11.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Paratë janë me rëndësi

Ibrahim RexhepiIbrahim Rexhepi

Obligimet ndaj mërgimtarëve nuk përmbushen vetëm me rritjen e numrit të punëtorëve në sportelet e ofiqarive, apo me koncerte. Cilat janë detyrimet e Qeverisë së Kosovës ndaj emigracionit dhe mundësitë që i tërë vendi të përfitojë nga kapitali që ka mërgata?

Vera është stina më e përshtatshme për falënderime. Kjo edhe po u bëhet mërgimtarëve, të cilët gjatë këtyre muajve janë më të pranishëm në vendlindje. Organizohen takime e koncerte, rritet numri i sportelistëve, zgjatet orari i tyre i punës, policët kufitarë dhe doganierët janë më të kujdesshëm se sa ndaj kalimtarëve të tjerë… Kjo është mënyra tradicionale e pritjes dhe e përcjelljes së atyre që po mbajnë gjallë çerekun e amvisërive në Kosovë. Ata vijnë, bëjnë pak qejf nëpër Kosovë, lënë paratë dhe ikin. Mirëpo, është një listë e gjatë e gjërave që nuk dihen e nuk thuhet për mërgimtarët, por edhe e zgjidhjeve që duhet t’iu ofrohen atyre nëse duan të kthehen dhe në forma shumë më efikase të ndihmojnë vendin, e jo vetëm duke dërguar para, ndikimi i të cilave vërehet vetëm në rritjen e konsumit dhe të importit.
Ja disa prej tyre:
• Nuk ka ndonjë shifër të përafërt rreth numrit të kosovarëve që jetojnë jashtë vendit, të cilët për një kohë të gjatë trajtoheshin si “të punësuar të përkohshëm në botë”. Ndërkaq, atje po krijohet edhe gjenerata e tretë e të “përkohshmëve”. Kjo do të zgjidhej sikurse mërgimtarët të përfshiheshin në procesin e regjistrimit të popullatës.

• Mërgimtarët mund të priten me mirëseardhje dhe me buzëqeshje kur hyjnë në Kosovë, por fillimisht duhet të paguajnë për hyrje. Nga policat kufitare, vjet kompanitë e sigurimit kanë arkëtuar 22,6 milionë euro (nuk janë krejt të mërgimtarëve), ndërsa në emër të dëmeve kanë paguar 1,1 milionë euro. Fituan hiq më pak se 21,5 milionë euro. Qeveria e Kosovës dhe Byroja e Sigurimeve nuk janë mundur që të gjejnë ndonjë zgjidhje të përkohshme të këtij problemi. U dorëzuan para faktit se Kosova nuk është anëtare e Byrosë së Kartonit të Gjelbër, prandaj kushdo që vjen me makinë duhet të paguaj me kesh. Ka pasur mundësi të gjinden zgjidhje-kryesisht përmes formave të rimbursimit të kësaj pagese vetëm për ata që janë nga Kosova, por që jetojnë jashtë saj, me kusht që gjatë qëndrimit të mos kenë shkaktuar asnjë dëm në trafik;

• Rritja e numrit të sportelistëve, si edhe zgjatja e orarit të punës nuk është zgjidhja më e mirë, meqenëse, nëse bëhet fjalë për shërbime më efikase, këtë kënaqësi duhet ta kenë edhe qytetarët e vendit, madje përgjatë tërë vitit. Mërgimtarëve iu duhet një zgjidhje tjetër. Dokumentet ata duhet t’i marrin në vendin ku jetojnë, përkatësisht në përfaqësitë konsulare e diplomatike. Kosova tash është shtet dhe e ka këtë mundësi.

• Mërgimtarët vjet kanë dërguar 605 milionë euro. Kjo është shifra zyrtare që publikon BQK-ja, ndërsa ka gjasë që të jetë më e madhe, meqenëse ka edhe kanale të tjera të paidentifikuara prej nga paraja e tyre arrin në Kosovë. A janë shumë, apo pak ? Kjo është relative, por ato përbëjnë 12 për qind të të gjitha të mirave materiale shërbyese që krijon vendi gjatë një viti, janë gati tri herë më të larta se investimet e huaja direkte, dy herë më të larta se eksporti i përgjithshëm dhe gati aq sa janë edhe investimet kapitale që bën Qeveria e Kosovës për një vit. Kjo shumë e parasë nuk ka ndonjë ndikim të madh në nxitjen e zhvillimit ekonomik të vendit, meqenëse 90 për qind të tyre shpenzohen për mbulimin nevojave familjare për konsum të përditshëm, ndërsa vetëm 4 për qind shkojnë për investime. Prandaj, efektin e tyre kryesor duhet kërkuar diku tjetër- ato ndikuan që niveli i varfërisë të mos jetë edhe më i thellë.

• Ka zgjidhje edhe më të mira: Mërgimtarëve t’iu mundësohet që të sjellin pajisje dhe makineri pa pasur ngarkesa fiskale; të gëzojnë përparësi që të vendosen në zona ekonomike e parqe industriale pa pasur obligim kompensimi për tokën dhe për rrjetin shërbimeve publike, nëse programet e tyre përputhen me konceptin e këtyre hapësirave; të gëzojnë pushime tatimore, kurse niveli dhe kohëzgjatja e tyre të ndërlidhet me shumën investimeve dhe numrin të punësuarve; në projekte që përputhen me konceptin strategjik të vendit, qeveria të participojë në investime, së paku duke subvencionuar vendet e punës.

Pra, mundësitë dhe përfitimet janë të mëdha. Posaçërisht kur dihet se mërgimtarët kanë kursime mjaft të mëdha, një gjeneratë e tërë ka arritur të arsimohet dhe të aftësohet në vendet me shkallë të lartë të zhvillimit dhe me një nivel të lartë të kulturës së punës. Por, këtë nivel duhet ta kenë edhe ata që kanë përgjegjësi të gjejnë format që kapitali i mërgatës të futet në funksion të zhvillimit, të rritjes së punësimit dhe të begatisë së përgjithshme. /Tribuna/

Më Shumë

I shkaktuan vazhdimisht dhunë psikike – viktima nga Malisheva përfundon në QKUK

Një grua nga Malisheva ka përfunduar për trajtim mjekësor në QKUK, si pasojë e ushtrimit të dhunës psikike ndaj saj nga dy persona. Rasti ka...

Ndërron jetë veterani i arsimit prof. Sahit Sahitaj

Ndërroi jetë veterani i arsimit Prof. Sahit Sahitaj, njeriu që kontribuoi në arsimim të brezave të shumtë. I ndjeri ka qenë i padeshiruar për ish...

Lajmet e Fundit