24.8 C
Prizren
E mërkurë, 8 Maj, 2024

Profesori nga Prizreni, krenohet me arsimin e dikurshëm

Mësimdhënësi veteran prof. Adip Krasniqi, autori i librit të rëndësishëm historik “Shkolla shqipe ndër vite”, botuar me rastin e 100-Vjetorit të shkollës shqipe, në kohën kur Serbia për një fjalë shqipe vriste e priste, ishte krenar që botoi një libër kaq me vlerë për arsimin e rajonit të Prizrenit

Sypatrembur për mbijetesën e shkollës shqipe

Profesori i nderuar nga Prizrenit Adip Krasniqi, sipas drejtorit të Arsimit në Prizren, dr. Zehadin Shemsedini, ka punuar me zell. Ai ishte punëtor dhe i përkushtuar për arsimin shqip. “Adipi ishte pesë vjet kryetar i LASH-it dhe ishte sypatrembur që shkolla shqipe të mbijetojë. Atëbotë ai ishte në krye të të gjitha organizimeve arsimore. Meriton një shpërblim të madh për mbijetesën e arsimit në Prizren dhe rrethinë”, thotë për “Kosova Sot” Shemsedini. Profesori veteran ende mbahet mend nga ish- nxënësit e tij, siç tregon Shaip Berisha, mësues.

“Profesor Adipi në Normale na jepte shqip, ishte njëri ndër ata që me poezi nga Rilindësit e shquar shqiptarë na emociononte se si duhet punuar për shkronjat shqipe. Emocionet e tij si një profesor ishin të papërshkrueshme, sepse veçanërisht në atë kohë ato bëheshin dhe më të fuqishme, pasi të gjithë nxënësit deri atëherë s’kishim dëgjuar diçka të tillë”, tregon mësuesi Berisha, duke shtuar se Adipi 38 vjet ishte profesor i Gjuhës shqipe. Atëbotë kishte kryer fakultetin në Beograd, sepse nuk kishte katedër të Gjuhës Shqipe në Prishtinë .

” Për pesë vjet kam qenë kryetar i LASH-it. Ishte vështirë të jesh në krye të arsimit, kur Serbia nuk donte asnjë fjalë të gjuhës shqipe ta ndiente. Ne punonim pareshtur. Jo më pak se shtatë herë më kanë marrë në organet e sigurimit serb. Por, unë kisha synim që mësimi shqip të mbijetonte. Këtë e kam arritur, kur edhe filluam mësimin në shkollat shtëpi. Kemi punuar përkushtimisht dhe besoni se atëherë kemi pasur një arsim tepër solid dhe të kënaqur. Tash, nuk e kemi atë entuziazëm për arsimin. Por, ishin kohë të tjera ato. Unë edhe sot në pension kujtoj ato kohë të rënda për arsimin dhe atë entuziazëm të pashoq të mësimdhënësve shqiptarë. Jam krenar që isha pjesë e asaj kohe të artë të arsimit shqip”, thotë veterani i arsimit Adip Krasniqi, duke shtuar se, kur Serbia i nxori nga shkollat tona, ata shtëpitë i bënë shkolla.

I ndjekur nga polica serbe

Profesor Adip Krasniqi që nga viti 2006 është në pension. Ai ka edukuar 40 breza nxënësish, duke filluar nga ish- Normalja e Prizrenit. Ai në vitin 1994 botoi librin ‘Arsimi shqip ndër vite”, pastaj ishte pesë vjet kryetar i LASH -it për komunat Prizren, Therandë, Rahovec dhe Dragash. U mor 7 herë në polici nga organet e sigurimit në dekadën e rezistencës 89-99. Ishte ideator i shkollave në shtëpi, kurse në vitin 1977 nga Ministria e Arsimit u shpall “Mësimdhënësi më i mirë i Kosovës’. Këto janë vetëm disa nga angazhimet e shumta që ka bërë për shkollën shqipe prof. Adipi. Ai krenohet se pos nxënësve të shumtë, të cilët tani kanë tituj deri në akademik, pohon se krenohet edhe me fëmijët e tij të shkolluar, duke veçuar vajzën Ardita Krasniqi, një profesoreshë e dalluar në Fizikë, që po tregon rezultate të shumta në Gjimnazin e Prizrenit.

Duke folur për “Kosova Sot”, Adipi shton: ” Asgjë më krenare nuk ka kur, duke pirë kafe, vijnë ish-nxënësit dhe më urojnë shumë shëndet. Nuk kursejnë fjalë miradije Duke më thënë se nga ju profesor e mësuam kohën e Rilindjes kombëtare, nga ky frymëzim jemi bërë ushtarë të lirisë së Kosovës. Besoni, kjo më nderon shumë. Ndihem i emocionuar në ato raste dhe them ka shumë gjera që nuk duhet harruar”, tregon profesor Adipi. Tash, në pension ende, thotë se lexon dhe flet për romanet e Kadaresë, për arritjet e letërsisë. Pastaj flet për veprat e autorëve nga diaspora, duke veçuar shkrimtarin Gëzim Ajgeraj nga Prizreni.

“Sa krenohem kur mësoj se sa shkrimtarë nga Prizreni po nderojnë letërsinë evropiane. Kjo më bën të lumtur, ngase lumturia e njeriut është suksesi”, thotë për gazetën profesor Adip Krasniqi. Ai porosit se vetëm mësimi dhe shkenca na çojnë përpara, por pa dashur të flasë për aktualitetin politikë, që dukej se nuk ishte aspak i kënaqur me neglizhencat e politikës kosovare, po nuk deklarohej në këtë drejtim. Ai vërtet është një emër që s’bënë assesi të harrohet, ngase vepra, puna dhe angazhimi i prof. Adip Krasniqit duhet të shërbejnë si model për profesorët e rinj të Kosovës.

(Kosova Sot)

Më Shumë

24 vjet nga vrasja e “Drinit”

8 maj 2000. Ish-komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha -‘Drini’, vritet para shtëpisë së tij, në Prizren. Kjo vrasje ndodhi në rrethana misterioze. Drejtësia vendore e ndërkombëtare,...

Robin Krasniqi i çeliktë ndaj Jorge Silvas

Robin Krasniqi ka shënuar fitore ndaj boksierit portugez Jorge Silva, në kategorinë gjysmë të rëndë. Krasniqi triumfoi ndaj Silvas, me vendim të gjyqtarëve. Ai ishte më...

Ballkani mban kreun

Lajmet e Fundit