(E plotësuar) Opozita nuk e ka ndërmend të heq dorë nga realizimi i kërkesave të tyre të cilat ia kanë shtruar Qeverisë në protestën e së shtunës.
Ata thonë se do të presin afatin që ia kanë dhënë Qeverisë që të reflektojë në plotësimin e këtyre kërkesave, pastaj do të ndërmarrin përsëri veprimet e duhura. Madje, ata thanë se protestat nuk do t’i anulojnë në asnjë mënyrë.
Tre liderët e opozitës, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, janë takuar sot dhe kanë diskutuar për zhvillimet e fundit, protestën dhe hapat që do t’i ndërmarrin pas skadimit të afatit të dhënë Qeverisë për realizimin e kërkesave të tyre.
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj tha pas takimit se biseduan rreth kërkesave veç e veç dhe protestës dhe për të konfirmuar se opozita është e bashkuar dhe asnjë variant s’do të heqin dorë nga realizimi i kërkesave të tyre.
“Edhe një herë biseduam për kërkesat veç e veç dhe për gjithë ato angazhime që na presin në zbatim të këtyre kërkesave. Opozita është e bashkuar, është e vendosur që të përkrah të kërkoj të fuqizoj zbatimin e këtyre kërkesave…Ne kemi pasur një protestë të dinjitetshme, civilizuese përmes të cilës kemi prezantuar këto kërkesa legjitime, i kemi cekur veç e veç, tani nuk do të paralajmërojmë veprimet tona në të ardhmen. Jemi në konsulta të vazhdueshme, ende ka kohë Qeveria, ka dy javë, kemi dhënë një afat kohor të respektueshëm dhe do të presim këto dy javë kohë të shohim nëse do të përmbushën këto kërkesa, sa nga to do të përmbushën, si do të përmbushën në mënyrë që të reflektojmë. Pra, është herët të flasim si do të reagojmë ne dhe ka kohë që këto kërkesa të përmbushën dhe kuptohet do të jetë një reagim i yni”, tha Haradinaj.
Kreu i AAK-së beson që këto kërkesa janë legjitime dhe është mirë që Qeveria të reflektoj, sepse përndryshe protestat nuk do t’i ndalin.
“Jemi në këtë frymë, pra që të fuqizojmë kërkesat legjitime dhe të përkrahim zbatimin e tyre…në asnjë variant”, tha Haradinaj.
Edhe kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj tha se biseduan rreth protestës dhe zhvillimeve të fundit, derisa bëri me dije se nuk do të tërhiqen në asnjë mënyrë nga protestat nëse nuk përmbushën kërkesat e tyre që i kanë parashtruar.
Limaj tha se presin që Qeveria të reflektojë në realizimin e kërkesave të tyre dhe në përputhshmëri me hapat dhe sjelljen e Qeverisë, ata do të veprojnë si opozitë e bashkuar.
“Natyrisht biseduam edhe për hapat që, normal po presim që Qeveria të reflektoj në realizimin e kërkesave të opozitës dhe kështu do të shkojmë. Këtë javë do të presim reflektimin e Qeverisë…Shikoni, protestat nuk do të ndalen asnjëherë në Kosovë kur ka arsye për të protestuar, dhe kur ka nevojë për të protestuar. Ne themi ishalla nuk do të ketë nevojë për protesta, por duhet të punojmë të gjithë që mos të ketë nevojë për të pasur protestë për tema që po flasim. Do donim ta kishim një qeveri që do t’i përgjigjet qytetarëve. Natyrisht në realizimin e këtyre objektivave të ndryshme për vendin ne do të vazhdojmë t’i shfrytëzojmë të gjitha instrumentet tona demokratike që na jep ky shtet demokratik”, tha Limaj.
Sipas kreut të Nismës, Qeveria vazhdon me gjuhën e tyre arrogante.
“Jo, jo asnjë gjë nuk anulohen në këtë vend. Ne do të vazhdojmë, ajo çka mund të iu sigurojë është që opozita do të jetë shumë aktive, në adresimin e të gjitha çështjeve që po ballafaqohet vendi. Ne do të jemi këtu dhe do të vazhdojmë të jemi aktiv në hapjen e këtyre temave, ngritjen e problematikave dhe besoj këtë duhet ta ketë të qartë Qeveria e Kosovës e cila po shihet qartë se po shkon në rrënimin e këtij vendi dhe po frikësohet nga mendimi ose zëri ndryshe”, theksoi ai.
Limaj tha se shfrytëzuan këtë takim t’i falënderojnë edhe një herë qytetarët për mbajtjen e mesazhit që kanë përcjell për protestë paqësore, e cila demantojë gjithë atë gjuhë helmuese të pushtetit që përmes gjuhës kërcënuese dhe dhunuese mbjellën frikë dhe shqetësim të qytetarët.
Opozita koordinon hapat pas ultimatumit për Qeverinë
Liderët e tri partive opozitare, Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës janë duke zhvilluar një takim në zyrat e Grupit Parlamentar të AAK-së në Kuvendin e Kosovës.
Në këtë takim pritet të diskutohet për hapat e mëtutjeshëm që do t’i ndërmarrë opozita pas protestës së 18 prillit, transmeton KTV.
Opozita bashkërisht deri tash ka organizuar tri protesta. Në këtë të fundit partitë opozitare i kanë dhënë dy javë kohë Qeverisë që të reflektojë në realizimin e kërkesave të tyre.