10.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Ramadani: PDK po bënë presion mbi Presidenten

Burim Ramadani AAKSekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramdani ka thënë se është shqetësues fakti se si PDK po bën presion publik mbi presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ramdani në një intervistë dhënë për Gazetën Blic ka thënë se qëllimi i PDK-së tashmë është shumë i qartë: konfuzioni. Ai ka thënë se PDK shumë shpejt do të nisë të tregoj përralla me mbret.

Ai ka thënë se koalicioni është shumë stabil dhe do të arrij ta formoj Qeverinë. Ai ka thënë se Kushtetuta është shumë e qartë edhe sa i përket postit të kryeparlamentarit. Grupi më i madh parlamentar e merr postin e kryeparlamentarit, dhe ai do të jetë Isa Mustafa.
Ramdani në këtë intervistë për Gazetën Blic flet edhe për prioritetet kryesore të qeverisë së re Haradinaj.

Gazeta Blic: Z. Ramadani ndërkohë që është afruar koha e konstituimit të Kuvendit të ri, janë shtuar raportimet e mediave për ofertat e PDK-së qoftë për LDK-në, për Nismën ose edhe për AAK-në, për bashkëqeverisje me ta. Mendoni se PDK do të mund ta prish koalicionin e arritur LDK- AAK- Nisma?

Burim Ramadani: Qëllimi i PDK-së tashmë është shumë i qartë: konfuzioni. Krejt çka po mundohen të bëjnë është të shkaktojnë konfuzion sa më shumë në opinion. Ndoshta shpejt do të fillojnë edhe me përralla me mbret. Por, besoj se kjo çështje është e përfunduar tashmë. PDK do të jetë në opozitë dhe koalicioni i partive tjera është stabil. Më shqetësuese është tendenca publike e PDK-së që të bëjë presion mbi Presidenten e Kosovës sa i përket mandatarit të dytë për formimin e Qeverisë. Sikurse e kemi thënë në komunikatën e përbashkët, këto forma janë plotësisht në kundërshtim me vlerat dhe normat demokratike dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që flet për diskrecionin e Presidentes në këtë aspekt.

Gazeta Blic: Një çështje tjetër që ka zgjuar shumë debat është posti i kryeparlamentarit. PDK vazhdon të insistoj se ai post u takon atyre, madje kanë caktuar edhe emrin kush do të udhëheq me Kuvendin. Çka do të ndodhë me postin e kryetarit të Kuvendit?

Burim Ramadani: Kjo është një dëshmi e pastër se PDK nuk është ende në gjendje për të kuptuar realitetin e ri politik të krijuar pas marrëveshjes së 10 qershorit. Kryetari i Kuvendit do të jetë z. Isa Mustafa, sepse është i kandiduari i Grupit më të madh Parlamentar në Kuvendin e ri. Kjo është pastër. Sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Punës së Kuvendit, qartësohet mjaft mirë procedura e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Prandaj, ndoshta kandidati i PDK-së mund të jetë “Kryetar i Kuvendit në Hije”, sepse edhe mund të krijojnë mekanzima të tillë opozitarë.

Gazeta Blic: Ende nuk kemi parë një qëndrim të qartë të Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me mbështetjen e koalicioni LDK- AAK- Nisma. Ku është vetëvendosje në raport me koalicionin, do të ju mbështes apo jo?

Burim Ramadani: Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me LVV-në dhe në diskutime programore dhe orientuese. Kemi më shumë elemente që na bashkojnë sesa që na ndajnë. Në bindjen time, do të ishte e mirë që Qeveria e ardhshme të përfshijë edhe LVV-në. Ende ka kohë dhe po vazhdojmë diskutimet.

Gazeta Blic: Gjykata Kushtetuese nuk e ka qartësuar edhe shumë mirë çështjen e mandatarit për formimin e qeverisë për herën e dytë. A mendoni se herën e dytë do ta mandatoj Ramush Haradinajn?

Burim Ramadani: Besoj se është e qartë dhe profesionale mënyra e interpretimit të Kushtetutës nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Në rundin e dytë, ne do ta bindim në formë të argumentuar Presidenten që të mandatohet Haradinaj. Pastaj, brenda pak ditësh, formohet dhe votohet Qeveria Haradinaj.

Gazeta Blic: Edhe pse ka gati një muaj që është bërë marrëveshja ndërmjet LDK-së, AAK-së e Nismës, nuk kemi parë ndonjë plan konkret për qeverisje, apo nuk i dimë kush janë prioritetet kryesore?

Ramadani: Ne jemi në fazën më të rëndësishme të harmonizimit të programeve elektorale dhe kthimit të tyre në një program qeverisës. Qeveria e ardhshme do ta luftojë pamëshirshëm korrupsionin dhe krimin. Do të jetë qeverisje demokratike, dinamike dhe efikase. Do të zhvillojë ekonominë, iniciativën e lirë të individit dhe do të përmirësojë mirëqenien sociale. Këto paraqesin fundamentin e angazhimit politik të partive të koalicionit gjatë fushatës elektorale.

Gazeta Blic: A i keni ndarë postet ministrore me partnerët e koalicionit?
Burim Ramadani: Deri më tash, ne kemi arritur të pajtohemi në parimet e marrëveshjes, ku parim themelor është “Jo Thaçi 3?, madje jo Qeverisje të menalitetit të tillë. Nuk kemi ndarë poste ministrore, sepse kjo nuk është më e rëndësishmja. Kjo do të ndodh në kohën e duhur.

Më Shumë

Juventusi nis punën për transferimin e Zhegrovës

Juventusi në verë mund të nënshkruaj me yllin e Kosovës, Edon Zhegrova. “Zonja e Vjetër” rikthehet në Ligën e Kampionëve, prandaj do të investojë në...

Kosova përfiton 90 milionë euro nga Banka Botërore

Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe zëvendëspresidentja për Evropë dhe Azi Qendrore në Bankën Botërore, Antonella Bassani, kanë nënshkruar marrëveshje për financimin e politikave...

Lajmet e Fundit