19.8 C
Prizren
E mërkurë, 8 Maj, 2024

Pesë vjet pas përgatitjes – hapi i parë për botimin e veprave të Çettës

Pesë vjet pasi veprat e Anton Çettës ishin të gatshme për botim, është bërë hapi që do t’i dërgojë ato në shtyp. Me 42 mijë euro të parapara, Ministria e Arsimit synon të botojë një komplet prej 13 veprash. Prej tyre, 10 janë të punës që ka bërë mbledhësi i folklorit në terren, e tri të tjera përmbledhin vlerësime për të, tekste për Lëvizjen e Pajtimit të Gjaqeve dhe intervista e letërkëmbime të Çettës.

Veprat janë përgatitur për botim nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Sipas konkursit publik për shtypjen e tyre, i hapur në fund të muajit të kaluar e që do të mbyllet në ditën e 25-të të këtij muaji, veprat do të kenë lidhje të fortë e shkrimi në kopertina do të jetë me ngjyrë ari.

Çetta, i lindur më 3 janar 1920 në Gjakovë, njihet si një prej mbledhësve më të zotë të folklorit në Kosovë. Profesori universitar e studiuesi që është prej themeluesve të Institutit Albanologjik të Prishtinës, gjatë veprimtarisë së tij kishte shkelur anembanë vendin në kërkim të shenjave kulturore.

“Krijime poetike për fëmijë në prehër të gjyshes – Vjeti gazmuer”, “Nga folklori ynë I – Përralla e gojëdhëna”, “Nga folklori ynë II – Kallëzime dhe përrallëza”, “Nga folklori ynë III – Pleqni dhe tregime etnografike”, “Nga folklori ynë IV” dhe V, dy vëllime me “Kërkime folklorike”, “Balada dhe legjenda”, “Këngë kreshnike I” dhe “Materiale të ndryshme ‘Varia’” janë veprat e Çettës që pritet të botohen. Kompletit, sipas konkursit të Ministrisë së Arsimit, do t’i shtohen edhe “Të tjerët për veprën e Anton Çettës”, “Anton Çetta dhe aksioni i pajtimit të gjaqeve” dhe “Intervista dhe letërkëmbime”.

Drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi, ka thënë se deri tash nuk ka pasur buxhet për t’i shtypur ato. Ka shpjeguar si i kanë kërkuar Ministrisë së Arsimit që pos ndarjes së buxhetit, ky institucion të zhvillojë edhe procedurat e prokurimit.

“Sivjet janë ndarë mjete të veçanta dhe ne menjëherë i kemi marrë hapat”, ka thënë ai. Ka vlerësuar se bëhet fjalë për një komplet veprash që përfaqëson një vlerë të veçantë.

Studiuesja e folklorit që udhëheq me Degën e Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Arbnora Dushi, ka thënë se ideja për ribotimin e blejve të folklorit, të 28 vëllimeve me tekste të zhanreve të ndryshme gojore, të cilat u punuan dhe u botuan në Institutin Albanologjik brenda një periudhe mbi tri dekada, ka vite që është diskutuar. Ka thënë se mbledhja, transkriptimi dhe botimi i këtyre blejve, që kishte qenë projekt i iniciuar dhe i udhëhequr nga profesor Anton Çetta, konsiderohet projekt kapital dhe njëkohësisht bazament i folkloristikës shqiptare në Kosovë, mbi të cilin është ndërtuar më pas zhvillimi i shkencës së folklorit. Pas idesë që të botohej kompleti i Çettës ishin bërë bashkë anëtarët e Degës së Folklorit dhe ish-punonjësit e kësaj dege.

“Bashkë e konceptuam ndarjen e vëllimeve, bazuar në materialet që kishim, duke arritur kështu që të siguronim 13 vëllime që përfshinin tërë korpusin e veprës së tij në folkloristikë, punën e tij si shkrimtar, përkthimet, intervistat, letërkëmbimet me vëllimin e fundit në kontributin e Anton Çettës në Aksionin e Pajtimit të Gjaqeve, si dhe e formuam Redaksinë e botimit”, ka thënë Dushi.

Ajo ka treguar se për materialet e tjera të profesorit që duhej të ribotoheshin, por edhe të tjera që nuk ishin të botuara më parë, u angazhuan punonjësit e tanishëm në Degën e Folklorit e të Institutit duke bashkëpunuar ngushtë me vajzat e Çettës, të cilat edhe mbanin barrën kryesore për sigurimin e dorëshkrimeve, letërkëmbimeve, intervistave, fotografive e shumë materialeve nga arkivi familjar./KOHA/

Më Shumë

“Guraziu” në Prizren, me 20 vjet përvojë pune në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes

Ndërmarrja “Guraziu” është specializuar në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes. Pronari, Arton Guraziu, ka një përvojë prej 20 vjetësh. Adresa e...

Plagoset aksidentalisht një person në Xërxë të Rahovecit

Një person është arrestuar pasi dyshohet se e ka plagosur aksidentalisht me armë zjarri një person tjetër. “SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM- Xërxë, Rahovec /...

Lajmet e Fundit