19.8 C
Prizren
E diel, 8 Shtator, 2024

Politika me pjesëtarë të shoqërisë civile

PoliticsZyrtarisht, fushata për zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit në Kosovë fillon në fund të muajit maj. Por, ajo realisht është në vlug të saj. Karakteristikë e këtyre ditëve është nxitimi i partive politike për të prezantuar përforcimet e reja, posaçërisht me anëtarë të rinj nga shoqëria civile.

Bashkimin e pjesëtarëve të organizatave joqeveritare me partitë politike, analistët e vlerësojnë në mënyra të ndryshme. Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se zhvillimet e tilla janë fushatë zgjedhore.

“Shumica e aderimeve në partitë politike nuk janë bërë për të ndryshuar qëllimet e këtyre partive politike, por për të ndryshuar formatin dhe metodat e bërjes së fushatës para-elektorale. Është qasje e gabuar e disa individëve dhe partive politike që e keqpërdorin të kaluarën dhe disa njerëz të shoqërisë civile për të krijuar imazh të fitores në këtë fushatë para-elektorale”, thotë Korenica, transmeton VOA.

Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika, thotë se këto largime kanë ndodhur edhe më herët për dy qëllime.

“Partitë politike kërkojnë që të freskohen, sepse politika dhe partitë politike kanë ushtruar politika shumë të vjetruara dhe këta njerëz të shoqërisë civile nuk kanë mundur të gjejnë veten në kuadër të burokracisë institucionale. Thënë shkurt, nuk kanë mundur të inkuadrohen pa qenë pjesë e partive politike. Kjo kulturë institucionale që është krijuar në këtë kohë, ka ngushtuar hapësirën që kuadri i duhur të marrë pozitat e duhura në institucionet e vendit”, tha Rashiti.

Por, a e kanë dëmtuar rolin e shoqërisë civile, këto largime?

Korenica thotë se shoqëria civile nuk është e individëve, por se qëllimet e këtyre largimeve e kanë dëmtuar atë.

“Po pëson dëm në kredibilitetin në opinionin publik. Shoqëria civile nuk duhet të ketë mision politik. Shoqëria civile është opozitë civile e gjithë skenës politike dhe jo vetëm pushtetit. Prandaj, kur ka aderime të formave të tilla, ndonjëherë vihet në dyshim edhe vet kredibiliteti i njerëzve që janë kritikë të pushtetit aktual”, thotë ai.

Rashiti thekson se askush nuk mund të dëmtojë shoqërinë civile.

“Do të ketë dhe do të vijnë gjenerata të reja dhe ka shumë të tillë që po presin në treg. Shoqërisë civile i mbetet që të organizohet më mirë dhe të bëjë punën e vet më mirë. Këta njerëz që janë futur në politikë, pavarësisht bindjeve të tyre, kanë shkuar me një qëllim që të japin kontributin e tyre”, tha Rashiti, sipas të cilit, të gjitha partitë politike në Kosovë kanë nevojë për një freskim dhe demokraci të re të brendshme.

Ndërkaq, Korenica shton se largimi i pjesëtarëve të shoqërisë civile në parti politike, në një shtet normal nuk do të duhej të ndodhte, pasi që të dyja këto kanë misione të ndryshme.

Më Shumë

Lajmet e Fundit