Ideja për të hartuar një monografi të bazuar në dokumente autentike, për meritat dhe kontributin e ish-kryetarit të Podujevës gjatë viteve ’70, Ramush Ramës, i kishte lindur shkrimtarit Faik Hoxhës, që atëherë kur kishte shkruar monografinë e për jetën dhe veprimtarinë e gjyshit të tij Mulla Qerim Hoxha.
Kjo monografi që botohet me rastin e 80-vjetorit të lindjes dhe 14-vjetori të vdekjes së veprimtarit të çështjes kombëtare Ramush Ramës, bazohet kryesisht në kujtimet e autorit për të dhe i trajton rrjedhat politike, ekonomike, sociale, arsimore dhe kulturore, në kontekst të asaj kohe kur Ramush Rama, paraprakisht ishte mësues dhe inspektor arsimi në Këshillin e Rrethit të Llapit, drejtor i konviktit në Shkollën Normale të Prishtinës, gazetar, kryetar Komune në Podujevë si dhe kryetar i Këshillit për Arsim, Kulturë dhe Shkencë në Kuvendin e Kosovës.
Faik Hoxha, autori i monografisë që u promovua të martën në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, ka deklaruar para të pranishmëve se ngjarjet përshkruese, me vlerësimet përmbajtjesore të sistemuara në këtë monografi, qartësojnë rrugën jetësore të Ramush Ramës, e cila ishte përplot me sfida, rreziqe dhe kontradikta shoqërore. Ai tha se një monografi të tillë do të duhej ta punonin historianët vendorë, por, siç ka thënë ai, meqenëse ata ishin të ngarkuar me çështje tjera, përgjegjësia i ka rënë atij ta shkruaj këtë monografi.
“Në të gjitha pjesët e kësaj monografie, në frymën ramushiane, u trajtua personaliteti i tij dhe u cilësua si njeri me vlera të larta humanitare, patriotike dhe intelektuale dhe me vizion largpamës. Patriotizmi, vendosmëria dhe guximi fenomenal intelektual, të mëshiruar në karakterin e tij, pothuajse, në të gjitha fazat e zhvillimit dhe emancipimit të qenies dhe vetëdijes kombëtare, e bëjnë atë personalitet të veçantë nga të tjerët”, ka thënë autori Hoxha, duke shtuar se veprimi me vendosmëri dhe guxim, në situata të ndërlikuara politikisht dhe të pakëndshme, rrezikonin, jo vetëm jetën e Ramush Ramës, por edhe të atyre që e shoqëronin në realizimin e synimeve të tij gjithëkombëtare.
“Veprimet e tij në situata, që konsideroheshin si të pavolitshme, që përbënin kalim radikal të shtetit administrativ dhe të burokratizuar, në një formë shtetërore, më pak të etatizuar dhe e diskriminuar, sa i përket qeverisjes, ishin aq të furishme, nganjëherë edhe rebeluese, sa që elitat partiake të të dy niveleve nuk merrnin guxim t’i dilnin përballë Ramush Ramës”, tha autori Hoxha.
Recensenti i monografisë, prof. dr. Shefqet Riza, ka thënë se kjo monografi e shkruar nga Faik Hoxha është mjaft e qëlluar dhe me shumë vlera, pasi protagonisti në veprën e tij, ka lënë gjurmë në fushën e udhëheqjes se arsimit, kulturës, shkencës, politikës dhe avancimit të çështjes kombëtare për afërsisht katër dekada.
“E përgëzoj Faikun për guximin dhe kohën e shpenzuar për të shkruar këtë monografi për Ramush Ramën, sepse ka pasur për kë të shkruajë. Kjo monografi është shkruar rrjedhshëm, qartë e saktë, me një stil të njeriut të matur. Ngjarjet për këtë personalitet janë zhvilluar e janë thënë në mënyrë kronologjike, të sakta, pa teprime e ekzagjerime. Faiku me këtë e ka dëshmuar se ka prirje për të shkruar dhe për t’i nxjerrë në letër ngjarjet e zhvilluara në kohë dhe hapësirë që lidhen me personalitetin e Ramush Ramës”, ka theksuar Riza.
Në promovimin e monografisë “Ramush Rama (1934-200) Veprimtar i çështjes kombëtare”, me një fjalë rasti i kanë përshëndetur të pranishmit e shumtë Akademik Mehmet Halimi, në cilësinë e redaktorit dhe lektorit të kësaj monografie si dhe vajza e vetme e Ramush Ramës, Iliriana, që prej shumë vitesh jeton dhe vepron në SHBA.
Monografia kushtuar veprimtarit Ramush Rama, ka gjithsej 258 faqe dhe është botuar nga shtypshkronja “Koha”./KultPlus.com