9.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

PDK e fton Bajram Rexhepin: Bëhu burrë e fol me emra!

BajramRexhepi-ministerBajram Rexhepi le t’i drejtohet organeve të drejtësisë nëse ka emra që kanë provuar të ndikojnë në tenderët e Ministrisë së Brendshme. Këtë e thonë edhe përfaqësues të shoqërisë civile. Rexhepi mbrëmë ka thënë se ka mundësi që votat e tij “janë avulluar rrugës”, pasi që sipas tij, ai nuk ka qenë pjesë e strukturës së partisë dhe grupeve të caktuara të njerëzve, dhe nuk ka lejuar njerëz të caktuar që të përzihen në tenderë.

Zyrtarë të lartë të PDK-së i kanë bërë thirrje ministrit në largim të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, që t’i drejtohet prokurorisë nëse ka dëshmi se “njerëz të caktuar kanë tentuar të përzihen në tenderë të lëshuar nga kjo ministri”.

Bajram Rexhepi, i cili është edhe anëtar i kryesisë së PDK-së, të mërkurën në një intervistë për KTV, tha se ka mundësi që votat e tij janë avulluar rrugës pasi që, siç ka thënë ai, është i bindur se qytetarët e kanë votuar atë.

Rezultatet e zgjedhjeve kanë treguar se Bajram Rexhepi, një nga figurat kryesore të PDK-së, ka mbetur jashtë përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës.

“Ka qenë fushatë e egër kundër Bajram Rexhepit edhe nga strukturat e partisë, edhe nga individë të caktuar, pse nuk jam pjesë e grupeve të caktuara dhe nuk kam lejuar të përzihen në tenderë”, qe shprehur Rexhepi në këtë intervistë.

“Ka pasur tendenca për linçime politike, por unë jam i pathyeshëm”, tha ai.

Por, kolegët e Rexhepit nga partia e tij dhe përfaqësues të shoqërisë civile thonë se nëse ai ka argumente le t’i drejtohet organeve të drejtësisë.

“Kur të thuhet diçka dhe kur të akuzohet dikush, duhet mbi bazën e argumentit dhe nëse ka argumente. Absolutisht, unë çdo njërit e jo vetëm Bajramit (Rexhepit) i kisha preferuar që t’i drejtohet organeve të drejtësisë”, tha për Gazetën Jeta në Kosovë, Adem Grabovci nga PDK-ja.

Kurse, sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati thotë se Rexhepi duhet t’i bëjë publikë emrat e atyre që po pretendon Rexhepi që nuk i ka lejuar të përzihen në tenderë.

“Nuk kam koment se nuk e di. Sikur ta di, sigurisht se do ta bëja publike. Por nëse është ashtu, ai do të duhej t’i bënte publike këto”, tha Musmurati.

Nga ana tjetër, Petrit Zogaj nga Lëvizja Fol thotë se ministri Rexhepi do të duhej të dërgonte informata në Prokurori, në rast të ndërprerjeve të tenderëve, e jo për pritur zgjedhjet dhe vjedhjen eventuale të votave të tij.

Sa i përket deklarimit të Rexhepit se ka mundësi që votat e tyre “janë avulluar rrugës”, zyrtarë të PDK-së thonë se nuk duan të komentojnë deklaratat e tij.

“Unë nuk jam për të komentuar deklaratat e dikujt, në rastin konkret as të kolegut tim Bajram Rexhepi. Ai më së miri i din arsyet lidhur me deklaratat e tij”, tha Grabovci.

Sipas Grabovcit, zgjedhjet e 8 qershorit ishin “të mira dhe të rregullta”.

“Kosova ka dhënë një provim shumë të rëndësishëm, ka dëshmuar vlerat e veta institucionale, përgatitjen e institucioneve të veta për të menaxhuar veten”, tha Grabovci.

Ndërsa për Basri Musmuratin, deklaratat e Rexhepit nuk dallojnë nga ato të shumë kandidatëve që nuk arrijnë të sigurojnë vota të mjaftueshme për të hyrë në Kuvend.

Ai mendon se deklaratat e tilla “duhet të merren krejt normale”.

“Është një problem te të gjithë kandidatët për deputetë, jo vetëm të PDK-së, por edhe të partive tjera të cilët kanë hyrë në garë për të fituar dhe kanë llogaritur se do të marrin numër të madh të votave dhe kur ju del numri më i vogël, mund të kenë arsye e vërejtje të ndryshme”, tha Musmurati.

Ai tha se në bazë të Ligjit për Zgjedhje dhe Rregulloreve të KQZ-së, secili person i cili mendon se votat e tij janë vjedhur, ai mund të bëjë ankesë në organet kompetente.

Por ai nuk ka informata nëse dikush nga të pakënaqurit në PDK ta ketë bërë këtë.

“Deri më tash asnjë kandidat i subjektit tonë politik nuk ka bërë ndonjë ankesë zyrtare në KQZ, andaj për këto që flasin njerëzit për rrejte sociale dhe nëpër gazeta nuk e kam ndërmend të merrem”, shtoi Musmurati.

Bajram Rexhepi, me profesion kirurg, kishte filluar karrierën politike menjëherë pas luftës, duke u emëruar kryetar i komunës së Mitrovicës.

Në vitin 2002, ai u zgjodh kryeministër i Kosovës në qeverinë e koalicionit të madh LDK-PDK-AAK.

Nga viti 2007- 2009 ai u zgjodh kryetar i Komunës së Mitrovicës, ndërsa në vitin 2010 u emërua Ministër i Punëve të Brendshme./GJNK/

Më Shumë

Hapet konkursi për Kryeshef Ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike “Hidroregjioni Jugor” në Prizren

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” SH.A. ka shpallur një konkurs publik për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv. Kjo pozitë ka përgjegjësi të rëndësishme në menaxhim...

Kosova merr Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror në Bienale të Venecias

Doruntina Kastrati dhe instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” u nderua me “Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror” në ceremoninë e edicionin...

Lajmet e Fundit