17.8 C
Prizren
E shtunë, 3 Maj, 2025

OKB s’ka interes ta themelojë Specialën

Njohësit e çështjeve juridike kanë qëndrime të ndryshme, sa i përket mundësisë që Gjykatën Speciale ta themelojë Këshilli i Sigurimit të OKB-së.

Nëse Kosova nuk e themelon vetë Gjykatën Speciale, atëherë është Këshilli i Sigurimit të OKB-së ai që e bën një gjë të tillë. Ky është kërcënimi që vjen më së shpeshti nga faktori ndërkombëtar dhe përdoret edhe nga Qeveria e Kosovës, për themelimin e Gjykatës Speciale. Mirëpo, njohësit e çështjeve juridike kanë qëndrime të ndryshme, sa i përket mundësisë që Gjykatën Speciale ta themelojë Këshilli i Sigurimit të OKB-së.

Profesori i të drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu nuk e sheh të mundshëm themelimin e Gjykatës Speciale nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ai thotë se nëse vepron në mënyrë racionale, KS i OKB-së nuk ka mundësi ta themelojë një gjykatë të tillë dhe nuk ka interes t’i futet kësaj aventure. E për këtë, Baraliu përmend tri arsye.

“Arsye e parë është se Kosova nuk është anëtare e OKB-së. E dyta, rezoluta 1244 është e tejkaluar. Në këtë rast, cdo veprim që do ta merrte KS i OKB-së, nuk ka as objekt as subjet. E treta, nëse do të bënte një gjë të tillë, do të krijonte autogol. Do të krijonte një situatë bumerangu ndaj vetes, sepse edhe ato shtete që janë kundër Kosovës si shtet, do ta njihte shtetësinë e Kosovës dhe do të kishte efekte të caktuara positive në trendin e njohjes së Kosovës nga shtetet tjera”, tha Baraliu për Radio Kosovën.

Por ndryshe mendon, profesori i të drejtës ndërkombëtare Afrim Hoti. Ai thotë se Këshilli i Sigurimit të OKB-së mund ta themelojë Gjykatën Speciale, nëse Kosova këmbëngul që mos ta themelojë atë dhe e humb mbështetjen e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe të cilat mund ta përdorin veton në Këshillin e Sigurimit.

“Mospërdorimi i të drejtës së vetos në KS të OKB do të hapte rrugën dhe do të jepte dritën jeshile që këshilli i sigurimit të themelonte këtë gjykatë. Me fjalë të tjera, unë mendoj se një gjykatë e tillë mund të themelohet mbi konstelacionin e akteve juridike ndërkombëtare në fuqi që janë në Kosovë dhe themelimin e gjykatës speciale nga OKB-ja e shoh si krejt realist”, tha Hoti për Radio Kosovën.

Gjithsesi, Hoti thotë se mosthemelimi i Gjykatës Speciale nga Kosova, përveç mundësisë që të themelohet nga KS i OKB-së, mund të bartë edhe pasoja të tjera, siç është zbehja e miqësisë me partnerët ndërkombëtarë dhe ngecja e integrimit të Kosovës në BE.

Ndërsa profesori Baraliu e quan jokorrekte që të ushtrohet një presion kaq i madh ndaj një shteti të ri dhe të pakonsoliduar ende, si dhe të frikësohet një popull i tërë me krijimin e Gjykatës Speciale nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së.

Ndërkohë, edhe ish shefi i zyrës ligjore të UNMIK-ut, Alexander Borg Olivier e ka vënë në dyshim mundësinë e themelimit të Gjykatës Speciale nga ana e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke thënë se dy anëtarët e përhershëm në Këshillin e Sigurimit, Rusia dhe Kina, nuk do të pranojnë të krijojnë një precedent i cili në të ardhmen mund të përdoret kundër tyre. Ai ka thënë se asnjë pasojë nuk do ta ketë Kosova nëse nuk e themelon këtë gjykatë./Radio Kosova/

Më Shumë

Barcelona fiton Kupën e Mbretit pas një super ‘El Clasico’

Në një përballje të zjarrtë në “Estadio de la Cartuja” të Sevillas, Barcelona mposhti Real Madridin me rezultat 3-2 pas vazhdimeve, dhe u shpall...

Albulena Haxhiu sërish nuk i merr votat e mjaftueshme për kryeparlamentare

 Edhe sot ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Vetëm 57 vota kanë qenë sërish për Albulena Haxhiun për kryeparlamentare që mbetet emri...

Lajmet e Fundit