Asgjë më nuk është si ka qenë më para. Madje, as Evrovizioni.
Festivali i këngës evropiane, i cili kësaj here u mbajt në Malme (të Suedisë), për shkak që herën e fundit (vitin e kaluar) fitoi kënga që përfaqësonte këtë shtet, u mbajt në rrethana të një rrëmuje të madhe, e cila realisht, është reflektim i gjendjes planetare politike dhe ekonomike.
Ka vite, për të mos thënë decenie që kënga si e tillë, nuk është në qendër të këtij festivali.
Evrovizioni i përcolli me të gjithat ndryshimet në sferën e industrisë së argëtimit, teksa kohë pas kohe, madje u parapriu atyre.
Zgjerimi i festivalit me shtetet e ish-kampit komunist (pas rënies së Murit të Berlinit), pastaj, inkuadrimi i ‘votës popullore’ (me votën telefonike dhe përmes internetit), përfshirja e domosdoshme e ‘rrjeteve sociale’ në këtë biznes, synimi për të spektakulizuar gjithçka që ka të bëjë me këtë festival, të gjitha këto bënë që vet kënga si e tillë, apo, cilësia e saj, të mos jetë thuaja asnjëherë përcaktuese e rezultatit final të Evrovizionit.
Pastaj, ata që janë në ballë të Evrovizionit, ende mendojnë që disi mund ta mbajnë të izoluar këtë organizim muzikor, apo, që ai të mos ndikohet nga të gjitha çoroditë politike dhe historike që ndodhin në Botë.
Për këtë shkak, kriteret mbizotëruese të Evrovizionit këmbëngulin që me çdo kusht të ruhet ‘neutraliteti’ ndaj realitetit botëror, pastaj, që të promovohen agjendat e të gjitha barazive të mundshme, përfshirë këtu edhe ato që kanë të bëjnë me orientim seksual të këngëtarëve dhe të këngëve të tyre, duke mos harruar këtu edhe luftimin e ndotjes së ambientit, jetës më të shëndetshme, etj.etj.
Një Evropë dhe një Botë si duhet të jetë, është pra busolla e Evrovizionit.
Megjithatë, përplasja e Botës dhe Evropës çfarë janë, me atë Evrovizionin e synuar, natyrisht që pashmangshëm sjell pasoja evidente për një festival.
Zatën, para dy vitesh organizatorët e këtij manifestimi u detyruan ta largojnë Rusinë prej Evrovizionit, pas agresionit brutal mbi Ukrainën. Nuk ishte rendi që t’i lejohej këngëtarëve të Rusisë të vallëzojnë dhe këndojnë, teksa ushtarët e këtij shteti bënin hatanë mbi një popull.
Kësaj here, në këtë vit pra, problemet u shumëfishuan, sepse nuk ka rend, ligj dhe paqe në Botë.
Ka rrëmujë, paligjësi dhe luftë, thuaja në të katër anët. Viktimat e luftërave janë të përditshme dhe ato maten me qindra veta. Shkatërrimet janë të pashoqe në dhjetëra vitet e fundit. Çka është më e keqja, askush nuk është në gjendje të parashikojë se si do të përmbyllen këto rrëfime trasgjike. Nuk duhet dhe kush çka mund të vendosë në këto rrethana. Në të vërtetë, duket që i gjithë rruzulli tokësor është një hap larg humnerës. Çfarë u mbetet atyre që e kanë në dorë fatin (thënë më mirë, kobin), e të gjithë neve është që ta shmangin perspektivën e ‘Gravitetit të honit’, që është katastrofale për të gjithë.
Natyrisht, nga ky pikëshikim, duken naive, bajate dhe të kota thirrjet e njëpasnjëshme të pjesëmarrësve në Evrovizionin e sivjetëm që nëbBotë të mbretërojë paqja dhe dashuria, megjithëse, si asnjëherë më parë që prej se ekziston ky festival (prej vitit 1956), paqja është e kërcënuar, dhe atë, me themel.
Paqe dhe dashuri, tek e fundit, nuk pati as brenda vet festivalit kësaj radhe, e lëre më diku tjetër.
U pa, në anën tjetër, edhe një herë, që janë shumë kritere të cilat sjellin çmimin kryesor, atë të fituesit, ku më së paku bëhet fjalë për vet cilësinë e një kënge.
Forma është çdo gjë në Evrovizion. Përmbajtja i subordinohet asaj plotësisht.
Sidoqoftë, këngët, festivalet dhe spektaklet nuk do të ndalen kurrë. As në rrethanat kur më asgjë nuk është e sigurtë, madje, as çka do të ndodhë në një të ardhme të afërt me këtë Botë.
Ky, zatën është Kodi i jetës së njeriut që prej se ai di për vete: Kurrë nuk ka qenë në paqe dhe asnjëherë nuk ka qenë rehat, me veten, me natyrën, me Botën.
Ndërsa të mos harrojmë, ‘Kodi’ ishte titulli i këngës fitues në Evrovizionin 2024./klan kosova/