18.7 C
Prizren
E hënë, 13 Prill, 2026

Prizren: Dy nga 20 policët e akuzuar për marrje ryshfeti pranojnë fajësinë

Policët Muhamet Buzhala dhe Alush Elshani e kanë pranuar fajësinë për marrje ryshfeti, të cilët së bashku edhe me 18 kolegë të tyre, akuzohen se e kanë kryer këtë vepër penale.

Ndërsa, nuk e kanë pranuar fajësinë zyrtarët e tjerë policorë, Shemsi Demolli, Safet Veliu, Naser Rama, Afrim Rafuna, Ivica Djokiç, Ismail Azemi, Blerim Zylfaj, Bekim Zogaj, Qerim Beqiri, Azem Goxhufi, Ardian Rrecaj, Sasha Nedeljkovic, Shaban Gerguri, Shemsi Zejnullahu, Aziz Krasniqi, Lulzim Gashi, Shefki Zeka dhe Nuhi Zogaj.

Mbrojtësi i të akuzuarit Muhamet Buzhala, avokati Kastriot Memaj ka mbështetur pranimin e fajësisë nga klienti i tij, duke shtuar se i njëjti është i vetëdijshëm për pasojat e pranimit të fajësisë dhe se pranimin e ka bërë me vullnet të plotë.

Prokurori i rastit, Genc Nixha, nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga të akuzuarit.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, ka pranuar fajësinë e të akuzuarve Buzhala dhe Elshani, ndërsa policët tjerë i ka udhëzuar që deri në shqyrtimin e dytë, kanë të drejtë të kundërshtojnë aktakuzën dhe provat në të cilat mbështetet ajo.

Shqyrtimi i dytë, në këtë çështje penale, është caktuar të mbahet më 17 gusht 2017, me fillim në ora 10:00.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila i akuzon 20 zyrtarët policorë të njësisë së autostradës, se kanë marrë ryshfet për të mos e kryer detyrën e tyre sipas ligjit.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fjalë, gjatë dhjetorit 2016, duke patrulluar në autostradën “Ibrahim Rugova”, në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet nga shkelësit e rregullave të komunikacionit, për të mos u shqiptuar atyre dënimet kundërvajtëse.

Në aktakuzë përshkruhet se si këta policë, duke vepruar në grup prej 2 dhe 3 zyrtarësh, brenda orarit të punës, kanë mbledhur në mënyrë të kundërligjshme shuma të të hollave deri rreth 400 euro e pastaj të hollat i kanë ndarë mes veti, në mënyrë proporcionale./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Foto nga djegia e kamionit në autostradën “Ibrahim Rugova”, Policia: Shoferi dhe një pasagjer pa lëndime, shkoi ekipi i urgjencës

Një kamion u përfshi nga flakët në aksin rrugor Suharekë-Duhël në autostradën “Ibrahim Rugova”. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi...

Fitore e madhe e ‘Vreshtarëve’: Rahoveci 029 siguron mbijetesën në Superligë

Në një përballje dramatike të zhvilluar në Suharekë, Rahoveci 029 ka shënuar fitore të madhe ndaj Golden Eagle Ylli, duke triumfuar pas vazhdimeve me...

Lajmet e Fundit