8.8 C
Prizren
E diel, 12 Maj, 2024

Prognoza e Krenar Gashit për rezultatin e zgjedhjeve

Krenar GashiDrejtori ekzekutiv i Institutit “Indep”, Krenar Gashi në një bisedë për Gazetën Blic ka bërë një prognozë zgjedhore. Ndonëse nuk e precizon saktë se cila do të jetë partia e parë që do të dalë pas zgjedhjeve të 8 qershorit, Krenar Gashi vlerëson se Partia Demokratike e Hashim Thaçit do të ketë një rënie në rezultat, derisa sipas tij, LDK-ja e Isa Mustafës ka pak gjasa që të rritet.
Ai vlerëson se rritje do të ketë Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit dhe në një masë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt. Ai thotë se pragun do ta kalojnë edhe dy subjektet tjera, NISMA e Fatmir Limajt dhe Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit.
Fushata e PDK-së bazohet në avantazhin e të qenit në pushtet

Ai i bënë një vlerësim edhe fushatës elektorale të deritanishme. “Deri më tani, fushata e PDK-së është bazuar në avantazhin e të qenit në pushtet. Kësisoj, prej slloganit për një Mision të Ri, e deri tek detajet dhe shifrat e shumta me të cilat është rënduar ky program, janë të bazuara në përparësinë e pushtetit, për të cilin drejtuesit e PDK-së e dinë fare mirë se është aduti i vetëm që e kanë në këto zgjedhje”, thotë Krenar Gashi.

Sipas tij, pas shtatë vjetësh qeverisjeje të PDK-së, gjatë së cilës qeverisje jeta e qytetarit është degraduar në pikëpamje ekonomike, sociale e politike, ndërsa barazia para ligjit dhe sundimi i tij nuk kanë qenë realitet i prekshëm, është e natyrshme që kjo parti të kërkojë një mandat të ri me diçka tjetër, të re, të paprovuar deri më tani.

Kësisoj edhe sllogani i tyre Misioni i Ri, në një mënyrë u thotë qytetarëve të Kosovës “në rregull, ndodhi çka ndodhi, tash po nisim prej fillimit”. Megjithatë, ai shton se për secilin që ka jetuar në Kosovë apo të paktën ka përcjellë zhvillimet këtu, zhvillime këto të karakterizuara me skandale shumëmilionëshe, korrupsion sistematik, kryetarë komunash që i ikin drejtësisë, politizim të skajshëm të shërbimit civil dhe atij diplomatik, ngulfatje të sektorit privat dhe stagnim ekonomik, është shumë e vështirë të mendohet për një mision të ri të të njëjtit ekip.

Thaçi bëri grimosje të ekipit të vjetër
“Pak hapësirë mbetet për ato suksese të PDK-së në qeverisje, siç mund të interpretohen marrëveshjet e Brukselit apo përmirësimi i kornizës ligjore. Për këtë arsye, kreu i PDK-së Hashim Thaçi ka bërë disa akrobacione politike, duke u munduar që ekipit të tij të vjetër t’i jep një shkëlqim grimosjeje me disa emra të rinj, e të cilët emra, megjithë energjinë që mund ta kenë, ende kanë mbetur nën hijen e dinosaurëve të partisë, të paktën kur vjen puna te strukturat udhëheqëse dhe lista për deputetë.

Se a përbëhet PDK-ja nga ministrat e rinj si Vlora Citaku, Blerand Stavileci e Memli Krasniqi, apo nga të vjetrit që publiku mbase as nuk i njeh, e të cilët kanë qenë përgjegjës për daljen në zgjedhje prej 120% në shumë vendvotime gjatë zgjedhjeve të vitit 2010, mbetet të shihet. Votuesit, të paktën në këto zgjedhje, nuk e kanë të qartë”, vlerëson fushatën e PDK-së drejtori i Indep-it.

Sipas Gashit ani pse mund të shihet se fushata e PDK-së po ka rënie si në energji ashtu edhe në elaborime idesh, një rënie e tillë vështirë se do të ketë ndonjë efekt në zgjedhje pikërisht për shkak të kohës së shkurtë në dispozicion. Kësisoj, vlerëson ai, PDK e ka kalkuluar mirë tajmingun e zgjedhjeve, gjë në të cilën nuk ka asgjë të paligjshme apo të keqe, për të maksimizuar votën e saj me 8 qershor.
krenariii

Fushata e VV-së e orientuar drejt zgjerimit të elektoratit
Gashi në këtë bisedë thotë se deri më tani janë Lëvizja Vetëvendosje dhe deri diku Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të cilat e kanë orientuar fushatën kah zgjerimi i bazës elektorale. Vetëvendosja sipas tij, këtë po e bën në mënyrë të hapur dhe intensive, duke rrezikuar madje edhe identietin e partisë, përmes përfshirjes së shumë njerëzve në listën e tyre për kandidatë për deputetë të cilët në thellësi të qenies së tyre janë në kundërshtim të plotë më manifestin e kësaj lëvizjeje. “Përmes një zgjerimi të kontrolluar nga qendra por që fare lehtë mund të dalë nga kontrolli, Albin Kurti i Vetëvendosjes po e luan një ‘zero-sum game’ në stilin e tij unik. Kësisoj, nuk mund të thuhet se Vetëvendosja do t’i zemëroj votuesit e saj tradicional përmes këtij zgjerimi të fundit, njëjtë siç nuk mund të thuhet se nuk do ta humb asnjë votues pikërisht si pasojë e zgjerimit”, thotë Gashi.

Në anën tjetër, sic shprehet ai, një zgjerim pak më të vogël në përmasa por me më pak rrezik po e bën edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke u liruar nga paradigma rajonale por duke e mbajtur liderin e saj në krye të axhendës.

AAK e VV kanë programet më të mira
Krenar Gashi mendon se Vetëvendosja dhe AAK-ja po ashtu kanë hartuar programe të mira politike. Ai shton se programi më i detajizuar sa i përket mekanizmave politik është ai i PDK-së, e cila e ka përdorur përparësinë e të qenit në pushtet për t’ia mbushur kokën qytetarit dhe votuesit potencial me shifra dhe formula.

Megjithatë, Gashi thotë se Vetëvendosja e ka një program që është esencialisht i majtë, lënë anash këtu narrativin patetik të bashkimit kombëtar, dhe i cili në një shoqëri si kjo e jona do duhej të pranohej lehtë. AAK-ja në anën tjetër e ka hartuar një program krejtësisht të djathtë, të bazuar pak a shumë në një pikë të vetme qëështë përdorimi i burimeve natyrore të Kosovë për zhvillim, program ky që garanton zhvillim të hovshëm ani pse jo të njëtrajtshëm.
“Te dy këto programe, ani pse të kundërta në ideologji, kanë bazë të mirë zhvillimore dhe gjasë më të madhe për sukses në krahasim me programet gjithëpërfshirëse të PDK-së dhe LDK-së, të cilat programe në spektrin ideologjik janë gjithandej, prej qendrës deri te ekstremet. Natyrisht, programet nuk kanë edhe shumë rëndësi, sidomos jo për PDK-në dhe AKR-në, të cilat sa ishin në pushtet, kishin harruar krejtësishst programet e tyre paraprake”, thotë ai.
PDK e LDK pak a shumë kanë të njëjtin elektorat

Drejtori i Institutit INDEP vlerëson se në Kosovë votuesit janë tradicional dhe votimi është kryesisht klientelist. Por, pas revolucionove të vogla të zgjedhjeve komunale, është e pritshme që sivjet të ketë shumë më shumë votë kundër një partie sesa domosdoshmërisht votë për një parti tjetër nga zgjedhjet e kaluara. Fatkeqësisht, sipas Gashit, përkundër pezmit në rritje të vazhdueshëm ndaj PDK-së, partitë opozitare kanë dështuar që ta kanalizojnë votën kundër, pra votën për ndryshim të pushtetit, duke e lakmuar pushtetin veç për veti dhe duke përjashtuar koalicionet parazgjedhore që në këto suaza do duhej të ishin të domosdoshme.

Votat e NISMËS, PDK tenton t’i kompensoj me Ramizin e Margaritën
“Nëse e marrim parasysh këtë si dhe rrjedhën e fushatës, atëherë shihet se PDK dhe LDK janë pozicionuar që të mbajnë pak a shumë të njëjtin elektorat. Meqë Nisma do ta rrëmbejë nga PDK-ja një pjesë të mirë të elektoratit, duke qenë aty rreth margjinave të pragut prej 5%, PDK është lëshuar pas shtresës së re klienteliste, pra sektorit privat, duke u munduar që votat e humbura t’i kompenzojë përmes Ramiz Kelmendit e mbase edhe Margarita Kadriut, bizneset e të cilëve janë vënë në shërbim të partisë. Për më shumë, liderë lokalë si Muharrem Shabani do të mundohen ta mbajnë mënyrën e vjetër të vjeljes së votave shtëpi për shtëpi.
Kësisoj, rënia e numrit të votuesve të PDK-së nuk do të jetë aq drastike siç do mund të pritej”, thotë Gashi. Ai vlerëson se LDK-ja e ka pasur terrenin më të mirë të shtruar për këto zgjedhje. Megjithatë, deri më tani, sic thotë ai kjo parti ka bërë gabim pas gabimi, prej listës së kandidatëve për deputetë e deri tek paraqitjet programore e publike, duke lënë përshtypjen se nuk e duan fitoren. “Kësisoj, unë sinqerisht nuk shoh se cili është votuesi shtesë i LDK-së. Sipas meje, kjo parti po mundohet vetëm që të ruaj votuesit që i kishte mëherët, gjë që edhe do të ndodhë, por nuk mund të parashikoj se sa votues të mërhershëm, që i kanë ikur, do të mund t’i kthejë”, shton ai.

LDK stagnon, PDK rënie e lehtë, Nisma e AKR kalojnë, VV e AAK rriten
Në këtë bisedë ai jep edhe një prognozë zgjedhore, ndonëse jo me shifra. Në bazë të zhvillimeve të deritanishme, Krenar Gashi thotë se sheh një rënie jo aq të madhe të PDK-së, një stagnim të LDK-së, një rritje substanciale të Vetëvendosjes dhe një tjetër proporcionale të AAK-së, një Nismë dhe një AKR në Kuvend, apo të paktën afër pragut. “Duhet pasur parasysh se këto prognoza janë në bazë të zhvillimeve të deritanishme, dhe, se kur flasim për partitë e vogla, margjinat e gabimit të parashikimeve janë shumë më të mëdha sesa të partitë e mëdha. Po ashtu, mënyra klienteliste e votimit e bën prognozimin shumë të vështirë”, tha ai.
PDK edhe nëse fiton, mund të mbesë në opozitë

Krenar Gashi mendon se edhe nëse PDK mund të dalë e para, partitë tjera mund të ndodh që të mos hyjnë fare me të. “Ani pse nuk dihet cila parti do të dalë e para – dhe se kjo parti mund të jetë edhe PDK-ja – partia e parë jo domosdoshmërisht është partia që do të jetë në qeveri. Kushtetuta e thotë qartë se mandati për formimin e qeverisë i takon partisë ose koalicionit që mund të ketë shumicën në Kuvend.

Kësisoj, edhe nëse një parti del e para në zgjedhje, partitë tjera mund të bashkohen në koalicion të menjëhershëm paszgjedhor dhe ta formojnë qeverinë duke e lënë ‘fituesin’ në opozitë”, thotë Krenar Gashi. Ai thotë se ky skenar ka ndodhur nëpër shumë vende të botës, ka ndodhur edhe në Serbi kur radikalët kanë qenë dukshëm të parët dhe patën mbetur në opozitë. Pra, edhe nëse PDK del e para, përbërja e qeverisë së ardhshme do varet nga liderët e partive tjera po aq sa do varet nga Hashim Thaçi.

Më Shumë

Burri në Prizren rrah vajzën dhe gruan, policia nuk e arreston

Një burrë nga Prizreni, mbrëmjen e së martës ka rrahur vajzën dhe gruan e tij. Kështu thuhet në raportin e Policisë së Kosovës, anise bëjnë...

Arrestohet një person në Prizren, dyshohet se kanosi familjarët, dhe demoloi orenditë shtëpiake

  Një person është arrestuar të shtunën në Prizren, nën dyshimin se ka kanosur anëtarët e familjes së tij, dhe ka demoluar orenditë shtëpiake. I dyshuari...

Lajmet e Fundit