13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Proceset historike janë të gjata dhe me flijime!

Halit Krasniqi

Ky trajtim për Dhomat e Specializuara, për Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe këto veprime për ta zhbërë një vendim i cili është krijuar nga Kuvendi i Kosovës më 2015, dhe së bashku me partneret ndërkombëtar ky vendim, ka filluar se zbatuari menjëherë në formë dhe në përmbajtje. Kjo ka krijuar tani një situatë shumë nebuloze, me brenga e shqetësime dhe një raport përjashtues në shoqërinë tonë. Kohë kur do të duhej të ishim më të bashkuar, për të plotësuar njëri formacion politik me tjetrin, në bashkërenditje të veprimeve institucionale.
Ky proces si i tillë, ka prodhuar kundërveprime e qëndrime të arsyeshme dhe herë-herë të pajustifikueshme. Pas fakteve të njohura, mund të vije konkludimi: Nuk do të ketë kthim mbrapa nga një kompleksitet motivesh e rrethanash, raportesh e marrëveshjesh bilaterale, të cilat assesi nuk janë të ngjashme me veprime trazavaçe çiliminjsh në këtë proces serioz e të ndjeshëm, me protagonist nga adresa që po krijojnë Rendin e ri botëror. Fati ynë është që deri tani jemi bashkë në këtë proces me krijuesit të këtij rendi te ri për mileniumin e tretë!

Opinioni ynë dhe qendrat e vendosjes politike të shteteve mike, duhet të kenë mirëkuptim për hezitimet konkrete e për obstruksione sado të kota, nga lidershipi ynë institucional në këtë proces, për arsyet njerëzore, sentimentale që i ka akëcili, aktualisht. Por, edhe këto veprime nga ana jonë, duhet të kenë një masë të caktuar, deri aty ku nuk rrezikohen arritjet e krijuara me shumë investime të çmueshme dhe raportet në mes të popullit tonë dhe shteteve mike, të cilat për herë të parë në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, janë krijuar dhe si të tilla ishin dhe duhet vlerësuar ende se janë shpëtimtare. Ato shërbyen dhe duhet të shërbejnë edhe kohë të gjatë në të ardhmen edhe më shumë në favor të realizimit të synimeve e aspiratave të popullit tonë në perspektivë dhe në rritën e prosperitetit e dinjitetit të vendit tonë.

Fillimisht gabuam kur është injoruar nisma në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës kur është krijuar preteksti dhe mbi këtë bazë ka marr emërtimin e pa merituar ky proces. Gabimi i dytë ka qenë kur është caktuar paraprakisht Selia e kësaj gjykate në një vend jashtë Kosovës. Ky ka qenë një lëshim që do të prodhoj pastaj pasoja të pa kthyeshme nga perceptimi publik deri te sanksionimi juridik.
Tani e tutje nuk na lejohet të gabojmë. Sa më shpejt që të pajtohemi e të bindemi që jemi në korsinë njëkahshe dhe të pa kthyeshme, aq më pak mund të dëmtohemi dhe aq më shumë mund ta riparojmë procesin. Kur të bindemi që është e pa mundur të rikthehet procedura nga fillimi, duhet të mbretëroj një qasje vetëdijesimi për situatën në të cilën gjendemi. Një mobilizim profesional nga një mori zyrtarësh kompetent dhe nga kjo armatë juristësh me tituj e përvoja deri në nivelin me të lartë akademik, me një ekip kreativ, të ndërrohet imazhi i kësaj gjykate. Meqenëse është i pa kthyeshëm dhe i pa ndryshueshëm ky proces, i cili si formë dhe si përmbajtje do të godas edhe aty ku nuk do të duhej dhe do të dëmtoj edhe atje ku nuk do të mund të imagjinohej të ndodhte. Pritet të procedohen fakte me dëshmitarë të prodhuar nga shërbimi sekret i Beogradit, prej pas luftës e deri para pak kohe, për të goditur protagonistë të UÇK-së. Ushtarë me detyra e komandantë të spikatur në rolet e tyre çlirimtare që aq shumë fakte të çmueshme e veprime meritore mund të gjenden në veprimet e tyre, pikërisht për të njëjtët, pa abstraktuar kushdo qoftë dhe pa paragjykuar emra të përveçëm që gjithsesi do të duhej shpërblyer me ceremoni e me tituj të përjetshëm lavdie të cilët padrejtësisht do të sfidohen në ballafaqim ndëshkues.
Pas hetimeve, vendimi i Dhomave te Specializuara pres të jetë gjithsesi lirues. Gjithashtu, kjo formë e krijuar për këto Dhoma të Specializuara, nëse mbetet kështu si është krijuar ky perceptim aktualisht, te publiku ynë vendor dhe të ai ndërkombëtar, do të dëmtoj imazhin e Kosovës, të luftës së UÇK-së, edhe më keq dëmton të ardhmen.

Për të mos ndodhur kjo, dhe, edhe për të nxjerrë përvoja pozitive në këtë aksident historik, gjatë kësaj procedure juridike, do të duhej të shfrytëzohen ato formulime të paragrafëve në ligjin për Dhomat e Specializuara dhe ato kompetenca që janë paraparë për Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pa bërë asnjë plotësim ndryshim të këtij ligji aktualisht, në mënyrë që në këtë proces të krijojmë dy favore që do të shërbenin, duke shfrytëzuar edhe fizionominë e performancën e saj ndërkombëtare, me Selinë në Hagë dhe me strukturën e personelit ndërkombëtar.

Që të mos krijohet përshtypja në opinionin ndërkombëtar dhe të mos krijohet e institucionalizohet precedenti historik, se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur aktakuza vetëm për ushtarë dhe komandantë të UÇK-së dhe se Dhomat e Specializuara më pastaj kanë gjykuar vetëm këtë profil ushtarak. Për të mos krijuar opinion të dëmshëm edhe për luftën e lavdishme dhe çlirimtare të UÇK-së dhe për të mos ndodhur një padrejtësi ndaj Kosovës së djegur e të dhunuar dhe popullit të saj të përndjekur në forma e përmasa gjenocidale. Gjithashtu, as ndaj çlirimtareve të saj meritor!

Besohet se Serbia ka prodhuar trillime në një përmasë afër tridhjetë mijë faqesh dhe ka paguar dëshmitar të rrejshëm për të cilët Gjykata Speciale ka për të paguar sërish një kosto të pa imagjinueshme financiare për sigurimin e tyre jetësor dhe të familjeve të tyre. Ne, nuk kemi nevojë të trillojmë asgjë në dëshmitë e dhunës dhe nuk kemi për të paguar as ne e as Gjykata speciale dëshmitarët e shumtë për dëshmitë trishtuese që do të përmbledhim në stivë provash e faktesh rrëqethëse, nëpërmjet një armate juristësh tanë. Duke bërë këtë punë, ne do të bënim disa shërbime njëherazi:

Të dëshmojmë dhunën gjenocidale, ashtu siç na mundësojnë kompetencat e kësaj gjykate, duke evidentuar të vrarit në çdo masakër me dosje për çdo të vrarë me foto për secilin, me foto për çdo kompleks varrezash që kemi gjithandej, si dëshmi nga këto masakra. Me rrëfime të të gjallëve të cilët do të shërbejnë edhe si dëshmitarë për aktorët e identifikuar fillimisht si pjesëmarrës në dhunime, në përndjekje masive, si vrasës e urdhërues vrasjesh mbi civil të pa mbrojtur. Dhuna ndaj fëmijëve dhe të moshuarve që çdo kund perceptohen si të pa aftë për luftime, si dhe gra e burra të pa armatosur, të cilët në të gjitha pushkatimet dhe masakrat dhe në të gjitha format e dhunës gjatë luftës i kanë identifikuar në numër mjaft të madh nga këto formacione vrasësish. Ekzekutorët e tillë do të arrinin në qindra të identifikuar, të cilët kanë qenë banorë të Kosovës.

Nga formulimet e ligjit aktual, të tillët mund të arrestohen, pavarësisht kudo që tani janë të strukur apo të sistemuar nëpër institucione të Serbisë. Gjithashtu, edhe të tjerë të shpërndarë nëpër shtete në të gjitha kontinentet, mund të arrestohen në shtetet përkatëse ku ata ndodhen e të ekstradohen në burgun e caktuar në Hagë. Pas procesit të hetimeve, do të mund të gjykohen nga Dhomat e Specializuara. Gjatë procesit të hetimeve, ata gjithsesi do të rrëfejnë dhe do të prodhojnë dëshmi për ta lehtësuar barrën e provave edhe për urdhërdhënës të tjerë që atëherë mund të kenë qenë me banim jashtë Kosovës. Në këtë periudhë procedurale, do të mund të imponohet ndonjë plotësim e ndryshim i këtij ligji nga Kuvendi i Kosovës, për një finesë gjuhësore që është krejt teknike e cila nënkupton një shenjë të vetme nga ajo thyese në një lidhëse të shkruar, pa pasur nevojë për plotësim me ndonjë togfjalësh. Për të zgjeruar kështu kompetencat e kësaj gjykate për arrestimin e të dyshuarve të tjerë me nënshtetësi të RFJ-së së atëhershme, të cilët nuk kanë banuar në Kosovë, por gjetkë në hapësirat e RFJ-së.

Gjatë hetimeve, do të mund të konstatohen edhe shumë raste të prezantuara në dosjet e dorëzuara nga Beogradi zyrtar në Zyrën e Prokurorit të Specializuar kundër shqiptarëve. Rastet të cilat përshkruhen si viktima civile të luftës, do të mund të konstatohen se janë vrarë në uniformë gjatë konfrontimeve luftarake me UÇK-në. Ndërsa një pjesë tjetër para, gjatë e pas luftës kanë vdekur nga vdekje të natyrshme të cilët në dosje paraqitën, një pjesë si viktima civile që realisht janë vrarë në fronte të luftës dhe një pjesë paraqitën si të zhdukur të cilët kane vdekur në periudha të ndryshme që nuk janë evidencuar në zyrën e rajoneve të tyre të gjendjes civile para, gjatë dhe pas luftës dhe në dosjet e dorëzuara te Prokurori Special paraqitën si të zhdukur nga shqiptarët.

Në ballafaqim me stivën e dosjeve të krimeve mbi shqiptarët nga Serbia militare dhe paramilitare të njëzet mijë të vrarëve dhe të zhdukurve shqiptarë, do të ndryshoj fizionomia e kësaj gjykate dhe gjyqtarët do të kenë një qasje më realiste në trajtimin e këtyre lëndëve me natyrë shumë sensitive që do të dorëzoheshin nga Republika e Kosovës, dhe kundër atyre mijëra faqeve me plotë trillime hiçkokiane që ka dorëzuar Beogradi zyrtar tani e sa kohë.

Gjithashtu, me këtë veprim, ndryshojmë imazhin në opinionin ndërkombëtar për këtë Gjykatë dhe ndryshojmë emërtimin e këtij procesi historik, duke krijuar edhe rrethana lehtësuese për të gjithë të akuzuarit tanë të mundshëm padrejtësisht dhe duke krijuar rast për ndëshkim të mundshëm te të gjithë aktorëve të identifikuar të makinerisë vrastare ushtarake dhe policore si dhe paramilitareve aq sa do të jetë e mundur të identifikohen.
Kështu i japim drejtim këtij procesi, të krijojmë rrethana lehtësuese për të akuzuarit e mundshëm nga ana e jonë, të cilët do t’i shoqëroj keqardhja dhe respekti, dhimbja individuale dhe konsideratat e ndërgjegjes kolektive të pjesës së përgjegjshme të shoqërisë sonë. Duke i perceptuar në shërbim të radhës së kauzës sonë shekullore e cila në procesin e gjatë historik është shoqëruar me padrejtësi të mëdha dhe është e mbushur me kapituj flijimesh. Këto dimensione epike të arritjeve të deri tashme, duhet t’i çmojmë e t’i ruajmë me kujdes si premisa të domosdoshme për qenien tonë nacionale dhe njerëzore me qëllim për të arritur në synimet tona shekullore.

Më Shumë

Ekspozita fotografike/ Transformimi i Hamamit të Gazi Mehmed Pashës në Prizren

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, ka ftuar të gjithë që të vizitojnë Hamamin e Gazi Mehmed Pashës. “Ejani dhe...

Kompletohet grupi i Kosovës në Ligën e Kombeve

Lituania e ka mposhtur Gjibraltarin me rezultat 2-0, nga dy ndeshjet në kuadër të playoff-it të Ligës së Kombeve. Kështu lituanët do t’i bashkohen Kosovës...

Lajmet e Fundit