13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Pack: Kosova dha testin e demokracisë – ju përgëzoj!

Doris PackKosova me 3 nëntor dha testin e demokracisë evropiane, kështu tha eurodeputetja gjermane, Doris Pack në një intervistë ekskluzive për Radio Kosovën. Ajo theksoi se do të kishte qenë mire sikur këtë testa ta kishte dhënë edhe pjesa veriore, por kjo u pengua nga ekstremistët dhe vandalë serbë që nuk duan të pranojnë se kohërat kanë ndryshuar dhe që jetojmë një realitet të ri.

Pack thotë se përgjegjës këtu është edhe Serbia e cila e ka vetë në dorë të dëshmojë dhe tregojë se vërtet e ka seriozisht qëllimin për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore me Kosovën, pasi nga kjo varet e ardhmja evropiane.

Radio Kosova: Zonja Pack, me tre nëntor në Kosovë u mbajtën zgjedhjet komunale. Ato u mbajtën fer dhe me standarde demokratike. Ky është vlerësimi i OSBE-së dhe vëzhguesve evropianë. Sipas mendimit tuaj, e dha Kosova testin demokratik me këto zgjedhje, me përjashtim të veriut?

Pack: Do të ishte mirë që e gjithë Kosova ta kishte dhënë këtë test demokratik dhe jo vetëm pjesa në jug të lumit Ibër. Për fatkeqësinë e zotit, siç thash, këtë test e dha vetëm pjesa më e madhe e Kosovës. Në veri pati akte të këqija të sulmeve në qendra dhe vendvotime, dhe kjo mendoj se i jep pak hije të keqe zgjedhjeve në përgjithësi. Ndryshe, siç e ka konstatuar edhe OSBE-ja edhe vëzhguesit e Bashkimit Evropian, zgjedhjet rrodhën mirë dhe pa probleme, duke plotësuar standardet demokratike dhe evropiane dhe duke u nisur nga kjo, unë vetëm uroj dhe përgëzoj shqiptarët dhe serbët kosovarë në jug të lumit Ibër, për këtë sukses në zgjedhje.

Radio Kosova: Siç e përmendët, në veri pati sulme nga grupe ekstremiste. Kush është përgjegjës që lejoi të ndodhte kjo, zonja Pack?

Pack: Është e qartë, kanë qenë grupet ekstremiste serbe që përdorën dhunën dhe sulmuan qendrat e votimit. Ashtu siç kam parë edhe televizionin gjerman, ka pasur raste kur femra të guximshme serbe që shkonin për të votuar të “armatosur” me shkopinj të drunjte për tu mbrojtur nga ata burra ekstremistë serbë që donin t’i pengonin për të votuar. Kjo është një turp, është një trup i madh për ata burra dhe për ata serbë në përgjithësi që ende nuk po e kuptojnë ndryshimin e kohërave. Dëshiroj që Beogradi ta kuptojë se kjo nuk shpie askund. Beogradi duhet të ndikojë që zgjedhjet për balotazh që mbahen me 1 dhjetor të mbahen pa u penguar nga askush.

Radio Kosova: Pas këtij procesi të rregullt zgjedhor që u mbajt me 3 nëntor, me përjashtim të veriut, a është Kosova tani një hap më afër në rrugën e saj, në procesin drejt anëtarësimit evropian?

Pack: Po patjetër që është. Kaq qenë më se e domosdoshme që këto zgjedhje të mbahen fer, të rregullta dhe demokratike. E thash, se ato kaluan të rregullta, me standarde evropiane, me përjashtim në veri ku u shkaktuan turbullira nga serbë që nuk duan të pranojnë se kohërat kanë ndryshuar dhe që jetojmë një realitet të ri. Tani po zhvillohet edhe një dialog midis Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe Qeveria Serbisë duhet ta kuptojë dhe të ndikojë që aktet të tilla nacionaliste dhe kriminale të mos ndodhin më.

Radio Kosova: Sot kemi takimin e radhës midis kryeministrit Thaci dhe atij të Serbisë Daçiq. Si e vlerësoni në përgjithësi dialogun që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe si vlerësoni zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit?

Pack: Ky dialog është duke ndodhur, duhet të vazhdojë dhe jam shumë falënderuese që kjo po ndodh. Jam e Gëzuar që Beogradi dhe Prishtina po gjejnë ngadalë rrugën e duhur. Por edhe në takimin e të mërkurës, duhet të flitet për veriun, lidhur me atë që po ndodh, që edhe këtyre grupeve të serbëve, përkatësisht këtij grupi të paktë të njerëzve, por që janë vandalë dhe ekstremiste, tu bëhet e qartë, sepse ata nuk e kanë kuptuar përse po zhvillohet ky dialog mes dy kryeministrave.

Radio Kosova: Serbia po heziton ti plotësojë të gjitha kushte që dalin nga marrëveshja e 19 prillit e arritur mes dy kryeministrave ne Bruksel. Shpresoni ju se Serbia do të detyrohet ti respektojë dhe plotësojë të gjitha marrëveshjet e arritura?

Pack: Po, sigurisht që shpresoj, ndryshe pse të bëheshin ato marrëveshje. Marrëveshjet arrihen vetëm për tu zbatuar. Serbia e ka vetë në dorë të dëshmojë dhe tregojë se vërtet e ka seriozisht qëllimin për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore me Kosovën. Ajo ka marrë zotime për të zbatuar këto marrëveshje të arritura, të cilave Kosova po u përmbahet dhe po i zbaton nga ana e sajë në mënyrë korrekte. Po kështu, në mënyrë korrekte, duhet të sillet edhe Serbia sepse vetëm kështu ajo do të mund të ecën përpara në rrugën evropiane. Kjo vlen për të dyja palët.

Më Shumë

Lajmet e Fundit