Partia Konservatore e Kosovës(PK) kërkon që Ramadan Muja të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të Prizrenit.
Kryetari i PK-së, Munir Basha tha se subjekti i tij politik ndan brengën e qytetarëve të Prizrenit për dilentatizmin politik të Ramadan Mujës dhe garniturës së tij politike.
“Partia Konservatore e Kosovës ndan brengën dhe shqetësimet e qytetarëve të Prizrenit dhe të shoqërisë civile për deklarimet e kryetarit të dënuar të Prizrenit për shpërdorimin e detyrës zyrtare, se ai nuk do ofrojë dorëheqjen e tij dhe se do të vazhdojë të mbajë postin e kryetarit të Prizrenit pa marrë parasysh faktin se ai është shpallur fajtor”, tha Basha.
“Në një shoqëri demokratike është e zakonshme që të ofrohet dorëheqja kur ngrihet aktakuza për shpërdorimin e detyrës zyrtare kundër një personit që mban një post të rëndësishëm publik apo udhëheqës edhe para se të shpallet fajtor”.
“Ndërsa në këtë rast është e paimagjinueshme, e pamoralshme dhe e pakuptueshme se si një kryetar i një qyteti që është zgjedhur me votën e lirë, edhe pas shpalljes si fajtor nga gjykata kompetente vazhdon të qëndrojë dhe ta mbaj postin e tij në Prizren”.
“Me këtë dëshmohet se krimi i organizuar ka kapluar të gjitha instancat e qeverisjes lokale në Prizren dhe se udhëheqësit komunal nuk mërziten për ligjshmëri dhe përforcimin e qeverisjes lokale, por vetëm se si të vazhdojnë që qëndrojnë në poste udhëheqëse për tu pasuruar edhe më tej, duke sfiduar edhe gjyqësorin”.
“Kjo tregon që demokracia nuk ka filluar ende të funksionoj në Kosovë pasi që qeveritarët mendojnë se ata janë të paprekshëm edhe nëse shpallen fajtor. Me këtë luajnë me fatin dhe i përqeshin qytetarët e Kosovës, sovranin e vetëm që vendos se kush duhet të udhëheq me fatin e tyre”.
“Partia Konservatore e Kosovës nuk është vetëm për largimin e Ramadan Mujës nga posti i tij, por edhe kundër riciklimit të politikanëve të njëjtë që nuk kanë sjellë asgjë të dobishme për Prizrenin”.
“Partia Konservatore e Kosovës është për ndryshime politike dhe për vendosjen e një qeverisjeje të ndershme demokratike ku ka për synim interesat dhe mirëqenien e qytetarit”.
“Partia Konservatore e Kosovës angazhohet për forcimin e institucioneve shtetërore demokratike, për përforcimin e shtetit ligjor duke i respektuar vendimet e gjyqësorit dhe proceset gjyqësore pa ndërhyrje politike nga jashtë, për një shtet ku secili qytetar ndihet i barabartë me të tjerët, ku ka ndarje të qartë në mes të ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit”/PrizrenPress.com/