Tridhjetepesë meshkuj dhe vetëm pesë femra. Kjo ka qenë fotografia e cila është parë pas mbledhjes së përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit. Deputetet dhe aktivistet e shoqërisë civile në Kosovë kanë thënë për Telegrafin se kjo fotografi është refleksion i mungesës së vullnetit që femrave t’ju besohen më shumë përgjegjësi në politikë.
Kryetarja e grupit të grave deputete të Parlamentit të Kosovës, Teuta Sahatçiu, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës theksoi se në institucionet e të dyja vendeve femrës nuk ia kanë dhënë hisen që i takon.
Sipas saj, dominimin e gjinisë mashkullore mund ta shohim edhe në të dyja parlamentet – atë të Kosovës dhe atë të Shqipërisë.
“Më duhet të them që sado që ka pasur avancim në përfaqësimin e femrave në Kosovë, ekzekutivi i Republikës së Shqipërisë ka përfaqësim më të madh të femrave sesa ekzekutivi kosovar. Sipas statistikave, femrat e paraqesin gjysmën e shoqërisë dhe atyre u takon që të kenë përfaqësim më të lartë nëpër institucione”, ka thënë Sahatçiu për Telegrafin.
Shqipe Pantina nga Qendra për Politika dhe Avokim, theksoi për Telegrafin se përkundër disa veprimeve ligjore afirmative që janë ndërmarrë për përfshirjen e gruas në vendimmarrje, institucionet e Kosovës, por edhe ato në Shqipëri, ende ngjajnë si oda burrash, ku politika i takon vetëm gjinisë së fortë.
“Partitë politike dhe liderët, në veçanti, duhet të krijojnë më shumë hapësirë për përfshirje të gruas në pozita vendimmarrëse. Por, edhe femrat duhet të insistojnë më shumë për angazhimin e tyre në jetën politike, në mënyrë që të arrijnë në pozita të larta udhëheqëse. Në Kosovë janë shënuar disa të arritura në këtë fushë, si p.sh. zgjedhja e presidentes së Kosovës Atifete jahjaga, pastaj zgjedhja e Mimoza Kusari-Lilës në krye të komunës së Gjakovës. Por, kjo nuk është e mjaftueshme”, ka thënë ajo.
Pantina shprehet se jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por edhe në rajon femra është pak e përfaqësuar në jetën politike dhe në organet vendimmarrëse, duke shtuar se për t’u rritur përfaqësimi i femrës nëpër institucione, duhet edhe një angazhim më i madh i saj.
“Femra duhet të jetë më shumë e përfaqësuar në strukturat udhëheqëse partiake e pastaj edhe në institucione. Po ashtu, femrës duhet t’i jepet më shumë hapësirë në bërjen e politikave ku ajo mund të jap edhe kontributin e saj profesional”, ka shtuar ajo.