Në Bulevardin e Hollivudit po shtrohet tapeti i kuq në përgatitje për Çmimet Oskar që zhvillohen këtë të dielë në mbrëmje. Çmimet e përvitshme për arritjet më të mira të kinematografisë tërheqin vëmendjen e mbarë globit mbi Hollivudin:
Punëtorët po përgatisin Teatrin Dolby, ku do të mblidhen këtë të dielë emrat më të njohur të Hollivudit për Çmimet e Akademisë së Filmit dhe Shkencës. Ky aktivitet tërheq vëmendje të madhe nga media, po ashtu edhe nga vizitorë të ndryshëm. Theo Agiannnis nga Australia ka një numër pyetjesh:
“Kush do të fitojë, kush humbet? Ne në Australi jemi të apasionuar pas filmave”.
Çmimet Oskar ndahen në 24 kategori, që përfshijnë ndër të tjera çmime për aktorë, regjisorë, efekte vizuale e trukun.
Por Çmimet e Akademisë janë edhe një spektakël mode. Tiffany Brue nga Luiziana është më e interesuar në këtë pikë:
“Si do të vishen njerëzit, çfarë stili do të zgjedhin aktorët”?
Të dielën dizenjatorë të njohur prezantojnë punimet e tyre. Edhe kjo lagje e Los Anxhelosit që prej dekadash ka qenë e lidhur me filmin prezanton vetveten. Përballë teatrit ku do të ndahen Çmimet Oskar, Muzeu i Hollivudit do të presë vizitorë në një ndërtesë që dikur ishte studioja e makiazhistit Max Factor. Yje të njohur si Judy Garland apo Marilyn Monroe bënin frizurën dhe tualetin në këtë studio. Tani në muze ekspozohen relike të Hollivudit, përfshirë sandalet e kuqe që Judy Garland kishte veshur në filmin e njohur Wizard of Oz si dhe një fustan që veshi aktorja Barbara Stanwyck gjatë ceremonisë Oskar, vite më parë.
Themeluesja Donelle Dadigan thotë se çmimet e para Oskar u zhvilluan në 1929.
“Jemi në qendër të aktivitetit argëtues dhe turistik gjatë gjithë vitit. Por ky aktivitet arrin kulmin ditën e Çmimeve Oskar, në fakt gjatë gjithë javës para së dielës së Çmimeve”.
Ndërkohë që puna përgatitore po i afrohet fundit, adhuruesit përgatiten për mbrëmjen e madhe, përfshirë studentë dhe pedagogë të Universitetit Shtetëror të Kalifornisë në Los Anxhelos.
Suzanne Regan është pedagoge e kinematografisë dhe televizionit:
“Të gjithë e presin këtë ditë. Është gjithashtu një mënyrë për të vendosur se cilët filma do të zgjedhësh për të parë në kinema”.
Kjo ditë është e rëndësishme edhe për studiot kinematografike që shpresojnë të rrisin fitimet, si dhe për aktorët që shpresojnë të marrin statujën e lakmuar.
Komediania Ellen DeGeneres është prezantuesja e ceremonisë së sivjetshme. Adhuruesit do të mbushin rrugët që të dielën në mëngjes. Dhjetëra miliona vetë në Shtetet e Bashkuara dhe qindra miliona të tjerë në botë do ta ndjekin ceremoninë përmes televizorit.