15.9 C
Prizren
E hënë, 28 Prill, 2025

Përfundon gjykimi ndaj zyrtarëve të Komunës së Prizrenit

3 prilli është caktuar dita kur do të shpallet aktgjykimi ndaj zyrtarëve të Komunës së Prizrenit, Nexhmedin Musliu dhe Refki Musbeg, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Gjatë seancë së fundit të mbajtur të premten në Gjykatën Themelore në Prizren, palët në procedurë kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare. Me këtë rast prokurori Metush Biraj ka qëndruar pranë aktakuzës duke thënë se gjatë seancave të këtij gjykimi, me provat që janë administruar dhe deklartatat e dëshmitarëve, është dëshmuar se të akuzuarit janë fajtorë. Biraj ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Nexhmedin Musliu, avokati Brahim Sopa, në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se asnjë nga provat e administruara në këtë gjykim, nuk dëshmon se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet. Sopa tutje ka thënë se kualifikimi juridik për këtë vepër penale është jo i saktë sepse mungojnë elementet esenciale si përfitimi material për vete apo tjetrin dhe dëmi i shkaktur ndaj tjetrit. Andaj ai ka kërkuar që klienti i tij të lirohet nga akuza në mungesë të provave.

Poashtu edhe avokati Bashkim Nevzati ka kërkuar lirimin e klientit të tij, Refki Musbeg, nga akuza, me arsyetimin se nuk është provuar se ai është fajtor për veprën e keqpërdorimit të pozitës zyrtare. Nevzati ka thënë se objekti që është rrëzuar nuk figuron në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore, vetë komuna e ka urdhëruar pronarin që ta rrëzojë atë objekt në afat prej 15 ditësh ose do të pasonte rrëzimi i dhunshëm nga komuna dhe pronari do të gjobitej.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Ajser Skenderi, ka shpallur të përfunduar këtë gjykim ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 3 prill, ora 13:15.

Sipas aktakuzës, Nexhmedin Musliu, në cilësinë e Inspektorit Komunal për ndërtim, pasi ka dalë në vendngjarje, nuk ka ndaluar rrënimin e objektit të trashëgimisë kulturore “Hani i Mullafazlive”, por vetëm ka urdhëruar që të hiqen mbetjet nga rrënimi i tij.

Ndërsa, Refki Musbegu, ngarkohet se duke qenë bashkëpunëtor profesional në Drejtorinë e Urbanizmit të Komunës së Prizrenit, nuk i është përgjigjur kërkesë për leje-rrënim të objektit “Hani i Mullafazlive” të parashtruar nga familja Mullafazliu, me ç’rast, pronari i ri ka vepruar duke rrëzuar objektin në fjalë.

Sipas organit të akuzës, të akuzuarit me veprimet apo mosveprimet e tyre, kanë dëmtuar kujtesën kolektive, trashëgiminë kulturore e arkitektonike të qytetit të Prizrenit./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Përkujtohen dëshmorët në Bukosh dhe Dragaqinë

Në fshatin Bukosh dhe në Dragaqinë të Komunës së Suharekës u mbajtën sot aktivitete përkujtimore kushtuar dëshmorëve që ranë për lirinë e vendit. Me...

A do të zgjidhen sot kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit?

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot për të pestën herë në përpjekje për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët. Në seancën...

Lajmet e Fundit