18.7 C
Prizren
E shtunë, 10 Maj, 2025

Presidentja duhet të shkojë në Beograd

Adem DemaciKryetari i Komisionit Trilateral, Jean-Claude Tricet, e ka ftuar presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, të marrë pjesë në forumin e këtij komisioni, i cili do të mbahet në Beograd nga 31 tetor deri më 2 nëntor. Presidenca ka konfirmuar marrjen e ftesës, por nuk ka treguar nëse shefja e shteti do të marrë pjesë në këtë forum, ku do të diskutohet për shtetet kandidate të Ballkanit Perëndimor dhe rruga e integrimit të tyre në BE.
Këshilltari i presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiu, ka thënë për “Epokën e re” se vendimi për pjesëmarrjen ose jo të presidentes në këtë forum do të publikohet me kohë. “Presidentja zyrtarisht ka marrë ftesën për këtë forum, ndërsa çështjet e tjera janë në diskutim e sipër. Për çdo gjë do të informohemi me kohë”, ka deklaruar Vllahiu.

Ndërsa simboli i rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, ka deklaruar për “Epokën e re” se presidentja e Kosovës duhet të shkojë në këtë takim dhe duhet të thotë fjalë të forta. “Presidentes nuk i bie copa të shkojë në Beograd, vetëm se duhet ta dijë se çka po flet me ta atje. Ne luftën e kemi mbaruar me ta. Nuk është problemi për t’u takuar ose për të mos u takuar, por duhet të dimë se çka të kërkojmë prej tyre dhe çka po kërkojnë ata. Ne i kemi ata fqinjë të parë dhe nuk ke ku i çon. Pra, nuk ke qare pa u takuar me ta”, ka deklaruar Demaçi.

Ai ka bërë me dije se presidentja Jahjaga në Beograd duhet të kërkojë nga Serbia zbatimin e marrëveshje të arritura në Bruksel. “Presidentja duhet të kërkojë atje që ato marrëveshje që i kemi nënshkruar në Bruksel më 19 prill të vitit 2013 t’i zbatojë, sepse Serbia deri më tani asnjë prej tyre nuk i ka realizuar. Kështu që, nuk ka kuptim t’i vazhdojmë bisedimet me Serbinë dhe kjo asnjë marrëveshje të mos zbatojë. Meqë bashkësia ndërkombëtare po insiston që këto dy shtete të afrohen, atëherë presidentja le të kërkojë prej Serbisë t’i zbatojë të gjitha ato marrëveshje që janë nënshkruar deri më tani, si dhe të kërkojë që Serbia të mos japë deklarata se nuk do ta pranojë Kosovën kurrë shtet. Pra, presidentja duhet të flasë fjalë të forta e të mos tutet”, është shprehur Demaçi.

Sipas tij, shefja e shtetit duhet të deklarohet edhe në Beograd se Republika e Kosovës është për fqinjësi të mirë, por këtë duhet ta dëshmojë edhe Serbia. “Presidentja atje duhet të tregojë se Kosova është për fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet që ka përreth. Por, fatkeqësisht, Serbia nuk po dëshiron fqinjësi të mirë me neve. Serbia çdoherë po e shfrytëzon rastin, duke thënë se nuk e ka as mendjen ta pranojë Kosovën si shtet. Serbia, gjithashtu, po bën presion te shtetet e ndryshme të botës nëpërmjet shantazheve të ndryshme të mos e njohin Kosovën si shtet”, ka deklaruar Demaçi, duke shtuar se Serbia para vendeve anëtare të BE-së po deklarohet se është e gatshme për t’u integruar në BE, në anën tjetër nuk po ndërmerr hapa që e dërgojnë në atë drejtim.
Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, ka deklaruar se Serbia pa kërkim falje, pa pajtim me Kosovën dhe pa normalizim të marrëdhënieve me Kosovën nuk do të mund të bëhet anëtare e BE-së.

Gjithashtu, ai ka thënë se presidentja duhet t’i përmendë në Serbi të drejtat që Kosova ua ka garantuar serbëve brenda terrorit të saj. “Ne ua kemi dhënë serbëve të Kosovës që janë 5 apo 6 për qind të drejtat sikur të ishin ata 30 për qind. Askush në botë nuk ua jep këto të drejta. Zakonisht minoriteve u jepen ato të drejta lokale që u takojnë. Ndërsa ne gjuhën serbe e kemi bërë gjuhë shtetërore, sikurse gjuhën shqipe.

Këtë veç shqiptarët e kanë bërë. Pra, presidentja e Kosovës duhet t’ua numërojë këto të drejta që ne ua kemi dhënë serbëve dhe të tregojë se këtë askush deri tash nuk e ka bërë”, ka vlerësuar Demaçi. Në këtë kontekst, ai ka thënë se edhe presidentja dhe gjithë përfaqësuesit e tjerë duhet të kërkojnë që shqiptarëve të Luginës së Preshevës t’u njihen të gjitha të drejtat që Kosova ua ka njohur serbëve që jetojnë brenda territorit të saj.

“Presidentja duhet t’ua tërheqë vërejtjen Evropës dhe Serbisë, se ato të drejta që po ua njohim ne vullnetarisht dhe me dëshirë serbëve këtu, duhet që edhe Serbia t’ua njohë edhe shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Kjo është drejtësia e Zotit dhe demokracia të cilën Evropa duhet ta përkrahë. Kurse vëllezërit tanë atje të trajtohen si qytetarë të rendit të dytë apo të tretë, e ne këtu t’ua japim krejt ato që po i kërkojnë serbët”, ka thënë Demaçi

Më Shumë

Nxehen gjakrat në Kijevë të Malishevës, burri godet xhamin e veturës pasi fjaloset me një person

Një burrë është arrestuar në Kijevë të Malishevës, i cili dyshohet se pas një fjalosje në komunikacion, ka dëmtuar xhamin e veturës së viktimës. Rastin...

Krimi i rëndë në Prizren, nga QKUK-ja flasin për gjendjen shëndetësore të 11-vjeçares

Një vrasje e rëndë ka ndodhur sot në Prizren. M. Gorenc, dyshohet se e ka vrarë me thikë vajzën e tij 15 vjeçare S.Gorenc. Plagë nga...

Lajmet e Fundit