26.2 C
Prizren
E martë, 17 Qershor, 2025

Opozita nuk është fajtore për dështimet e Qeverisë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bali Muharremaj, ka thënë se opozita nuk është fajtore për dështimet e Qeverisë.

Në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se koalicioni qeverisës PDK – LDK i ka sjellë shumë dëme shtetit të Kosovës.

“Ne nuk mund t’i kalonim projektet që i humbnin territor Kosovës dhe që do ta fusnin Serbinë brenda në Kosovë nëpërmjet ‘Zajednicës’. Ky koalicioni i ka sjellë shumë dëme Kosovës. Demarkacioni me Malin e Zi dhe ‘Zajednica’ janë dy projekte që i kanë marrë shumë kohë Kosovës. Mandej premtimi për qindra mijëra vende pune ka kaluar në heshtje dhe shumë çështje të tjera që qytetarët po i shohin çdo ditë drejt dështimit”, ka deklaruar Muharremaj, duke shtuar se Qeveria aktuale, përveçse nuk ka bërë asgjë në luftimin e krimit dhe korrupsionit, nuk e ka realizuar as premtimin për krijimin e vendeve të reja të punës.

“Askush nuk i ka ndaluar të punojnë për ta ndalur krimin dhe korrupsionin por, siç po e shihni, asgjë nuk është bërë në atë drejtim. Vendet e punës nuk janë askund, përkundrazi shumë qytetarë ikën nga vendi si rezultat i këtyre dështimeve”, është shprehur ai.

Ndërsa sa i përket demarkacionit me Malin e Zi, Muharremaj ka thënë se debati i mirëfilltë në mes të njerëzve kompetentë është zgjidhja kryesore për këtë çështje. Megjithatë, ai ka thënë se është e rëndësishme që nuk ka kaluar versioni aktual i demarkacionit.

“Demarkacioni, ashtu siç ka qenë, nuk do të kalonte. Ju e keni parë kundërshtimin e fortë të popullit në rrugë dhe vendosmërinë e opozitës e, po ashtu, edhe të shumë deputetëve të pozitës, prandaj nuk u hodh në votim. Debati i mirëfilltë në mes të njerëzve kompetentë është zgjidhja kryesore”, ka theksuar Muharremaj.

Në këtë intervistë deputeti i AAK-së ka folur edhe për sondazhet e fundit sa i përket renditjes së partive politike. Ai ka thënë se ato janë bërë vetëm sa për të sjellë huti në mes të njerëzve. Në këtë kontekst, Muharremaj ka thënë se gjendja e Aleancës në terren është shumë e mirë pasi, sipas tij, AAK-ja është parti stabile.

“Gjendjen në terren e kemi shumë të mirë. Ne jemi subjekt stabil tash e shumë vite. Mendoj se diskutimet e fundit rreth atyre sondazheve janë vetëm sa për të sjellë huti mes njerëzve. Vota do të ndryshojë shumëçka në zgjedhjet e ardhshme”, ka theksuar Muharremaj. /Epoka e re/

Më Shumë

Pas caktimit të datës së zgjedhjeve lokale, Muharremaj e Latifi pozojnë nga dreka me speca e qebapa

Presidentja Vjosa Osmani ka caktuar dje, 12 tetorin e këtij viti si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Pas caktimit të datës, janë aktivizuar edhe...

Temperaturat deri në 29 gradë sot në Kosovë

Në Kosovë të mërkurën do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat në pjesën e dytë të ditës në disa zona të...

Lajmet e Fundit