Një nga ngjarjet më të bujshme në vendin tonë, për të cilën bëhen edhe në kohën e tanishme diskutime të shumta të pasqyruara në shtyp dhe media, madje edhe në mjaft botime studimore dhe letrare si romane etj., është edhe ajo e vdekjes së ish-kryeministrit Mehmet Shehu.
Sipas versionit zyrtar, Mehmet Shehu, kryeministër i Republikës Popullor Socialiste të Shqipërisë, natën e 17 dhjetorit të vitit 1981, në një moment krize nervore, vret veten, sepse në një mbledhje të fundit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të P.P.Sh.-së, ai sapo ishte kritikuar shumë ashpër nga Enver Hoxha dhe anëtarët e tjerë të kësaj Byroje. Por ky version, pas viteve 1990-të, nga të afërmit, miqtë e Mehmet Shehut dhe shumë dashamirës të tjerë të tij, nuk u pranua. Ata kanë shpallur publikisht, se ai është vrarë.
Argumenti shkencor kryesor i vrasjes, mbështetet në faktin, që pas kësaj ngjarjeje të rëndë, nga instancat e larta të shtetit dhe partisë, nuk u lejua të bëhej autopsia e kufomës së Mehmet Shehut, ndërsa në raste të tjera të ngjashme, ajo është kryer. Që atëherë, në media dhe shtyp, ka pasur artikuj dhe libra të shumta, që përpiqen të argumentojnë vrasjen.
Nga ana tjetër, njerëzit e rrethit të Enver Hoxhës, të afërmit, ata që i kishin shërbyer atij dhe shumë pasues të tjerë të tij, mbrojnë variantin zyrtar të vetëvrasjes.
Pikërisht, në këtë kohë, rreth viteve 2000, kryesisht për të përforcuar këtë qëndrim, u botuan në shtypin tonë të përditshëm, materialet kryesore të dosjes hetimore të vdekjes së Mehmet Shehut, ku përfshiheshin edhe proces-verbali i këqyrjes së vendit të ngjarjes, aktet e ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe kriminalistike, të shoqëruara me foto të shumta të kufomës, si dhe dëshmitë e familjarëve dhe personave që i kishin shërbyer Mehmet Shehut, ditën para se të vdiste.
Por argumenti më i rëndësishëm, që mbështeste vetëvrasjen, pa dyshim ishte e ashtuquajtura letra e lamtumirës të Mehmet Shehut, që ai kishte lënë para se të vriste veten, që u shfaq dhe u botua në vitet 2000, nga Paskal Milo, pra mbi 20 vite pas vdekjes së Mehmet Shehut. Më pas ka pasur mjaft diskutime, madje të botuara, me arsyetime të shumta të stisura, kryesisht të karakterit psikologjik, që përpiqen të përforcojnë versionin zyrtar të vetëvrasjes.
Në këto rrethana, unë si ekspert mjeko-ligjor, por që tashmë kam dalë në pension dhe nuk punoj më në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, nuk mendoj se do të shkel parimin e konfidencialitetit, po ta analizoj këtë ngjarje për të cilën detajet dhe ekspertimi i saj, janë paraqitur dhe diskutuar në të gjitha hollësitë e tyre, në shtypin dhe median e vendit tonë. Po kështu, besoj se nuk do të prek as dinjitetin dhe pavarësinë e kolegëve të mi, që kanë kryer ekspertimin e këtij rasti, aq më tepër që, edhe ata kanë dalë në pension, apo ndonjëri prej tyre nuk jeton më.
Në të vërtetë, ideja që ta shqyrtoj këtë ngjarje, në lidhje me ekspertimin e saj, më ka lindur që prej shumë vitesh, por mendoj se vetëm tani, ka ardhur koha që unë ta bëj këtë analizë, kjo në frymën e mjekësisë ligjore kriminalistike, për të dhënë një mendim sa më të pjekur, mbi të vërtetën e kësaj ngjarjeje, i cili do të shërbejë për një sqarim sa më plotë, të opinionit të vendit tonë.
Siç dihet, mjekësia ligjore kriminalistike, merr parasysh jo vetëm të dhënat e këqyrjes së kufomës, por edhe materialet hetimore, ato kriminalistike dhe shumë të tjera, për të ndihmuar organet e drejtësisë, që ta rindërtojnë nga ana mjekoligjore dhe kriminalistike ngjarjen kriminale, për t’u bërë kështu i mundur, klasifikimi juridik i saj: vrasje, vetëvrasje, apo aksident.
Cilat janë të dhënat e këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe kufomës si dhe të dokumenteve të ekspertimeve mjekoligjore kriminalistike etj.
-Në proces-verbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, të kryer nga kryetari i hetuesisë të Tiranës të asaj kohe, me pjesëmarrjen e shefit të byrosë së ekspertimit mjeko-ligjor në Tiranë, një eksperti tjetër mjeko-ligjor si dhe një eksperti kriminalist, përshkruhet me hollësi dhoma e gjumit të shtëpisë, ku u gjet i vdekur kryeministri Mehmet Shehu.
Në këtë dhomë, midis të tjerave, përshkruhet një krevat me gjerësi 181 cm. dhe lartësi 90 cm., si dhe një komodinë në anën e majtë të krevatit. Në komodinë, gjenden sende të ndryshme, si medikamente etj., po kështu një gotë me lëng të verdhë dhe një gëzhojë predhe pistolete, të kalibrit 9 mm., që në nuhatje, ka erë të lehtë baruti.
Krevati ka sustën në formë divani, një dyshek të trashë dhe sipër tij, një të hollë, çarçaf të bardhë dhe një batanije dopio e një teke. Në anën e majtë të krevatit, gjendet kufoma, seksi mashkull, mosha rreth 70 vjeç, e shtrirë në shpinë, me kokën pak të ngritur, të vendosur në dy jastëkë dhe një batanije të palosur poshtë tyre; të dy duart janë të thyera në bërryla të mbështetura në trup me gishtat gjysmë të mbledhura; trupi është i mbuluar me batanije dhe çarçafin e krevatit, gjer afër mjekrës.
Pas lëvizjes së kufomës, shihet në buzën e poshtme, gati në mes të jastëkut të sipërm, një vrimë depërtuese me diametër 0.5 cm. me një njollë me ngjyrë të kuqe, të errët, sipër përreth saj, 3 x 3 cm; në jastëkun e poshtëm ka një vrimë 0.5 cm., në pjesën e sipërme të së cilës, 4 cm. majtas, ka një njollë me ngjyrë të kuqe të errët, 1 x 1 cm. Në batanijen e palosur në tetë pjesë, në buzën e poshtme, gati në mesin e saj, ka një vrimë depërtuese me diametër 0.5 cm. Në çarçaf, ngulur në dyshek, 49 cm. nga e majta dhe 23 cm. nga kreu, gjendet një predhë e kalibrit 9 mm., e cila merret si provë materiale.
Pothuajse në mesin e krevatit, mbi batanijen e sipërme, 48 cm., larg nga dora e djathtë dhe në të djathtë të kufomës, ndodhet një pistoletë e tipit “Makarov”, prodhim i vitit 1954, me një fishek në fole dhe pesë fishekë të tjerë në krehër. Veshja e kufomës, përmban sipër: një këmishë të bardhë, pupline dhe një kanotiere të bardhë, me 3 kopsa (disa prej kopsave të këmishës dhe kanotierës janë të zbërthyera), ndërsa poshtë, ka një palë pizhame.
Në anën e majtë të këmishës, 14 cm. nën qepjen e jakës së saj dhe 9 cm., majtas buzës së vrimave të kopsave, shihet një dëmtim i çarë, në formë kryqi, me përmasa 3 x 2.3 cm; buzët e dëmtimit kanë ngjyrë të errët, veçanërisht, më e theksuar në pjesën e sipërme, rreth e përqark materiali i këmishës, në vendin e mësipërm, paraqitet me nuancë të errët, në një zonë që shtrihet nga e djathta, në lartësinë 1.1 cm., nga ana e majtë, 1 cm. sipër dhe poshtë 0.5 – 0.8 cm.
Poshtë këtij dëmtimi të këmishës, fillon një njollë me ngjyrë të kuqe me trajtë të çrregullt, me përmasa 5.3 x 4 cm. Në anën e majtë të kanotierës dhe pikërisht 12 cm. poshtë jakës dhe 10 cm. larg hapjes së gjoksit, shihet një dëmtim në trajtë pothuajse të rrumbullakët dhe me diametër rreth 1.4 cm; buzët e dëmtimit, paraqiten me ngjyrë të errët.
Rreth e përqark dëmtimit, në një masë rreth 1 cm., ka një hematomë gri, 2 mm. poshtë dëmtimit, fillon një njollë ngjyrë të kuqe, që fillon 12 cm. sipër saj, në trajtë vizash të fshira, ndërsa poshtë, zgjerohet deri në 12 cm. dhe kap gjithë këmishën, duke u shtrirë deri në fund, 30 cm.
Në pjesën e pasme të kanotierës, 26 cm. nën qepjen e jakës, afërsisht në mesin e saj, duket një dëmtim në formë gati të rrumbullakët, me diametër 0.6 cm., me buzë të përveshura nga jashtë.
Në përshkrimin e kufomës, midis të tjerave, shënohet se:
-Në anën e majtë të kraharorit, 6.5 cm. nga vija e mesit, 3 cm. mbi nivelin e thithkës dhe 10.5 cm. poshtë klavikulës, ka një defekt vezak të indeve të buta, 1.2 x 1.1 cm., me unazë dërrmishjeje përreth, me gjerësi 2.5 mm,, me minus ind.
-Në anën e majtë të shpinës dhe pikërisht 7.5 cm. nën këndin e shpatullës dhe 5 cm. nga vija e mesit, shihet një dëmtim i indeve të buta, gati i rrumbullakët, me diametër 0.6 cm.
-Në thoin e gishtit të madh të dorës së djathtë dhe 2-3 mm. majtas tij, ka njolla blu të errët, që nuk fshihen.
Gjatë këqyrjes së jashtme të kufomës, nuk u vunë re dëmtime të tjera.
-Në aktin mjeko-ligjor të ekzaminimit të kufomës së qytetarit M. Shehu bëhet po ai përshkrim si në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, por në lidhje me pikat e errëta me ngjyrë blu të thoit të gishtit të madh të dorës së djathtë, shënohet se ato janë nga veprimi i copave të barutit, po kështu është shtuar se dora e djathtë është e mbledhur grusht me gishtin tregues më afër pëllëmbës.
Konkluzioni i këtij akti paraqitet si vijon:
Në trupin e kufomës së qytetarit Mehmet Shehu, u konstatua një plagë e tejpërtejmë arme zjarri, me vrimë hyrje në pjesën e përparme të majtë të gjoksit dhe me vrimë dalje, në pjesën e majtë të shpinës, me karakteristikat e përmendura në pjesën përshkruese të këtij akti.
Dëmtimet e mësipërme, janë shkaktuar nga një qitje e vetme arme zjarri, në distance me puthitje jo hermetike dhe me drejtim nga përpara-prapa, lehtësisht nga e djathta në të majtë dhe nga lart-poshtë.
Vdekja e qytetarit Mehmet Shehu, ka ardhur nga shoku hemorragjik i shkaktuar me mundësinë më të madhe, si pasojë e çarjes së zemrës ose, të enëve të mëdha të gjakut, që dalin prej saj. Vdekja duhet të ketë ndodhur, rreth 10 – 12 orë para momentit të këqyrjes së kufomës, që u krye në orën 12:00.
Raporti i ekspertimit tekniko-balistik të pistoletës, gëzhojës dhe predhës të gjetur në vendin e ngjarjes, si dhe shenjave të gishtave të Mehmet Shehut, për t’u krahasuar me ato të gjetura në djepin luajtës të pistoletës.
Nga ky ekspertim, i kryer ditën e këqyrjes së vendit të ngjarjes (18 dhjetor 1981), i plotësuar edhe me provat e bëra me reaktivët Griss dhe Difenilaminë për zbulimin e faktorëve plotësues të qitjes, u arrit në përfundim se; në pistoletën, teknikisht e rregullt dhe e përshtatshme për qitje, janë bërë qitje sot; gëzhoja dhe predha të gjetura në vendin e ngjarjes, janë qitur me këtë pistoletë. Gjurma e gishtit në pistoletë, është e të njëjtit lloj, me shenjën e gishtit të madh të dorës së majtë, të Mehmet Shehut.
Nga dëshmitë e personave që e panë për herë të parë kufomën e Mehmet Shehut: djali i tij, Vladimiri, shoqëruesi Aali Çeno dhe mjekët Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku etj., rezulton se; kufoma u gjet e shtrirë në kurriz, e mbuluar me çarçaf dhe batanije, deri afër qafës, me syze me skelet metalik me ngjyrë të verdhë dhe me fytyrë drejt nga tavani. Mjeku Llesh Rroku, pa rreth 1 m. larg krevatit, një gëzhojë që e mori dhe e vendosi sipër komodinës, në krahun e majtë të krevatit, ku ishte kufoma e Mehmet Shehut.
Nga interpretimi i dokumentacionit të mësipërm ,sipas mjekësisë ligjore kriminalistike, menjëherë të bie në sy se; përshkrimet e tyre, janë të hollësishme dhe konkluzionet e akteve mjeko-ligjore dhe kriminalistike, janë në përgjithësi të sakta, por ka edhe ndonjë mangësi të tyre.
Kështu, nuk rezulton të jetë kryer, matja e lartësisë së vrimave të plagës me armë zjarri, nga thembrat e këmbëve, apo pjesëve të poshtme të vitheve apo mollaqeve (tuberat ischiadike); po kështu, nuk rezulton të jenë kryer ekzaminimet laboratorike dhe mikroskopike, të përcaktimit të faktorëve plotësues të qitjes, në teshat dhe indet e buta rreth vrimës së hyrjes të plagës, me armë zjarri dhe të pikave të errëta me ngjyrë blu, të thoit të gishtit të madh të dorës së djathtë, të gjitha këto, shumë të rëndësishme për përcaktimin sa më shkencor të mekanizmave të kësaj ngjarjeje.
Përveç këtyre, ka edhe disa veprime, kryerja e të cilave nuk është lejuar nga instancat e larta shtetërore:
– Nuk është bërë autopsia e kufomës (u ndalua dërgimi i kufomës në morg për kryerjen e saj), pavarësisht se, në dëmtimet me armë zjarri, është më e rëndësishme këqyrja e jashtme e plotë dhe e hollësishme e kufomës. Sidoqoftë, autopsia do të bënte të mundur, zbulimin e saktë të kanalit dhe të indeve dhe organeve të prekura, nga kalimi i predhës brenda trupit, të shkakut të vdekjes me saktësi shkencore, si dhe të gjetjes së ndonjë lënde toksike eventuale, që mund të ishte përdorur para vdekjes.
– Në paraqitjen e fotove të shumta të këtij rasti, mungojnë ato të pjesës së pasme të trupit.
– Nuk është kryer ekspertimi grafik i letrës së lamtumirës, që viktima mendohet se ka lënë para vdekjes; ajo është zhdukur menjëherë para fillimit të këqyrjes së vendit të ngjarjes. Siç dihet, letra e lamtumirës, shkruhet nga personi para kryerjes së vetëvrasjes dhe lihet prej tij, zakonisht në vende që zbulohen me lehtësi, siç pretendohet edhe në rastin e Mehmet Shehut, kur kjo letër, u gjet prej të birit, te koka e krevatit ku ndodhej kufoma.
Kjo letër, duhet të shqyrtohet me kujdes nga grupi hetimor i vendit të ngjarjes, në origjinalin e saj, me qëllim për të përcaktuar se, ajo me të vërtetë është shkruar ose jo nga dora e vetëvrasësit. Për këtë, ajo duhet t’i nënshtrohet edhe ekspertimit grafik krahasues, me qëllim, për të përjashtuar falsifikimin apo ndërhyrjen e një dore të huaj, në përpilimin e saj, siç ndeshet në mjaft raste, të fshehjes së vrasjeve.
Kjo madje edhe në ato raste, kur kjo letër përmban të pasqyruara mendimet e vetë viktimës, që mund të jenë shkruar nga vetë viktima, kur ka qenë gjallë, por që më pas, janë manipuluar nga vrasësi. Këto rezerva, që vënë në dyshim vërtetësinë e letrës së lamtumirës, mund të kenë qenë edhe në letrën e supozuar të lamtumirës së Mehmet Shehut. Aq më tepër, që kjo letër e gjetur në vendin e ngjarjes, u zhduk menjëherë nga organet e Partisë dhe shfaqet pas 21 vitesh, nga kjo ngjarje. Në këto kushte, ajo nuk ka asnjë vlerë hetimore.
– Nuk është kryer një eksperiment hetimor, për rindërtimin e ngjarjes, pozicionit që ka pasur viktima në momentin e qitjes, kjo, me anë të përcaktimit të trajektores së predhës vdekje-prurëse, nga trupi, deri te vendi ku ajo u gjet, në pjesën e sipërme të dyshekut, afër kreut të tij.
Le të imagjinojmë me të dhënat që kemi, sesi duhet të ketë qenë kjo trajektore dhe pozicioni i viktimës. Kështu, në vrimat e plagës me armë zjarri, në anën e majtë të gjoksit dhe shpinës të këtij rasti, vrima e daljes, ndodhet pak më poshtë dhe më brenda (më afër vijës së mesit), kundrejt asaj të hyrjes. Kjo tregon se; kalimi i predhës në trup, ka qenë jo vetëm nga para-prapa, por dhe nga sipër–poshtë dhe nga jashtë–brenda, d.m.th., nga e majta në të djathtë (jo nga e djathta në të majtë, sikurse është shkruar gabimisht, në aktin mjeko-ligjor).
Me këto konstatime, të pasqyruara edhe në konkluzionin e aktit mjeko-ligjor përkatës, duke marrë parasysh që; plumbi është gjetur 23 cm. nga kreu i çarçafit të dyshekut të krevatit, qitja në pozicionin shtrirë, në kurriz, e viktimës mbi këtë krevat, është e pamundur të realizohet, sepse, me drejtim nga sipër – poshtë, në këtë pozicion, predha do të shkonte më afër mesit të krevatit dhe jo pranë pjesës së sipërme të tij, ku u gjet.
Më e mundshme, do të ishte që, pozicioni i viktimës, në momentin e qitjes, të ketë qenë ndenjur afër pjesës së mesme të krevatit, me gjysmën e sipërme të trupit, në pozicion vertikal. Në mbështetje të idesë që, ka qenë ky pozicioni i viktimës, në të cilin ajo duhet të ketë ndenjur për një farë kohe më të shkurtër, ose më të gjatë, pas qitjes me armë zjarri, është edhe prania e përhapur e gjakut, në trajtë njollash, në pjesët e poshtme të teshave, poshtë vrimave të predhës.
Në të vërtetë, ky pozicion ndenjur i viktimës në momentin e qitjes me armë zjarri, do të vërtetohej më me saktësi, po të ishte kryer menjëherë, ose dhe më vonë, pas ngjarjes, eksperimenti hetimor, duke përdorur një fije spangoje, ose drite lazer, të vendosur ose lëshuar sipas këndit të kësaj qitjeje dhe lartësisë së dëmtimeve, në qëndrimin ndenjur të viktimës, drejt vendit ku u gjet predha. Regjioni ku është vrima e hyrjes së plagës, me armë zjarri, në anën e majtë të sipërme të gjoksit, takohet si në rastet e vetëvrasjeve, ashtu dhe në ato të vrasjeve. Diferencën, e bën drejtimi i qitjes, apo i kalimit të predhës në trup.
Nga literatura përkatëse dhe përvoja e gjatë mjeko-ligjore dhe kriminalistike e vendit tonë, po kështu nga përvoja time personale, vetëvrasësi, synon të ketë një pozicion sa më të volitshëm dhe më të qëndrueshëm të dorës së djathtë, që mban armën, me drejtimin e qitjes nga para–prapa, horizontalisht, ose pak nga sipër dhe nga e djathta, në të majtë.
Sipas të dhënave mjeko-ligjore dhe kriminalistike të vdekjes së Mehmet Shehut, që mbështesin versionin zyrtar të vetëvrasjes, viktima, ka qëlluar veten me, armën që mbante me dorën e djathtë, e ndihmuar ndofta nga dora e majtë, që mbante pjesën e përparme të armës (gjetja e gjurmëve të gishtit të madh të dorës së majtë të viktimës te pjesa e përparme e armës). Kjo, për faktin që, arma u gjet e hedhur, në anën e djathtë të krevatit, pozicioni i dorës në atë shtangësisë kataleptike (për mendimin tim, pa ndonjë bazë shkencore) dhe pranisë së barutit, në gishtin e madh të dorës së djathtë (konstatim ky, i pavërtetuar qoftë edhe me një analizë të thjeshtë laboratorike për të përjashtuar një prejardhje tjetër).
Me këto të dhëna, sipas versionit të vetëvrasjes, drejtimi i qitjes, sipas pozicionit më të volitshëm të dorës që mbante armën, duhet të kishte qenë nga para–prapa dhe horizontalisht, ose, për nga sipër dhe nga e djathta në të majtë. Por ky drejtim, nuk është konstatuar në rastin e vdekjes së Mehmet Shehut. Ai ka qenë, nga para–prapa, por jo horizontal ose nga poshtë-sipër, por nga sipër-poshtë dhe jo nga e djathta në të majtë, por, nga e majta në të djathtë. Ky drejtim qitjeje, me të dhënat e tjera të pozicionit të viktimës, flet në mënyrë të qartë se, ky është një rast i pastër vrasjeje.
Pra, mundësia më e madhe është që; vdekja e Mehmet Shehut, të ketë qenë vrasje. Ekzekutori, që duhet të ketë qenë më këmbë në të majtë të krevatit, më përpara dhe pak më lart vendit ku qëndronte ulur Mehmet Shehu, pak a shumë përballë tij, e ka qëlluar viktimën, me armë zjarri, në anën e majtë të gjoksit, me një drejtim të qitjes, më të volitshëm për të: nga para–prapa, nga sipër–poshtë dhe pak nga e majta, në të djathtë, siç ka rezultuar nga ekzaminimet mjeko-ligjore dhe kriminalistike, të kësaj ngjarjeje.
Kjo analizë e materialeve te këtij rasti, mua më përforcojnë bindjen, në përputhje kjo, edhe me të dhënat e tjera (mos lejimi i kryerjes së autopsisë, fshehja e të ashtuquajturës letër e lamtumirës për t’u rishfaqur pas 21 vitesh etj.) dhe mendimin e shprehur më herët, ose më vonë, në favor të homicidit, të disa prej mjekëve që kanë këqyrur, apo ekzaminuar kufomën, menjëherë pas kësaj ngjarjeje, që vdekja e Mehmet Shehut, ka qenë vrasje dhe jo vetëvrasje. Memorie.al