komunikate për media.

“Kosova do të jetë nikoqire e ushtrimit ndërkombëtar në rajonin e Ballkanit ‘Defender Europe ’23’, me ç’rast do të validohen kapacitet e dy regjimenteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e po ashtu do të tregohet shkalla e  ndërveprimit ushtarak, përkrah forcave të shteteve partnere”, thuhet në njoftim.

Kjo stërvitje e përbashkët mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s bëhet çdo vit, në shkallë të gjerë dhe drejtohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga kjo stërvitje e përbashkët, shtetet krijojnë gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë mes SHBA-ve, NATO-s dhe vendeve aleate.

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se ceremonia e hapjes së ushtrimit më të madh ndërkombëtar ushtarak në rajon fillon ora 11:30, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Në këtë ceremoni do të marrin pjesë personalitetet më të larta shtetërore, duke filluar nga Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, por edhe ministra të mbrojtjes së vendeve fqinje, si dhe personalitete të shquara nga vendet tjera partnere.

“Defender Europe” daton që nga periudha e Luftës së Ftohtë, në vitin 1952, nga Danimarka dhe Norvegjia. Në stërvitjen e parë ishin përfshirë 200 anije dhe mbi 50 mijë ushtarë. Ajo ishte kryer me disa faza.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë stërvitje ushtarake për herë të parë ishte bërë në vitin 2021, ndërsa rëndësia e kësaj stërvitje për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), është e shumëfishtë e njëra ndër to është edhe ndërtimi i mëtejmë i besimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shefi i Departamentit për Operacione dhe Trajnime në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Kolonel Ejup Maqedonci, njëherësh edhe këshilltar i sigurisë së kryeministrit dhe këshilltar ushtarak i ministrit të Mbrojtjes Armend Mehaj, në një intervistë për Albanian Post, tregon rëndësinë e Defender Europe 2023, ushtrimet që do të zhvillohen, gatishmërinë  e FSK-së për të marrë pjesë dhe dallimet që do të jenë nga Defender 2021.

Maqedonci, gjatë intervistës për Albanian Post bën të ditur se të dielën e 21 majit atëherë edhe kur nis Defender Europe 2023, në Kosovë do të zbarkojnë njësi ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Maqedonia e Veriut si dhe ekipe nga Kroacia dhe Turqia.

Kjo e bën Defender 2023, të dallojë nga ai që ishte mbajtur në vitin 2021, pasi në atë kohë kishte pasur vetëm prezencë të njësive nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Më Shumë

Ngjarja tragjike në Prizren: Dyshohet se babai e vrau vajzën e tij me thikë

Një vajzë e moshës 15 vjeçare dyshohet se është vrarë nga babai i saj. Ngjarja tragjike ka ndodhur brenda një familje në Prizren. I dyshuari e...

Koncerti i parë i Bryan Adams në Tiranë, mbi dy orë me hite dhe emocione të fuqishme

Bryan Adams një nga artistët më me ndikim dhe me disqet më të shitur të të gjitha kohërave, me llojin e tij të rok-ut...

Lajmet e Fundit