Sindikatën e Arsimit e ka futur në agjendën e tij, Presidenti Hashim Thaçi. Shefi i Shtetit është duke i bërë presion Qeverisë edhe përmes grevës së mësimdhënësve. Kjo nuk është hera e parë kur SBASHK’u është në krah të Hashim Thaçit.
Presidenti i Kosovës e ka hapur edhe një front të ri me Qeverinë e Kosovës. Ka vendosur t’i përdorë grevistët e arsimit për t’i bërë presion Qeverisë së Kosovës për të hequr edhe taksën ndaj produkteve serbe e boshnjake.
Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë vazhdon t’i shërbejë Hashim Thaçit prej kohës kur në krye të këtij institucioni ishte Agim Hyseni, i cili më vonë ishte bërë Zëvendësministër i Arsimit.
Tash, Shefi i Shtetit ka vendosur të përfshihet edhe në grevën e nisur një javë më parë.
Burime të Express kanë treguar se Thaçi ka nisur të përdorë edhe SBASHK’un për t’i qëruar hesapet që ia ka me Ramush Haradinajn dhe Qeverinë lidhur me taksën ndaj produkteve serbe e boshnjake.
“Edhe hyrja në grevë, edhe vazhdimi është i lidhur me presionin që ka bërë Thaçi mbi sindikalistët”, ka thënë një zyrtar i përfshirë në grevën e mësimdhënësve.
Zyrtarët e SBASHK’ut kanë konfirmuar sot për Express se greva do të vazhdojë edhe nesër dhe gjatë gjithë javës së ardhshme. Kanë thënë se nuk do të ndalen derisa Qeveria nuk i rrit pagat edhe të mësimdhënësve.
Megjithëkëtë, SBASHK’u asnjëherë s’e kishte bërë organizime të tilla në kohën kur në Qeveri ishte Shef Hashim Thaçi.
Burime të Express kanë treguar se Thaçi po synon ta minojë edhe më shumë qeverisjen e Haradinajt, duke organizuar edhe greva të tjera, në sektor të tjerë.
Zyrtarë të Presidencës nuk kanë dashur të komentojnë përfshirjen e Thaçit në grevën e mësimdhënësve. As në SBASHK nuk ka pasur një përgjigje për përfshirjen e ish-Shefit të PDK’së në grevën e punëtorëve të arsimit.
Presidenti i Kosovës të shtunën i dha edhe një ultimatum Ramush Haradinajt për të hequr taksën. Tha se Amerika s’e ka të pakushtëzuar përkrahjen për Kosovën. Akuzoi Haradinajn se për teke personale dhe populizëm s’bën të rrezikohen raportet me Amerikën.
Ramush Haradinaj, ka dhënë fjalë të mëdha, kur e kishte vendosur taksën ndaj produkteve serbe. Ishte zotuar se nuk do të ketë tërheqje të kësaj takse pa u realizuar njohja e Kosovës nga Serbia.
Edhe zyrtarët e PDK’së kanë paralajmëruar mundësinë e tërheqjes së taksës në rast se cenohen raportet me SHBA’në.
Zyrtarët e NISMA’s i kanë sugjeruar Ramush Haradinaj që të shkohet në zgjedhje e të mos hiqet taksa. Këtë ide e kanë përkrahur edhe udhëheqësit e VV’së.