Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i PDK-së, Hashim Thaçi, ka këmbëngulur se, sipas Kushtetutës dhe zgjedhjeve të 8 qershorit, shumica e vetme e njohur ligjërisht është ajo e PDK-së dhe partive të koalicionit parazgjedhor. Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Thaçi ka thënë se mënyra e vetme për ta tejkaluar sfidën e konstituimit të Kuvendit është që më 12 shtator kandidati i PDK-së ta marrë postin e kryetarit të Kuvendit dhe më pas të vazhdohet me procedura të tjera. Ai ka bërë me dije se bllokada politike mund të përfundojë që nesër nëse të gjithë aktorët politikë fillojnë ta respektojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. “PDK-ja si parti shtetformuese ka punuar gjithnjë konform rregullave parlamentare, kornizës ligjore dhe afateve kushtetuese. Në asnjë moment nuk kemi ofenduar, nuk kemi bërë politikë personale dhe nuk kemi shantazhuar shtetin me kapriçe apo inate personale”, është shprehur Thaçi, duke shtuar se Kosova ka mundur t’i ketë edhe kryekuvendarin, edhe qeverinë që tani po të mos ishte një marrëveshje politike bllokuese dhe jokushtetuese midis palëve që kanë humbur zgjedhjet.
Ai ka thënë se blloku LDK-AAK-Nisma e ka të qartë se ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës nuk e lejojnë realizimin e skenarit të tyre. “Mendoj se më 12 shtator kandidati i PDK-së duhet ta marrë postin e kryetarit të parlamentit me shumicë votash dhe në përputhje me Kushtetutën. Kjo është mënyra e vetme për ta tejkaluar sfidën e parë, atë të konstituimit të parlamentit dhe organeve të tij. Rrugë tjetër ligjore dhe kushtetuese nuk ka, ndërsa është çështje tjetër që liderët e bllokut vazhdojnë t’ia bëjnë qefin njëri-tjetrit se ata do ta marrin situatën në dorën e tyre me rrugë të tjera”, ka thënë Thaçi.
Pas zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe kryesisë së Kuvendit, lideri i PDK-së ka deklaruar se duhet të vazhdohet me zgjedhjen e qeverisë së re, e cila, sipas tij, duhet të ketë përfaqësim sa më të gjerë politik. “Përfaqësimi sa ma i gjerë politik në qeverinë e ardhshme është synim i natyrshëm sepse Kosova në këto momente ka nevojë për bashkim e jo për ndarje të nxitura nga egot e liderëve politikë”, është shprehur ai.
Thaçi ka bërë me dije se nuk do të heqë dorë nga posti i kryeministrit. “Kjo çështje është adresuar përpara fillimit të fushatës elektorale dhe elektoratit të PDK-së, por edhe shumë qytetarë të partive të tjera më kanë ngarkuar me përgjegjësinë për ta udhëhequr vendin në fazën e ardhshme zhvillimore. Vota e tyre me obligon dhe unë duhet ta bëj një gjë të tillë”, ka deklaruar Thaçi.
Në këtë intervistë kryeministri ka folur edhe për arrestimet e të dyshuarve për ekstremizëm. Thaçi ka thënë se ky fenomen nuk lidhet me një produkt vendor, por më shumë me ndikimin e organizatave të huaja të dyshimta apo infiltrimin e propagandës fondamentaliste nëpërmjet rrjeteve sociale dhe teknologjisë së komunikacionit. “Çdo përpjekje për t’i instrumentalizuar këto arrestime apo për të përfituar politikisht prej kësaj çështje delikate është një papërgjegjshmëri e vërtetë dhe shkon ndesh me interesat tona shtetërore”, ka vlerësuar Thaçi, duke shtuar se shteti i Kosovës nuk do të tregojë asnjë mëshirë ndaj atyre që rrezikojnë idealet evropiane të shumicës absolute të kosovarëve. “Mbi 90 % të kosovarëve janë deklaruar si myslimanë, por të gjitha sondazhet flasin se mbi 90 % të kosovarëve e duan edhe Amerikën dhe Evropën dhe kjo është një shumicë absolute e moderuar që synon idealet e lirive individuale, që synon një shtet sekular, ku feja është çështje personale dhe nuk përzihet në punë shteti”, ka thënë Thaçi.
“Epoka e re”: Zoti kryeministër, kanë kaluar disa muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve nacionale të 8 qershorit dhe Kosova nuk është më afër krijimit të institucioneve të reja? Edhe sa kohë parashihni të zgjasë ky ngërç politik?
Thaçi: Bllokada politike mund të përfundojë që nesër nëse të gjithë akterët politikë fillojnë ta respektojnë rezultatin e zgjedhjeve që nxori një platformë dhe një program fitues, mbi të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese. PDK-ja si parti shtetformuese ka punuar gjithnjë konform rregullave parlamentare, kornizës ligjore dhe afateve kushtetuese. Në asnjë moment nuk kemi ofenduar, nuk kemi bërë politikë personale dhe nuk kemi shantazhuar shtetin me kapriçe apo inate personale. Edhe kur kemi humbur në zgjedhje, edhe kur kemi fituar jemi sjellë në mënyrë të dinjitetshme dhe gjithmonë kemi qenë të hapur të bashkëpunojmë për të mirën e vendit. Fatkeqësisht, deri më tani, këto premisa nuk po i shohim te blloku i krijuar pas zgjedhjeve nga humbësit. Uroj që deri më 12 shtator, kur është thirrur vazhdimi i seancës së ndërprerë, të kemi më shumë reflektim pozitiv nga opozita për nevojën e Kosovës që nuk lidhet me emra konkretë, por me program ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës.
“Epoka e re”: Opozita thotë se i ka 83 deputetë, ndërsa ju akuzojnë juve se po e bllokoni gjendjen?
Thaçi: Fillimisht, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas zgjedhjeve të 8 qershorit, shumica e vetme e njohur ligjërisht është ajo e PDK-së dhe partive të koalicionit parazgjedhor. Kjo është momentalisht shumica parlamentare dhe grupi më i madh parlamentar. Nuk është e vërtetë se 83 deputetë janë në një bllok, ndërsa 37 në një bllok tjetër. Kjo është thjesht një keqlexim i qëllimshëm i numrave të një seance të dështuar dhe jokushtetuese. Kosova ka sistem proporcional që mundëson edhe përfaqësim të grupeve më të vogla, njëkohësisht ka edhe mekanizma për të siguruar që fituesi i zgjedhjeve ta qeverisë vendin për një mandat. Edhe Gjykata Kushtetuese e ka konfirmuar këtë interpretim, por ja që nganjëherë në Kosovë inati thjesht tejkalon edhe argumentet racionale politike.
“Epoka e re”: A do ta ketë Kosova kryekuvendarin më 12 shtator?
Thaçi: Kosova ka mundur t’i ketë kryekuvendarin dhe qeverinë që tani po të mos ishte një marrëveshje politike bllokuese dhe jokushtetuese midis palëve që kanë humbur zgjedhjet. Blloku e ka të qartë se ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës nuk ia lejojnë bllokut realizimin e skenarit të vet. Prandaj mendoj se më 12 shtator kandidati i PDK-së duhet ta marrë postin e kryetarit të parlamentit me shumicë votash dhe në përputhje me Kushtetutën. Kjo është mënyra e vetme për ta tejkaluar sfidën e parë, atë të konstituimit të parlamentit dhe organeve të tij. Rrugë tjetër ligjore dhe kushtetuese nuk ka, ndërsa është çështje tjetër që liderët e bllokut vazhdojnë t’ia bëjnë qefin njëri-tjetrit se ata do ta marrin situatën në dorën e tyre me rrugë të tjera.
“Epoka e re”: Çfarë hapash priten?
Thaçi: Shkojmë në formim të qeverisë sipas nominimit të presidentes Jahjaga. Nuk ka dilemë se qeverisjen e PDK-së e dëshiroi votuesi kosovar dhe koalicioni i ardhshëm qeverisës modeomos duhet t’u kthehet prioriteteve urgjente të Kosovës që janë: ekonomia, integrimet evropiane, dialogu me fqinjë, përfundimi i themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, themelimi i Gjykatës Speciale si dhe një mori veprimesh të tjera që kërkojnë një konsensus të gjerë shoqëror dhe politik. Përfaqësimi sa më i gjerë politik në qeverinë e ardhshme është synim i natyrshëm sepse Kosova në këto momente ka nevojë për bashkim, jo për ndarje të nxitura nga egot e liderëve politikë.
“Epoka e re”: Dhe ju doni të jeni kandidat i PDK-së për kryeministër?
Thaçi: Kjo çështje është adresuar përpara fillimit të fushatës elektorale dhe elektorati i PDK-së, por edhe shumë qytetarë të partive të tjera më kanë ngarkuar me përgjegjësinë për ta udhëhequr vendin në fazën e ardhshme zhvillimore. Vota e tyre më obligon dhe unë duhet ta bëj një gjë të tillë, jo për faktin se nuk i kam përmbushur ambiciet politike deri më tani. Përkundrazi, së bashku me të tjerët kam udhëhequr politikisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila konsiderohet forca guerile më e suksesshme në historinë moderne evropiane. Kemi udhëhequr procesin e pavarësimit të vendit tonë dhe, përkundër krizës financiare që goditi tërë botën në gjashtë vjetët e fundit, kemi arritur edhe të fillojmë projekte zhvillimore dhe të shënojmë rritje ekonomike gjatë dy mandateve. Pakkush ka besuar se votuesit do të na shpërblejnë me mandat të tretë dhe kur sovrani foli më 8 qershor, ai e përcaktoi edhe partinë fituese si dhe programin fitues, Misioni i Ri. Zgjedhjet nuk u mbajtën as për mua personalisht e as për liderët e opozitës, ato u mbajtën që të ketë garë idesh dhe programi më i votuar të jetë platforma qeverisëse për katër vjetët e ardhshëm.
“Epoka e re”: A do ta pranoni ndonjë kandidat tjetër nga opozita për pozitën e kryeministrit, sidomos nëse nuk i bëni votat në tentimin e parë?
Thaçi: Do t’i bëjmë votat që në tentimin e parë. Për këtë nuk kam dyshim.
“Epoka e re”: Z. kryeministër, kohët e fundit ka pasur edhe arrestime të imamëve të BIK-ut, pos 40 të dyshuarve për ekstremizëm. Në anën tjetër, në koalicionin e juaj keni deputetë që kanë marrëdhënie të mira me imam Krasniqin. A po e rrezikon ekstremizmi Kosovën dhe a do t’i rrezikojë intervistimi i imam Shefqet Krasniqit marrëdhëniet e shtetit me BIK-un?
Thaçi: Fillimisht më lejoni të them se unë kam konsideratën më të lartë për Bashkësinë Islame të Kosovës dhe të gjithë besimtarët. Besoj se ata luajnë rol shumë të madh në ngritjen e vlerave shpirtërore të popullit tonë, siç bëjnë edhe komunitetet fetare pakicë. Rastet periferike e sporadike të disa predikuesve nuk mund ta njollosin aspak punën e madhe e të lavdishme që kanë bërë klerikët tanë në të kaluarën dhe traditën shembullore që ka komuniteti mysliman shqiptar me tolerancë të njohur botërisht. Prandaj, i përgëzoj qëndrimet dinjitoze të përfaqësuesve të lartë të BIK-ut dhe shumë klerikëve të tjerë të cilët janë distancuar qartë dhe ashpër prej xhihadistëve të sipërpërmendur si dhe diskursit të nxitjes së urrejtjes.
Unë personalisht krenohem me traditën e islamit shqiptar të mbështetur në frymën e tolerancës dhe bashkëjetesës dhe mbrojtja e hebrenjve gjatë kërcënimit të shfarosjes prej Holokaustit nazist është një dëshmi e vlerave të kësaj tradite. Po ashtu, besoj se islami tradicional në Kosovë, por edhe religjionet e tjera kosovare, janë në përputhje të plotë me vlerat që ka përqafuar shteti ynë dhe projekti euroatlantik ku aspirojmë të shkojmë në të ardhmen.
Sikurse është kuptuar qartë edhe nga rastet e bëra publike, prania e këtyre predikuesve kosovarë të indoktrinuar në mënyrë ekstreme nuk lidhet me një produkt vendor, por më shumë me ndikimin e organizatave të huaja të dyshimta apo infiltrimin e propagandës fondamentaliste nëpërmjet rrjeteve sociale dhe teknologjisë së komunikacionit.
Sa iu përket deputetëve të koalicionit të PDK-së, koalicioni rreth Misionit të Ri është koalicion i vlerave evropiane dhe i një programi që synon ta përafrojë Kosovën me NATO-n dhe BE-në, si dhe t’i ruajë partneritetin dhe miqësinë historike me SHBA-në. Ndërsa veprimet e policisë dhe prokurorisë së shtetit janë për t’i goditur ata që rrezikojnë këtë synim tonin, që rrezikojnë tolerancën shekullore shqiptare dhe që kanë tentuar ta importojnë një model fetar të papranueshëm për nënqiellin tonë.
“Epoka e re”: Megjithatë, shtrohet pyetja pse tani po zhvillohen këto arrestime?
Thaçi: Operacionet e fundit janë ndërmarrë me përkujdesjen më të madhe për të respektuar çdo procedurë, për të shmangur çdo mundësi të shkeljes së të drejtave të njeriut si dhe për t’ia prerë rrugën çdo lloj degradimi të situatës apo konfrontimi të dhunshëm. Përfitoj nga rasti i kësaj interviste për t’i falënderuar dhe përgëzuar të gjitha institucionet shtetërore për nivelin e lartë të profesionalizmit që kanë demonstruar. Në bazë të informacionit që unë kam zotëruar muajt e fundit, arrestimet janë bërë pasi janë mbledhur shumë të dhëna, fakte, evidenca që provojnë bindshëm implikimin e personave të arrestuar dhe jam i sigurt që në proceset gjyqësore akuza për ta do të jetë e mbështetur në dosje të kompletuara e vërtetuara mirë. Pra, nuk lidhet aspak me rrethana politike, por vetëm me punën dhe procedurat rigoroze të institucioneve të rendit publik dhe sigurisë të cilët kanë pritur të siguronin mjaftueshëm prova bindëse dhe ta gjenin kohën më të përshtatshme në gjykimin e tyre profesional për t’i bërë arrestimet. Çdo përpjekje për t’i instrumentalizuar këto arrestime apo për të përfituar politikisht prej kësaj çështje delikate është një papërgjegjshmëri e vërtetë dhe shkon ndesh me interesat tona shtetërore.
Nuk do të tregojmë asnjë mëshirë ndaj atyre që rrezikojnë idealet evropiane të shumicës absolute të kosovarëve. Mbi 90 % të kosovarëve janë deklaruar si myslimanë, por të gjitha sondazhet flasin se mbi 90 % të kosovarëve e duan edhe Amerikën dhe Evropën dhe kjo është një shumicë absolute e moderuar që synon idealet e lirive individuale, që synon një shtet sekular, ku feja është çështje personale dhe nuk përzihet në punë shteti, që synon një shoqëri ku gruaja dhe burri janë të barabartë dhe ku nuk ka dallim e as rëndësi nëse e ke emrin Anton ose Ali.
Tani pasi që jetojmë të lirë, të pavarur dhe në demokraci, rreziku më i madh për Kosovën janë ata që cenojnë këto liri dhe këtë pavarësi që kemi fituar me ndihmën e miqve në SHBA dhe BE. Ata që tentojnë të na prishin marrëdhëniet me Perëndimin janë ose të paguar nga elementet anti-shqiptare ose janë trushpërlarë.
Kuptohet që ne jemi një shtet i ri ende në fazë konsolidimi, kështu që kemi goxha punë për të bërë për sa i përket çimentimit të edukatës së demokracisë dhe të drejtave të njeriut në çdo cep të shoqërisë kosovare. Unë besoj se me konsolidimin e mëtutjeshëm të shtetit kosovar, interesi shtetëror do të bëhet më i qartë dhe masiv për mbarë shoqërinë tonë dhe do të bëhet shumë më e vështirë për organizata të huaja që të infiltrojnë në Kosovë celula me agjendat e tyre politike.
Fatmirësisht, në këtë luftë të ashpër kundër terrorizmit ne gëzojmë mbështetjen e plotë dhe të pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të tjerë perëndimorë dhe unë jam i bindur që ne jemi sot në rrugën e duhur për t’u përballur siç duhet me këtë rrezik.
“Epoka e re”: Jeni deklaruar disa herë në rrjete sociale rreth temës së ekstremizmit. A është duke ju preokupuar profesionalisht kjo temë më shumë në muajt e fundit?
Thaçi: Nuk është vetëm preokupim i imi, por i tërë botës së civilizuar. Radikalizmi është rezultat i problemeve botërore që po importohen në Kosovë. Probleme me ekstremizëm ka edhe në Angli, ku ka pasur edhe sulme terroriste, ka edhe në Skandinavi, edhe në Turqi, por edhe tek shtetet fqinje. Të gjithë jemi të prekur nga ky kancer ideologjik dhe çdo shtet specifik po ndërmerr masa për ta parandaluar zgjerimin e problemeve të Lindjes së Mesme edhe në shtetet tona. Është e vërtetë se më përpara ka pasur grupe të vogla dhe të vëzhguara nga shërbimet tona, por me luftën në Siri dhe Irak, ky numër është rritur pak dhe tani duhet të jemi të kujdesshëm mos të lejojmë që ekstremistët ta prishin imazhin e Kosovës ose edhe rendin e ligjin në këtë vend. Prandaj edhe kam insistuar ta aprovojmë në qeveri Ligjin kundër pjesëmarrjes në luftëra të huaja. Qeveria e ka aprovuar, por deputetët kanë mbetur t’i kryejnë detyrat e shtëpisë që ky ligj të hyjë në fuqi.
“Epoka e re”: Shumëkush thotë se gjendja ekonomike në Kosovë është arsyeja e radikalizmit. Shumë të rinj nuk po shohin perspektivë dhe po i bashkëngjiten aradheve të ISIS-it.
Thaçi: Terrorizmi është një rrezik aktual global që kërcënon të gjitha vendet e botës dhe padyshim se edhe Kosova është e pashmangshme në kërcënim. Nuk kemi nevojë për dramatizime të tepruara. Jemi duke folur për qindra e mijëra të rinj, por për disa dhjetëra, ndoshta rreth 100 që gjenden në Siri. Rrjeti suportues i tyre në Kosovë është pak më i gjerë, por gjithsesi numër më i vogël se numri i të rinjve që sheh në cilëndo kafiteri të kryeqytetit në çfarëdo momenti. Por ideologjia monstruoze që kërkon vdekje dhe prerje kokash i bën këta shumë të rrezikshëm. Kosova nuk ka qenë kurrë shtet i pasur dhe statistikisht sot jemi më të pasur se kurdoherë në 100 vjetët e fundit. Ekstremizmi po paraqitet edhe në shtete shumë më të pasura se Kosova për shkak të natyrës së saj si dhe rrjeteve sociale që janë bërë mjet i rekrutimit dhe indoktrinimit. E kemi rastin e një djaloshi gjerman me prejardhje kosovare që vrau ushtarët amerikanë dhe ai nuk ka pasur problem papunësinë në Gjermani, por ka pranuar në gjykimin e tij se videot propagandistike në internet ia kanë mbushur mendjen se amerikanët i ka armiq, edhe pse kurrë në jetë të vet nuk ka pasur problem personal me amerikanë. Jam duke përgatitur me një ekip ekspertësh nga vendi dhe bota një paketë masash që adresojnë edhe arsimin, liritë fetare, punën me rininë si dhe më shumë mundësi punësimi nëpërmjet Fondit të Punësimit që do të adresonte këtë çështje në mënyrë komplete.
“Epoka e re”: A do të ketë Kosova krizë ekonomike këtë vit për shkak të vonesës së krijimit të institucioneve?
Thaçi: Qeveria punon sipas planit për ta mundësuar jetësimin e planeve për rritje solide ekonomike. Kemi bërë edhe veprime si rritjet e rrogave për t’i ndihmuar qindra mijëra familje, por është e qartë se çdo vonesë ekstra në krijim të institucioneve vonon edhe planet për rritje të investimeve, zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës.