Letër e hapur votuesve të mi
Shkruan: Alma Lama
Të dashur votues,
Kam vendosur t’ju drejtohem të gjithëve ju, që kur u afruat pranë kutive të votimit, në zgjedhjet e vitit 2010, në mendje kishit emrin tim, dhe dora juaj rrumbullakësoi pikërisht numrin që përkonte me këtë emër.
Ju drejtohem sepse në një shoqëri demokratike, të vetmit që japin legjitimitet demokratik, janë pikërisht votuesit, pjesë e sovranit që quhet popull. Vetëm ju mund t’i jepni mundësinë dikujt t’ju përfaqësojë, të bëhet zëri juaj.
Ndihem e privilegjuar që ma dhatë mundësinë të bëhem pjesë e Kuvendit të Kosovës, institucionit më të lartë në vend dhe jam e vetëdijshme çdo çast për përgjegjësinë e madhe që kam marrë mbi supe.
Me një vetëdije të tillë, jam përpjekur të jem zëri juaj, zëri i mijëra njerëzve që e dëshironi një Kosovë të ndryshme nga ajo që është sot, që dëshironi një shtet më të fortë, më demokratik, një shtet që kujdeset për ju, që respekton e garanton liritë tuaja, që i respekton miqtë që na dolën në krah, atëherë kur gjysma e kombit- Kosova rrezikohej nga zhbërja.
Po ju drejtohem ju sepse jeni të vetmit që ndjej obligim t’ju shpjegoj situatatën e krijuar përreth meje dhe subjektit politik ku bëj pjesë.
Në tetor të vitit 2010 iu bashkova Lëvizjes Vetëvendosje! me dëshirën dhe vullnetin më të mirë për të dhënë kontributin tim për ndërtimin dhe konsolidimin e demokracisë në shtetin e Kosovës.
Iu bashkova Lëvizjes Vetëvendosje! me besimin e plotë se vetëm në këtë subjekt mund të punoja për çuar përpara ëndrrën tonë të përbashkët për bashkim kombëtar.
Iu bashkova Lëvizjes Vetëvendosje! pa pasur as dyshimin më të vogël se kjo organizatë do bënte çmos për të ruajtur identitetin tonë kombëtar, atëherë kur ndonjë gjarpër i pabesë do të tentonte të na futej në gjirin tonë për të na e helmuar shpirtin dhe mendjen, siç na ka ndodhur shpesh përgjatë historisë.
Iu bashkova Lëvizjes Vetëvendosje! me bindjen e plotë se kjo do të ishte gjeneratori i moderimit të shoqërisë, i instalimit të kulturës demokratike përendimore, që do ta dërrmonte politikën klienteliste, klanore e të errët që sot po e mban peng politikën dhe vetë jetën.
Iu bashkova Lëvizjes Vetëvendosje! sepse i besova programit të saj.
Iu bashkova Lëvizjes Vetëvendosje! sepse kam besuar se vërtete kjo lëvizje do t’i kthejë politikës moralin e munguar.
Sot, pas më shumë se dy vitesh e gjysmë që jam pjesë e këtij subjekti politik, mund t’ju them se shumica e koncepteve dhe parimeve që permenda më lart, janë ngulfatur dhe zvetënuar nga radikalizmi, nga mjetet të cilat shpesh përfundojnë në promovim të dhunës, e që kompromentojnë çfarëdolloj qëllimi të mirë.
Radikalizmi po i ngulfat edhe vlerat më të mira që i kanë shumica e vajzave dhe djemve të Vetevendosjes!
Qytetarët e Kosovës kanë kaluar nëpër periudha shumë të dhimbshme të dhunës së imponuar, plagët janë ende të hapura, dhe unë mendoj se riciklimi i saj, në çfarëdolloj niveli apo intensiteti, qoftë edhe simbolik, nuk i ndihmon askujt, as qytetarëve, as demokracisë, as imazhit të Kosovës, as interesit kombëtar.
Përdorimi i dhunës si mjet për arritjen e synimeve politike, nuk ka qenë pjesë të programit të Lëvizjes, por kjo po ndodh në praktikë gjithnjë e më shpesh. Asnjë forcë serioze nuk mund të ecë përpra duke u bazuar në këtë mjet. Mjeti i gabuar degradon vetë qëllimin.
I kam shprehur në mënyrë të vazhdueshme këto brenga dhe qëndrime të mia brenda Lëvizjes, kam kërkuar me ngulm që të respektojmë rregullat e lojës demokratike, të respektojmë institucionet dhe ligjin, por për fat të keq zëri im nuk është dëgjuar, ka qenë vazhdimisht i izoluar brenda strukturave, ku debatet janë vetëm nuance e së njejtës ngjyrë.
Kam shpresuar gjatë gjithë kësaj kohe se gjërat do të ndryshojnë me jetën institucionale, që kjo do të sillte edhe pjekurinë politike. Mirëpo kjo nuk po ndodh, përkundrazi, radikalizmi po thellohet nga dita në ditë. Jemi dëshmitarë të gjithë të asaj që ndodhi në Kuvendin e Kosovës; në tentativën për të ndaluar deputetët të hyjnë në Kuvend, në trajtimin jodiplomatik që iu bë ambasadores së vendit që është mbështetësi më i madh, i lirisë dhe pavaresisë së shtetit të Kosovës; në përleshjet e vazhdueshme me policinë me qëllimin për të prodhuar konflikt; në polarizimin e skajshëm të shoqërisë.
Unë nuk mund të pajtohem me këto sjellje, nuk mund t’i mbështes. Janë plotësisht në kundërshtim me bindjet e mia.
Nuk pajtohem me politikat e qeverisë aktuale, kam qenë dhe jam kritikuese e ashpër e praktikave korruptive të qeverisjes, e dështimit në bisedime me Serbinë, e dhënies së autonomisë për serbët në veri. Vota ime ka shkuar kundër të gjitha këtyre vendimeve, por nuk mund të pajtohem kurrsesi që sjellja irracionale të zëvendësojë racionalen, që dhuna të zëvendësojë argumentet, që polarizimi i shoqërisë të zëvendësojë tolerancën, dhe të gjitha këto sjellje të dëmshme, aspak të mos e ndryshojnë realitetin e kritikuar. Përkundrazi, thjesht po e legjitimojnë qeverisjen e korruptuar, e cila për ironi, shpesh bëjnë të duket më e moderuar.
Përgjatë gjithë kësaj kohe, kam kuptuar se nuk janë vetëm metodat me të cilat unë nuk pajtohem, por janë edhe vetë konceptet ideologjike të Lëvizjes Vetëvendosje!. Unë jam për demokraci liberale, për respektimin e lirisë së individit, të sferës private, për lirinë e tregut, jam për korigjimin dhe përmirësimin e përditshëm të sistemit demokratik, jo për ideologji të tjera dhe ndryshime radikale të cilat do të mund të kishin pasoja fatale.
Të dashur votues,
Nuk mund ta fsheh para jush se ndihem thellësisht e zhgënjyer nga qëndrimi më i fundit i Lëvizjes Vetëvendosje! në lidhje me fenë dhe raportin me identitetin tonë kombëtar. Flirtimi politik me rrymat radikale fetare, qoftë edhe për arsye pragmatike siç është vota, për mua është joparimor dhe për pasojë i papranueshëm. Janë disa arsye të fuqishme që më shtyjnë drejt këtij qëndrimi por më kryesorja sepse jam e bindur se këto rryma, të cilat nëpërmjet indoktrinimit fetar të popullatës, synojnë identifikimin me fenë dhe jo me kombin, na e rrezikojnë identitetin kombëtar, na çojnë në regres, në epokën e diskriminimit të grave, larg kulturës përendimore. Këto rryma në fund të ditës, mund të na e rrezikojnë lirinë, për të cilën u derdh shumë gjak.
Çfarëdo tendence për të keqinterpretuar fjalën time dhe qendrimet e mia publike në lidhje me fenë islame në përgjithësi, ka qenë një luftë speciale e grupacioneve të caktuara politike, të cilët i shoqëruan me kërcënime, linçim publik dhe me fyerjet më të ulëta që iu është bërë ndonjëherë grave shqiptare. Jam ndjerë e shokuar nga niveli i këtij diskursi.
Prandaj të heshtesh apo me vetëdije të mbash qëndrime relativizuese ndaj synimeve te grupacioneve të tilla, që kërcënojnë, prodhojnë gjuhën e urrejtjes, linçimit publik, fanatizmit, fondamentalizmit, antishqiptarizmit, që bëjnë diversion kombëtar, për mendimin tim është e pajustifikueshme.
Për mua pra kjo është një çështje që ndan dy botë, është një zgjedhje mes errësirës dhe dritës, prandaj dhe pozicionimi im është i pakompromis me këdo dhe kurdo.
Për mua tashmë kjo është edhe një çështje e dinjitetit personal.
E kam të qartë se politika ndërtohet mbi kompromise por një devijim kaq i madh nga parimet dhe programi, nga ana e Lëvizjes për mua ka qenë i papërfytyrueshëm.
Të dashur votues,
Për shkak të këtyre qëndrimeve të shpjeguara më lart, por dhe shumë çështjeve të tjera shumë të rëndësishme , të cilat nuk do t’i rendis në këto radhë, mua më është bërë i pamundur qëndrimi i mëtejshëm në Lëvizjen Vetëvendosje! Ndryshimet konceptuale mes meje dhe drejtuesve të LVV janë fondamentale; qëndrimet për çështjet më të rëndësishme nacionale nuk përputhen dhe metodat për të arritur synimet politike, janë të papajtueshme mes nesh.
Shpreh keqardhjen e thellë që gjërat nuk shkuan në drejtimin e duhur, në drejtimin në të cilin unë besoja kur iu bashkova Lëvizjes Vetëvendosje!, me vullnetin më të mirë që nëpërmjet saj të jepja kontributin për vendin dhe shoqërinë.
Mandatin tim si deputete në Kuvendin e Kosovës tani e tutje do ta përmbush jashtë grupit parlamentar. Do të vazhdoj të jem zëri juaj në Kuvend, deri në fund të mandatit, duke punuar më përkushtim dhe aktivizëm në interes të vendit dhe aspiratave tona të përbashkëta për demokraci dhe bashkimin të kombit.
Me respekt
Alma Lama