11.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Papërgjegjësia instituconale dhe protestat popullore

qemajl krasniqiShkruan: Qemajl Krasniqi

A mund të kthehen të zhvendosurit në kaos?

Zhvillimet e ditëve të fundit në vend nuk mund ta lënë indiferent askënd që ia do të mirën Kosovës. Formimi i qeverisë së re, pas një bllokimi gjashtëmujor, nuk po konsiderohet në masë të madhe si zgjidhja më e mirë. Hendeku i thellë buxhetor dhe kapja masive e shtetit nga partizanët, janë probleme që kërkojnë zgjidhje të shpejtë.

Në anën tjetër Kosova ndjehet e kërcënuar edhe nga instalimi i frymës serbe në qeverinë e Republikës, ku eksponentë të katapultuar nga Serbia kontestojnë arritjet dhe pengojnë ecjen. Në këtë grup është edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, i cili natyrisht se ka sfida të vështira para vetes. Sikur të mos mjaftonte kjo, ministri Jabllanoviç lëshon romuze, akuza dhe fyerje në drejtim të komunitetit shumicë, komunitet që duhet të pranojë planet e tij për kthimin e të zhvendosurve. Acarimi dhe tensionimi i raporteve të këtij ministri, që mision ka kthimin e njerëzve të tij në Kosovës, me popullatën që duhet të pranojë në fqinjësi serbët e shpërngulur, sigurisht se nuk është aspak në favor të kësaj ideje.

Ofendimi i nënave në kishën ku u bekuan paramilitarët që kryen krime në Anadrini

Deklarata e tij poshtëruese e dhënë në kishën ortodokse në fshatin Zoçishtë të Rahovecit, ishte faji i tij i madh njerëzor, politik e institucional. Madje edhe vendi se ku e ka dhënë këtë deklaratë të pamatur, e shton peshën e këtij faji. Dihet botërisht se paramilitarët serbë dhe formacionet e ndryshme të armatosura kanë marrë bekimin për të kryer fushata spastrimi pikërisht në këtë kishë. Epilogu dihet. Rreth 1000 persona të vrarë e të masakruar vetëm në komunën e Rahovecit, ndërsa numri i të vrarëve të tjerë në rajonin e Prizrenit dhe Gjakovës nga këto formacione është dukshëm më i madh.

Mos të flasim për dëmet e mëdha materiale, djegien e shtëpive e pasurisë së shqiptarëve, grabitjen e stolive e gjërave të vlefshme, dhunimet, si dhe një mori mizorish të kryera nga këto forca në tërë Kosovën. Shumë prej këtyre mizorive janë kryer nga serbët lokal, të cilët kanë jetuar afër shqiptarëve dhe i kanë njohur traditat, njerëzit dhe ngjarjet. Duke konsideruar se kishin motiv për hakmarrje, serbët zbrazën gjithë mllefin e tyre mbi njerëzit e pambrojtur. Prandaj, me ardhjen e NATO-s në Kosovë këta serbë të frikësuar për mundësinë e hakmarrjes së shqiptarëve, vendosën të ikin. Motivi i mbijetesës fizike dominoi motivin nacionalist, gjë që është e natyrshme në raste të tilla. Pa dashur të shpalosim faqe të historisë shqiptaro-serbe, por akumulimi i kaq shumë armiqësive pabesive dhe zbatimi i shfrenuar i dhunës, kanë krijuar bazë të fortë për dyshime se në këto treva është e mundur bashkëjetesa. Ndonëse kjo është e mundur vetëm nëse ata që e ushtruan këtë dhunë kërkojnë falje të sinqertë dhe zotohen se në të ardhmen do të pranojnë të bashkëjetojnë në fqinjësi duke respektuar vlerat reciproke të të dy popujve. Pa këtë është i zorshëm kthimi dhe pajtimi. Deklaratat fyese dhe me nuanca të forta të urrejtjes nacionale, e bëjnë edhe më të vështirë realizimin e misionit të Ministrit për Kthim.

Protesta si nevojë për mbijetesë dhe dorëheqja si akt moral
Protestat masive dhe rritja e pakënaqësive popullore janë tregues se situata e sigurisë në vend po përkeqësohet, gjë që krijon situata të pa parashikueshme. Kërkesat për dorëheqje apo shkarkim të Ministrit për Kthim nuk janë të orientuara ekskluzivisht kundër tij, por kundër politikës anti-Kosovë të “Listës serbe”. Fakti që përfaqësuesit e kësaj “Liste” nuk e fshehin orientimin e tyre në favor të Serbisë dhe kundër vendit që i paguan me paga të majme dhe me privilegje shtetërore, shton hidhërimin e popullsisë shumicë. Duket një lloj pafytyrësie apo dyfytyrësie e këtyre politikanëve, që diku tjetër ushqehen dhe dikujt tjetër i shërbejnë. Ky është një motiv më shumë për protestuesit. Në anën tjetër ata mund të konsiderohen të jenë në rregull me moralin e tyre, sepse flasin hapur, por shqetëson naiviteti politik i liderëve tanë institucional, të cilët me mendjelehtësi presin që “Lista” të reflektojë. Edhe në kushte pothuajse normale është shumë e vështirë të arrihen rezultate pozitive për pajtim e kthim, pa le në rrethana tensioni e pakënaqësie kaq të lartë popullore. Por, pakënaqësitë nuk vijnë vetëm nga “Lista”. Akumulimi i kaq shumë problemeve dhe rritja e varfërisë shtyjnë njerëzit që të ngrihen edhe kundër vetë shtetit të tyre, respektivisht klasës politike. Gjendja shumë lehtë mund të eskalojë me pasoja të dëmshme, prandaj edhe liderët opozitarë duhet të jenë të vëmendshëm në veprimet e tyre qytetare. Kuptohet se margjinalizimi i zërit opozitar nxit edhe ndërmarrjen e masave të tjera demokratike, për të imponuar vëmendje qytetare. Inferioriteti numerik do të tentohet të plotësohet në forma të ndryshme, natyrisht të lejuara në demokraci.

Kuptohet që largimi i ministrit Jabllanoviç nuk është motivi i vetëm dhe kryesor i të pakënaqurve dhe i të ofenduarve, mirëpo tërheqja e tij në këto momente i ndihmon vetë procesit të kthimit të personave të zhvendosur. Kjo për faktin se ministri Jabllanoviç do të përballet vazhdimisht me protesta popullore të familjarëve të të pagjeturve ngado nëpër Kosovë, sa herë që do të vizitojë ndonjë komunë të prekur nga tmerret e luftës. Nëse destabilizimi i Kosovës mbetet qëllim në vete i ministrit Jabllanoviç, atëherë ai do të mbetet aty dhe do të prodhojë kriza e pakënaqësi deri në fund të mandatit të tij ose të krejt Qeverisë aktuale të Republikës së Kosovës. Është në të mirën e tij, të misionit të tij dhe të popullit të Kosovës, pa dallim etnie, që Jabllanoviç të dorëhiqet dhe gjakrat të qetësohen sadopak.

Më Shumë

Hajnat futen në tri shtëpi në Rogovë, vjedhin mijëra euro dhe stoli ari

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur mbesin...

Haradinaj: Absurde të gjykohen çlirimtarët e të lihen të lirë kriminelët

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në nderim e kujtim të të rënëve në Celinë, Fortesë e...

Lajmet e Fundit