Në botë ka rreth 7 mijë gjuhë dhe gjysma e tyre mund të zhduken deri në fund të shekullit. Por nëpërmjet “Projektit Rosetta” po bëhen përpjekje për të ruajtur kuptimin e tyre për brezat e ardhshëm. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O’Sullivan, sjell hollësi nga San Francisco.
Një aktivitet i kohëve të fundit për gjuhët e rrezikuara nga Instituti Smithsonian në Uashington, paraqiti gjuhën e Havait dhe gjyhë të tjera që po zhduken, përfshirë edhe tuvan, e cila ende dëgjohet në Siberinë Jugore. Linguistët janë në garë me kohën për të inçizuar këto gjuhë, disa mijëra prej tyre, para se ato të zhduken.
Këta studentë amerikanë të linguistikës që flasin frengjishten, po marrin pjesë në praktikën verore në Projektin Rosetta për rregjistrimin dixhital të gjuhëve të rrezikuara.
Projekti është i frymëzuar nga shembull Rosetta Stone, Gurri Rosetta i zbuluar në Deltën e Nilit nga trupat e Napoleonit në vitin 1801.
Guri, që tani ndodhet në Muzeun Britanik, përmban një mbishkrim të vjetër grek dhe dy sisteme egjiptiane shkrimi, duke u dhënë kështu mundësi dijetarëve të kuptojnë hieroglifet egjiptiane.
I filluar nga grupi jo fitim prurës, Long Now Foundation, projekti po krijon një arkivë në internet dhe po ruan gjithashtu tekste në një disk optik, një farë Rosetta Stone për linguistët në të ardhmen. Janë 13 mijë faqe për 1500 gjuhë me një tekst mikroskopik, thotë themeluesi i programit, Alexander Rose.
“Një tekst i vetëm paralel, një përshktim, një hartë se nga vjen, gjëra të tilla që të japim mjaft informacion për t’i krahasuar me gjuhë të tjera që di apo ke studjuar, ose që dijetarët kanë gjetur, dhe kështu fillon të krijosh paralele mes tyre dhe të rindërtosh bazat e një gjuhe”.
Shumë gjuhë të tilla fliten nga grupe të vogla, thotë drejtoresha e Projektit Rosetta, Laura Welcher.
“Ato fliten nga mijëra njerëz ose nga grupe të vogla, dhe mjaft prej tyre i gjen në zona të largëta të botës. Ato nuk janë dokumentuar mirë”.
Projekti Rosetta po jep ndihmesën e vet, thotë Laura Welcher.
“Idea është që të krihohet një koleksion paralel linguistik që përfaqëson gjerësisht të gjitha gjuhët njerëzore, një lloj deshifrimi për gjuhët e zhdukura për t’ua lënë brezave të ardhshëm”.
Dhe pikërisht ky projekt mund të bëhet Rosetta Stone 2.0 për brezat e ardhshëm.