Qendër informuese për shëndetin e gruas edhe në Dragash

Me një ceremoni zyrtare sot, në Dragash, u hapën dyert e Qendrës informuese për shëndetin e gruas “Klasat për nëna” në Dragash, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF). Kjo iniciativë është bërë e mundshme falë bashkëpunimit të Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Komunës së Dragashit, QKMF-së, Bankës Raiffeisen dhe Aksionit për Nëna dhe Fëmijë.

“Themelimi i Qendrës në Dragash shënon pikën e 9-të në Kosovë që inkuadron programin edukativ të qendrave si pjesë të shërbimit ditor për shëndetin e nënës dhe fëmijës në nivelin primar. Qendra “Klasat për nëna” në Dragash do të ofrojë shërbime edukative, aktivitete të mirëqenies fizike dhe psikike, informacione këshilluese për kujdesin para dhe pas lindjes, depresionin e pas lindjes, ushqyerjen me gji, kujdesin për të sapolindurin, të ushqyerit e foshnjës, imunizimin si dhe kujdesin ndaj fëmijës,” u shpreh përfaqësuesja e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë, Albiona Beselica Beha.

“Banka Raiffeisen vazhdimisht i ka kushtuar vëmendje të veçantë përkrahjes së shëndetësisë meqenëse shëndetësia është një fushë më specifike. Ne jemi shumë të kënaqur që mund t’iu ofrojmë nënave të reja qendra edukative si kjo. Banka Raiffeisen mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar shëndetësinë,” u shpreh z. Robert Wright, drejtor i Bankës Raiffeisen.

Qendra Informuese në Dragash është e hapur çdo ditë pune për të gjitha gratë e vajzat e Dragashit, si dhe partneret e tyre.

Që nga viti 2014, kur u themelua ky program, ‘Klasat për nëna’ janë të shtrira në 8 komuna të Kosovës: Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë, Prizren, Kaçanik, Pejë, Shterpcë dhe Dragash.

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë është fondacion humanitar që i përkushtohet shpëtimit të jetës së fëmijëve dhe nënave në Kosovë.

Më Shumë

Në Vërmicë po rregullohet shtrati i gurrës dhe rruga fushore

Drejtori i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Prizren, Nderim Kadriaj, ka përcjellë nga afër punimet që po zhvillohen në fshatin Vërmicë, ku po realizohet...

Vreshtarët përfitues në Rahovec mund të furnizohen me preparat për luftimin e cikadës

Drejtoria për Bujqësi në Komunën e Rahovec ka njoftuar vreshtarët përfitues se mund të furnizohen me preparatin për luftimin e insektit cikada në pikën...

Lajmet e Fundit