7.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Nuset shqiptare i japin shpresë fshatit maqedonas në zhdukje

nuset shqiptare maqedoni“Jeta nuk është dhe aq e keqe këtu”, thotë 31-vjeçarja Alida Trpkovska, teksa qendron pas banakut të ushqimores modeste të fshatit malor Brest që ndodhet në komunën e izoluar të Maqedonisë perëndimore, Makedonski Brod.

Lindur dhe rritur në Lezhë, qytetin shqiptar pranë bregdetit, Alida ka ardhur në Brest nëntë vjet më parë, pas martesës së saj me 43-vjeçarin Goran, një maqedonas me të cilin ajo ka tashmë dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë.

“Gjithçka ndodhi brenda një muaji pasi u njoha me Goran. Ai ishte në Lezhë për të ndihmuar kushëririn e tij që të gjente një nuse, por, siç e donte fati, ai gjeti një nuse për vete”, kujton Alida duke buzëqeshur.

“Në fillim kishim nevojë për një përkthyes sa herë që ai merrte në telefon për të folur me mua”, vazhdon ajo me maqedonishten e rrjedhshme tashmë.

Dasma u zhvillua menjëherë pasi babai i Alidës u bind për të dhënë dorën e vajzës së tij. Besimi i tyre i përbashkët Ortodoksi ndihmoi për të lidhur marrëveshjen. Një shumë e majme prej 1000 euro iu pagua ndërmjetësit që mundësoi kontaktet dhe ndihmoi Goranin gjatë kërkimit të tij romantik.

Për banorët e fshatit dikur të lulëzuar të Brest, i cili tani po vuan nga rënia e ndjeshme e popullsisë si rezultat i largimit të grave të reja për shkak të varfërisë, ardhja e Alidës përfaqëson një dritëz shprese për një fillim të ri.

Rreth 40 vjet më parë mbi 600 persona e konsideronin Brestin si shtëpinë e tyre. Sot, shumica e shtëpive janë të braktisura. Shumica e ndërtesave të banuara nga 150 banorët e mbetur kanë nevojë për riparim. Fshati ka vetëm gjashtë fëmijë që ndjekin shkollën fillore, 23 burra beqarë dhe vetëm një grua të pamartuar. Në prag të shkatërrimit të asaj pak industrie që rajoni kishte dikur, gratë e tjera thjesht migruan dhe u martuan në qytete të afërta që ofrojnë mundësi më të mira jetese.

Mundësia për të lëvizur nuk ishte dhe aq e lehtë për burrat, të cilët në një shoqëri patriarkale pritet që të krijojnë familjet e tyre në vendin e origjinës.

Brest ndodhet në komunën e izoluar perëndimore tëMakedonski Brod.

“Sikur të kisha qoftë dhe apartamentin më të vogël në Shkup ose në ndonjë qytet tjetër, ju siguroj që do kisha gjetur një nuse brenda javës”, thotë me bindje 43-vjeçari Brane Atanaskoski.

Me një trup prej atleti dhe një fytyrë të djegur nga dielli i malit, ai është një nga “beqarët e vjetër” për të cilët fshati është i njohur. Fatkeqësisht, siç thotë ai, asnjë nuse nuk do të vinte për të jetuar në fshatin e tij, në një shtëpi të trashëguar nga prindërit.

Kur ishte i ri, Brane tregon se jeta e tij ka qenë e lehtë. Ai ka ndërruar disa punë në kompani ndërtimi, ka udhëtuar dhe festuar në qytete të ndryshme të Maqedonisë, si dhe ka pasur shumë gra mes të cilave të zgjidhte.

“Por, në mes të të tridhjetave, kur fillova të sillja vajzat në shtëpi, kuptova që do të ishte shumë e vështirë që të bindja ndonjërën prej tyre që të shpërngulej me mua këtu. Një zonjë më tha që nuk do mund të qëndronte këtu për më shumë se tre orë, dhe kush mund t’i vinte faj?”, thotë ai.

Në dimër fshati pothuajse izolohet nga pjesa tjetër e botës për javë të tjera. “Kush mund të fajësojë një grua që nuk do që të ketë fëmijën sëmurë këtu gjatë dimrit?”, pyet Brane.

Sa për të përkeqësuar situatën, pavarësisht se fshati dhe rajoni ndodhen vetëm rreth 40 kilometra nga kryeqyteti i Maqedonisë, Shkupi, liqeni artificial i Kazjak si dhe terreni malor bëjnë që për të arritur aty të duhet të përshkosh një rrugë të gjarpëruar rreth 200 kilometra të gjatë.

Kryetari i komunës së Makedonski Brod, Milosim Vojneski, pretendon se ka një plan për të luftuar problemin serioz të beqarëve të vetmuar, i cili ka sjellë rënien e popullsisë në zonë nga 24,000 banorë gjatë vitit 1990 në vetëm 8,500 në ditët e sotme.

Kryetari i komunës Milosim Vojneski përpara godinës së komunës së Makedonski Brod.

‘Projekti’, siç e quan ai, përfshin ofrimin e biletave falas të autobusit për Shqipëri dhe Ukrainë nga ana e komunës me qëllim gjetjen e nuseve. Nëse udhëtimet romantike janë të suksesshme, atëherë komuna ofron dhe dasmën falas.

Si pasojë e luftës në Ukrainë, Shqipëria fqinje duket se është një opsion më i mundshëm, dhe kryetari i komunës thotë se ka ndihmuar deri tani në sjelljen e 78 nuseve nga ky vend. Sipas statistikave të kryetarit të komunës, nga këto martesa kanë lindur 109 fëmijë përgjatë katër viteve të fundit.

“Ne kemi përllogaritur se rreth 200 ‘beqarë të vjetër’ janë ata që kanë më shumë nevojë për ndihmën tonë”, thotë ai.

“Vendosa t’i ndihmoj se unë kam kontaktet. Kam nxjerrë një thirrje dhe tani kemi një listë të personave nga 35 deri 50 vjeç që kanë aplikuar, të cilën po e marrim në shqyrtim”, shton kryetari i Komunës.

Një faktor i traditës ende i pranishëm në disa pjesë të Shqipërisë punon në favor të beqarëve maqedonas, të cilët kanë pak – materialisht – për të ofruar. Për shkak të kultit të nuseve të reja në Shqipëri, një grua e cila nuk arrin të gjejë bashkëshort deri në moshën 24 vjeçare ka mundësi shumë të pakta që të martohet. Kjo është pjesa ku beqarët maqedonas ndërhyjnë. Ata nuk kanë luksin për naze të tilla.

“Kemi vendosur kontakte me një prift vendas në Korçë. Ai po na ndihmon që të gjejmë nuse për djemtë tanë,” sqaron kryetari i komunës.

“Këto nuk janë sipërmarrje shumë të mëdha, si ato që po planifikojmë për Ukrainën, por sërish arrijmë që të ndihmojmë një ose dy djem çdo radhë”, shton Vojneski.

Nuset nga Shqipëria janë si me origjinë maqedonase, ashtu dhe me origjinë shqiptare. Por a është besimi një faktor përcaktues? Jo sipas kryetarit të komunës, i cili thotë se nuset muslimane shpejt konvertohen në ortodokse.

Popullsia e rajonit ka rënë nga 24,000 banorë gjatë vitit 1990 në vetëm 8,500 sot.

Një plan akoma më ambicioz të cilin kryetari i komunës e ka pezulluar për momentin është që të dërgojë një autobus me rreth 25 dhëndurë të mundshëm në Ukrainën e largët. Ai thotë se beqarët do dërgohen në rajonin e Ukrainës ku ka mungesë burrash, ku do të kalojnë tre ditë duke zhvilluar takime të parapërgatitura me gra, të mundësuara nga Ambasada Maqedonase në Kiev.

“Çdo gjë është sistemuar dhe ne do e zhvillojmë patjetër këtë sapo të përmirësohet situata, pra sapo lufta [në Ukrainë] të mbarojë”, thotë Vojneski.

Nëse kjo përpjekje rezulton e suksesshme, “ne nuk do të kursejme para që të sjellim pas dy autobusë nga Ukraina”, vazhdon ai.

Prapa në Brest, pak vetë besojnë në premtimet e kryetarit të komunës se një mizëri grash do të dynden në anët e tyre së shpejti. Sërish ata kanë shpresë. Që nga ardhja e Alidës në Brest, disa gra të tjera shqiptare kanë pasuar. Katër prej tyre janë martuar tashmë në fshat, por jo falë kryetarit të komunës.

Brane thotë se Alida ndihmoi duke i bindur familjet e grave për të lejuar që vajzat e tyre të martohen në fshat. Alida e konfirmon këtë.

Nuk është punë e lehtë të përpiqesh të bësh bashkë dy njerëz, thotë ajo. “Duhet të dalësh garant që beqari është djalë i mirë, punëtor dhe që nuk pi shumë”, shpjegon ajo.

“Pastaj duhet të dalësh garant edhe për nusen sepse dhe ajo mund të mos dalë e mirë”, tha ai

Brane thotë që ai është i gatshëm që të provojë fatin e tij, qoftë në Shqipëri, qoftë në Ukrainë.

“E vetmja gjë që dua është një grua e ndershme dhe punëtore, asgjë më shumë – si Alida”, thotë ai, teksa qëndron i ulur në dyqanin e ushqimores së fshatit. Alida mundohet që të mbulojë buzëqeshjen e saj me pëllëmbën e dorës, paksa e turpëruar nga fjalët e tij./BalkanInsight/

Më Shumë

32 vjet nga rënia e dëshmorit, Alush Kryeziu

Janë bërë 32 vjet nga rënia heroike e dëshmorit të kombit, Alush (Nezir) Kryeziu. Kryeziu ishte veprimtar i shquar i çështjes kombëtare. Ai është përkujtuar sot...

Sindikata e Arsimit paralajmëron protestë më 1 maj

Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar se nëse qeveria nuk shqyrton kërkesat dhe shqetësimet e paraqitura nga kjo sindikatë, do ndërmerren veprime sindikale. Drejtues të kësaj...

Lajmet e Fundit