11.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Noizy: Inatçinjtë i vras me sukses

NoizyRigels Rajku, i njohur nga të gjithë si Noizy, është një nga reperët më të suksesshëm shqiptarë, që ka bërë një revolucion në tregun muzikor me stilin dhe performancën e tij unike. I larguar drejt Londrës në vitin 1997, ai vendos të kthehet në Shqipëri vite më vonë, duke sjellë një frymë të re në skenën muzikore.

Në vitin 2008 nxjerr albumin e tij të parë, i cili rrëmbeu zemrat e mijëra fansave në të gjithë shqiptarinë. Pjesë e grupit OTR, Noizy nuk u ndal në furtunën e hiteve, duke sjellë edhe mjaft bashkëpunime. Me kalimin e viteve ai arriti të shndërrohej në një prej artistëve më të kërkuar në ekrane e salla koncertesh, duke mbushur plot diskotekat më të mëdha në diasporë. Viti 2013 ishte aureola e gjithë produktivitetit muzikor të reperit shqiptar. Më shumë se 20 këngë singëll për një vit, që vërtetuan se muza e këtij artisti nuk ka shterim. Videot e tij janë më të klikuarat në youtube, ai është një ndër personazhet më të shitura në media dhe njëherësh këngëtari më i paguar në hapësirat shqipfolëse… Po për një profil më të gjerë të Noizy-t, ju ftojmë të lexoni intervistën në vijim.

Viti që lamë pas ka qenë shumë i suksesshëm për ty, me hite, koncerte dhe shumë para të fituara… Sa e vështirë është të ndërtosh një karrierë të suksesshme?
E vështirë është gjithçka në jetë. Me rritjen tonë, shtohen edhe përgjegjësitë… Kështu mendoj se ndodh edhe me muzikën. Sa më shumë sukses të kesh, aq më shumë ti duhet të punosh për ta mbajtur atë sukses. Nëse tregon seriozitet në punë, nuk është e vështirë ta kesh suksesin.
Ti, e ndjen suksesin?
Normalisht që po, ka net të tëra që rrimë pa gjumë, nëpër koncerte, studio, videoklipe… I krijoj shumë rëndësi punës sime.
Sa orë në ditë ia kushton muzikës?
Falë Zotit, tani kam arritur në një pikë ku, edhe nëse jam duke i dhënë makinës, mendoj për muzikën. Ngaqë e dua dhe punoj shumë për muzikën, syri, veshi, mendja ime, kërkojnë gjëra të reja ‘non stop’. Bëj shumë këngë. Në këto momente mund të jenë gati 70 këngë që akoma nuk janë publikuar. Që të mos jenë të ngjashme me njëra-tjetrën, duhet të jesh gjithmonë në kërkim të gjërave të reja.
Çfarë të frymëzon ty, Noizy?
E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja.
Do të ketë një album, që pritet të publikohet së shpejti, apo jo?
Faktikisht, albumi dita-ditës publikohet, për shkak se nuk do të bëj CD. Thjesht do ta publikoj në faqen time “This Is Noizy”, në Youtube, që tashmë e dinë të gjithë dhe është mjaft e klikuar. Arsyeja pse nuk do ta bëj CD është se nuk ka treg ose shtëpi diskografike të mirëfillta këtu në Shqipëri. Propozimi që ata të bëjnë për produktin që ti u ofron është qesharak.
Në albumin e ri ke edhe një këngë kushtuar pushtetarëve?
Po, është kënga “No Worries”. Jam përpjekur t’u bëj një apel pushtetarëve, që luftojnë për karriget e njëri-tjetrit dhe e harrojnë fare popullin.
Ndërkohë ke publikuar edhe një këngë kushtuar inatçinjve, ‘Boja me dorë’…
Po, inatçinjve që unë i vras me sukses.
Kush të ka inat ty, Noizy?
Shumica më duan, pakica më kanë zili.
Për kë këndon ti, Noizy?
Siç e dinë të gjithë, rininë e kemi pas vetes, kjo as nuk diskutohet, por kemi bërë edhe shumë të tjerë për vete. Një fëmijë në shtëpi e bën gjithë familjen të të dojë ty. Për një artist, arma më e fortë është rinia. Kjo gjeneratë është rritur me këngët e mia. Janë fansat e mi, arma më e fortë…
Në Tiranë këndon rrallë, përgjithësisht në shesh. Pse nuk i preferon diskotekat?
Nuk më kanë ardhur ftesa nga vendet e duhura.

Cilat janë vendet e duhura?

Diskoteka serioze, me një traditë të mirë. Nuk është gjithçka tek leku, besomë. Duhet të kenë, më e pakta, një skenë për të kënduar.
Ty të komentojnë si këngëtarin më të paguar.
Unë nuk i di bizneset e të tjerëve.
Mirë, çfarë mendon kur i lexon këto komente, që je më i paguari?
Unë mendoj që punoj më shumë nga të gjithë. Ka këngëtarë që me pretekstin ‘të mos konsumohemi’ nxjerrin vetëm një këngë në vit dhe i thonë vetes ‘këngëtar’, duke punuar kaq pak për muzikën, duke i kushtuar kaq pak rëndësi muzikës. Kur dëgjoj që, ‘Noizy ka më shumë koncerte ose të ardhura’, do të thotë që unë po punoj më shumë, po i kushtoj më shumë rëndësi muzikës. Për këtë muzikë njihem, nuk njihem për skandale… Nuk dua të përmend emra, por një X koleg i imi, më tha një ditë, “këtë verë do bëj boom”. I thashë ‘si?’, më tha “do qethem tullac”. I thashë, “ti njihesh për diçka tjetër, ndërkohë që do të bësh boom me skandale, me imazhin”.

Për çfarë i shpenzon paratë ti Noizy?

Ngaqë jam tepër i ngarkuar, babai im është ai që i menaxhon të gjitha të ardhurat e mia dhe them që, po të mos ishte për të, unë nuk do isha këtu ku jam sot.

Vitin e shkuar ke blerë një makinë me vlerë 103 mijë euro… Ç’është ky pasion për makinat?

Që i vogël i kam dashur shumë makinat, plus ajo ka qenë një makinë që e kam dashur shumë, ndaj e mora. Po s’është gjithçka makina, janë gjërat e tjera që të bëjnë të lumtur, makinën e ke sot, s’e ke nesër. Gjithsesi, ajo ishte një nga makinat e ëndrrave të mia, se do vijnë edhe disa të tjera shumë shpejt.

E ke menduar ndonjëherë krijimin e një fondacioni për bamirësi, megjithëse nuk kanë munguar veprat e mira prej teje?

Megjithëse asnjëherë nuk është mjaftueshëm dhe asnjëherë nuk duhen përmendur ato që bën, kam bërë shumë bamirësi. Edhe për ditëlindjen time kam çuar ushqime në shtëpinë e fëmijëve jetimë në Durrës. E them me plot gojën që ishte ditëlindja më e veçantë që kam kaluar, pasi t’u ofroja ndihmë atyre fëmijëve ishte gjëja më e mirë që mund të bëja. I shihja ata fëmijë aty dhe thoja, “o Zot, ku je?” Atë ditëlindje do ta mbaj mend gjatë. Sidoqoftë, sa herë që kam mundësi, bëj mirë.

Përveç muzikës, çfarë ka tjetër në përditshmërinë tënde?

Jam tepër i thjeshtë. Jetoj në plazh, në Durrës.
Pse kjo zgjedhje?

Familja.

Përveç saj, sepse ti mundësitë i ke të jetosh kudo?

Kur rritesh kupton që familja është gjëja më e shtrenjtë që mund të ketë një person. Kur i sheh prindërit e tu të kalojnë një farë moshe, shumë gjëra të kalojnë në kokë. E kam kuptuar këtë edhe kur ka lindur Leandra. Pastaj Durrësi është më i qetë për mua, Tirana është shumë rrëmujë… Unë gati çdo ditë e kam rrëmujë, edhe një vend i zhurmshëm më duhet mua, që pastaj të shpërthej! Kështu që, më mirë pak më i distancuar atje.

Meqenëse përmende vajzën, e di që shumë fëmijë janë bërë xhelozë pas këngës që i ke kushtuar asaj?
Jo.

Si është ajo tani?
Ajo është shumë mirë, për pak mbush 7 vjeç. Ajo është engjëlli im, më shkruan tani në telefon, më dërgon ‘voice messenger’. Ajo ka qenë e vetmja këngë për të cilën kam marrë urime shumë të mëdha nga njerëzit, edhe vetë jam çuditur. Kam filluar t’i publikoj më rrallë fotot e Leandrës, sepse dua që ajo të zgjedhë vetë për të ardhmen e saj. Ndoshta nuk i pëlqen fare kjo që po bëj, nuk i pëlqen fama.

E di ajo që ti je i famshëm?

Po, ajo ka filluar të kuptojë. Më ndjek ‘non stop’ në internet, kërkon për mua. Prandaj ndonjëherë u lutem gazetarëve të mos nxjerrin disa lajme që s’ia vlejnë, sepse ajo tani kupton dhe nuk di të gjykojë më shumë. Ajo thjesht shikon babin e vet me diçka jo të mirë dhe e merr të mirëqenë atë, prandaj dhe unë sot jam një tip më i qetë.

Sigurisht që femra ka shumë në jetën tënde; po diçka serioze, akoma jo?
Jo.
Surpriza e radhës, cila është?
Tri këngë të reja ditën e të dashuruarve. Kanë për t’ju pëlqyer shumë.

Më Shumë

Lajmet e Fundit