17.6 C
Prizren
E hënë, 15 Shtator, 2025

Qindra biznese u mbyllën në 6-mujorin e parë, e qindra të tjera u hapën

Qindra biznese në Kosovë janë mbyllur për gjashtë muajt e parë të këtij viti. Agjencia Kosovare e Bizneseve dhe Administrata Tatimore e Kosovë japin shifra të ndryshme për numrin e bizneseve që janë mbyllur. Arsyet e mbylljes së tyre theksojnë se janë të ndryshme. Ndërkohë, nuk është i vogël numri i bizneseve tjera që janë hapur në periudhën e njëjtë.

Shumë biznese në kryeqytet janë të kyçura me dry. E situatë e njëjtë është edhe tek shumë biznese tjera në Kosovë. Në vend të pritjes së klientëve, dyqanet e bizneseve kanë të vendosur mbishkrime të tilla si: “Jepet lokali me qira”.

837 biznese në Kosovë janë mbyllur për gjashtë muajt e parë të këtij viti. Shifrat janë të Agjencisë Kosovare të Bizneseve. Megjithatë, më shumë është numri i atyre që janë hapur.

“Këto dy vitet e fundit nëse e marrim gjashtëmujorin e parë të vitit 2023 janë regjistruar 5754 biznese, kurse këtë vit janë mbyllur rreth 837 biznese”, tha për RTK-në, Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve.

Por shifra të tjera të bizneseve të mbyllura jep Administrata Tatimore e Kosovës.

“Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, bizneset të cilat në bazë të procedurave që parashihen me legjislacionin tatimor, gjithsej të mbyllura janë 137 biznese”, tha Valentina Bytyqi, zëdhënëse e ATK-së.

Sidoqoftë, konfirmohet se kjo shifër e mbylljes së bizneseve mund të mos jetë e saktë.

“Kemi edhe shumë biznese, të cilat e kanë lajmëruar mbylljen, mirëpo nuk i kanë respektuar procedurat”, shtoi ajo.

Pronarë të bizneseve të mbyllura, të kontaktuar nga RTK, prapa kamerave deklarojnë se i kanë mbyllur bizneset sepse nuk kanë pasur fitim. E njohës të ekonomisë, japin edhe arsye të tjera përse mbyllen bizneset.

“Çdo ditë kemi kamata të larta bankare, çdo ditë kemi rënie të importeve, rënie të qarkullimit dhe e tëra kjo e rëndon ambientin e të bërit biznes. Krejt kësaj i shtohet edhe fakti që përveç çmimit të rritjes së kredive, kemi edhe migrim apo Kosova ballafaqohet me pandemi demografike”, tha Safet Gërxhaliu – ekonomist.

E mungesa e përkrahjes institucionale shihet si një arsye më shumë. Fjolla Smaili, zëdhënëse për medie në Dhomën e Industrisë dhe Tregtisë u shpreh: “Mungesa e një përkrahjeje solide nga ana e Qeverisë së Kosovës për bizneset, të cilat kanë qenë në nevojë, ka bërë që këto të fundit të mos kenë një zgjidhje tjetër, përveç se ta shpallin biznesin e tyre joaktiv”.

RTK ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Tregtisë, Industrisë e Ndërmarrësisë në lidhje me arsyet e mbylljes së bizneseve, por deri publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.

Më Shumë

Mike Tyson trondit botën me rrëfimin e tij: Kam përdorur drogë për të përballuar dhimbjet

Legjenda e boksit, Mike Tyson, ka bërë së fundmi një pranim të habitshëm duke zbuluar se përdorte fentanyl për të përballuar dhimbjet gjatë karrierës...

Arbër Rexhaj publikon fotografi me Nezir Çoçajn në Prizren

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka publikuar një fotografi në Facebook ku shihet duke pirë kafe me kandidatin e Nismës për Kuvendin Komunal...

Lajmet e Fundit