22.9 C
Prizren
E hënë, 9 Qershor, 2025

Pasanikët e drejtësisë të tregojnë si i bënë milionat

Pasuria marramendëse e disa prej gjyqtarëve e prokurorëve i tejkalon të gjitha mundësitë reale që mund t’i kenë ata nëpërmes një punës që kanë dhe të hyrave të tyre. Kështu të paktën kanë vlerë- suar njohësit e kësaj fushe, por edhe opozitarët e vendit, derisa kanë thënë se ky është një tregues i qartë se ata janë pjesë e përfitimeve të paligjshme dhe se për momentin nuk pritet që të ndryshojë diçka në këtë aspekt. Ndaj, në këtë drejtim është shtuar edhe dilema se si shpjegohet tërë ajo pasuri milionëshe e deklaruar në Agjencinë Antikorrupsion, nga një pjesë e prokurorëve dhe gjyqtarëve, dhe e cila padyshim se nuk mund të arrihet vetëm përmes pagave mesatare që ata marrin?

Profesori Mazllum Baraliu, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se është i bindur se i gjithë personeli më profesional i lartë i Gjyqësorit, që janë gjyqtarët, prokurorët, administratorët e gjykatave dhe të gjithë bartësit e funksioneve në sistemin e drejtësisë, janë të vetëdijshëm për obligimet e tyre ligjore të paraqitjes së të ardhurave, të hyrave dhe pasurisë përgjithësisht, dhe po ashtu janë të vetëdijshëm për Ligjin mbi konfliktin e interesit, por, siç tha, nëse eventualisht ka raste të tilla, që nuk i paraqesin realisht të hyrat e tyre ose në forma të ndryshme e tjetërsojnë përmes titullarizimit të pronës së tyre të tjerë persona fizikë ose juridik që të paraqiten si bartës apo titullarë të pronave të dikujt tjetër, atëherë kjo është çështje e përgjegjësisë dhe çështje e rrezikshmërisë së lartë që i nënshtrohen personat e tillë

Ligji favorizon konfliktin e interesit

Baraliu shpreson që në kuadër të Gjyqësorit dhe të drejtësisë të mos ketë të tillë, sepse ata janë të vetëdijshëm plotësisht ose duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm për pasojat juridike të moskryerjes së obligimeve ligjore.

“Sepse, është një maksimë latine që thjesht na tërheq vërejtjen dhe thotë se mosrespektimi i ligjeve nuk e fal askënd, prandaj prapë po them se nuk dua të besoj se ka raste të tilla, por nëse ka sigurisht se ato do të duhej trajtuar nga Agjencia kundër Korrupsionit dhe institucionet e tjera ligjzbatuese”, ka vijuar më tej ai. Baraliu ka shtuar se në këtë aspekt është edhe një çështje tjetër, që Ligji për konfliktin e interesit nuk është sa duhet, pikërisht sa i përket kësaj çështje të pasurisë dhe të ushtrimit të funksioneve të njerëzve, përgjegjës në sistemin e drejtësisë, por edhe në institucionet e tjetra, në hallkat e tjera të pushtetit shtetëror. Sipas tij, ligji lejon në një mënyrë apo tjetër, përveç funksionit të gjyqtarit, kryetarit të gjykatës, prokurorit, të kryeprokurorit, etj. të ushtrohen edhe funksione të tjera profesionale, gjegjësisht edhe mësimdhënia.

Dënimet e buta të gjykatave

Avokati Nikë Shala thotë se secili gjyqtar e prokuror, si zyrtarë të lartë publikë janë të obliguar që çdo vit ta paraqesin me kohë dhe saktësi pasurinë, të cilën e kanë realizuar si bartës të funksioneve të ndryshme, derisa në të kundërtën, Shala ka theksuar se mosraportimi apo raportimi i rremë i të ardhurave paraqet vepër penale e paraparë sipas nenit, 437 të Kodit Penal, dhe kryesi i kësaj vepre penale mund të dënohet me dënim me gjobë apo edhe burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet. Tutje në këtë drejtim, Shala ka nënvizuar se çdo deklarim i pasurisë duhet të jetë real dhe objektiv, përndryshe, sipas tij, secili duhet të ballafaqohet me drejtësinë dhe në rast se vërtetohet fajësia edhe duhet të ndëshkohet me sanksione penale.

“Mirëpo, që të dëshmohet kjo organet kompetente të ndjekjes janë të detyruara që në mënyrë profesionale dhe me prova materiale ta argumentojnë nëse pasuria që e posedojnë gjyqtarët dhe prokurorët është në përputhje me të ardhurat e tyre mujore dhe atë nëse nga ato të ardhura mujore kanë mundur që ta krijojnë pasurinë që e posedojnë”, vijoi më tutje ai. “Shumë lëndë janë proceduar në prokurori dhe gjykatë, mirëpo në këtë drejtim vërejmë një mosefikasitet, por edhe neglizhencë për t’i ndëshkuar zyrtarët e lartë publikë, të cilët kanë përfituar pasuri që dyshohet në mënyrë të kundërligjshme ose ato lëndë të cilat gjykohen dënimet janë shumë të buta me çka as nuk arrihet qëllimi i dënimit që bie ndesh me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar për gazetën “Kosova Sot” avokati Nikë Shala.

Më Shumë

Sot nxehtë, temperaturat deri në 33 gradë

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. IHK njofton se temperaturat minimale do...

Ndërroi jetë Erdal Tumba, i cili pësoi lëndime të rënda trupore në aksidentin në fshatin Pousko

25-vjeçari Erdal Tumba, i cili kishte pësuar lëndime të rënda trupore në një aksident trafiku së bashku me miqtë e tij më 18 maj,...

Lajmet e Fundit