18.8 C
Prizren
E shtunë, 10 Maj, 2025

Rashiti: Tribunali, rezultat i dështimit të administrimit të huaj

NaimRashtiti-analistFaktori ndërkombëtar, i cili e ka administruar Kosovën gjatë 15 vjetëve të fundit, UNMIK-u dhe EULEX-i, nuk e ka kryer punën e vet, për të cilën kanë pasur mandat, thotë Naim Rashiti, analist i Grupit Ballkanik për Politika.

Rashiti në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, tha se Gjykata speciale për krime të luftës që do të krijohet, deri vonë nga raporti i Dick Martyt, do të jetë e mandatuar për një afat pesëvjeçar për t’i hetuar pretendimet e raportit të Martyt, të cilat prokurori i EULEX-it, Clint Williamson pretendon se i ka hetuar dhe hulumtuar.

“Prokurori amerikan pretendon se ka gjetur dëshmi. Prokurori e ka bindur një pjesë të madhe të gjithë faktorit ndërkombëtar, edhe BE-në dhe EULEX-in, se ka dëshmi të mjaftueshme për të vendosur një gjykatë speciale. Kjo vjen 15 vjet pas luftës dhe shumë vjet pas raportit të Martyt dhe tregon për Kosovën se faktori ndërkombëtar që ka administruar Kosovën, e që ka qenë prezent për shumë vjet, do të thotë UNMIK-u deri më 2008 pastaj ehe EULEX-i qe 6 vjetët e fundit, nuk e kanë kryer punën e vet, nuk e kanë adresuar çështjen, për të cilën edhe kanë pasur mandat të plotë dhe tash mbetet një barrë mbi Kosovën”, tha Rashiti.

Sipas tij, ajo që tash Kosova duhet ta kuptojë është se kjo çështje ngarkohet mbi Kosovën si shtet i ri.

“Tashmë nuk është çështje se a duhet apo nuk duhet, është çështje që, e para Kosova ta marrë këtë përgjegjësi, të japë gjithë përkrahjen e nevojshme gjykatës dhe që sa më shpejt këto pretendime të hetohen dhe kjo situatë të sqarohet, sepse po krijohet një barrë e rëndë mbi Kosovën”, u shpreh Rashiti.

Rashiti ka folur edhe për gjendjen në veri të Kosovës. Ai ka thënë se gjendja ka filluar të ndryshojë, është në startin e vet të ndryshimit.

“Kemi një shkëputje graduale apo fillim të një procesi të shkëputjes së institucioneve serbe nga veriu dhe fillim të vendosjes dhe operacionalizimit të institucioneve të Kosovës. Ky proces do të jetë i zgjatur dhe më shumë do të jetë i komplikuar për faktin se nuk ka ndonjë strategji të caktuar dhe të detajuar të tranzicionit. Atje, në veri, për shkak që deri tani ka funksionuar në tërësi administrata serbe, nuk ka mundësi të bëhet një prerje, por duhet një fazë transitore, mirëpo askush nuk e ka përgatitur këtë fazë transitore”, u shpreh Rashiti.

Sipas tij, elementet që tregojnë se veriu është drejt integrimit të Kosovës, ka mjaft. Është funksionimi i plotë i kufirit, zgjedhjet, integrimi i pjesëtarëve të ish-MUP-it në kuadër të Policisë së Kosovës, të cilët tani kryejnë detyrën nën uniformën e Kosovës, dhe nën urdhrin e komandës rajonale.

“Gradualisht, vendosja e administratave komunale, por e cila dinamikë po shkon shumë më ngadalë sesa që është dashur dhe që është pritur, dhe kjo për shumë arsye”, tha ndër të tjera, Rashiti.

Sipas tij, e para është që Beogradi ende nuk ka një agjendë të eliminimit të institucioneve serbe atje, dhe Prishtina ende nuk ka ndonjë agjendë të saktë të transformimit të plotë të institucioneve atje, dhe transformimit të veriut në kuadër të juridiksionit të Kosovës.

“Gjithçka, çdo detaj po mbetet duke u negociuar, kjo për faktin edhe që liderët e zgjedhur në veri nuk ndihen përgjegjës ndaj votuesit dhe kanë ende sfida sa i përket përkrahjes së popullatës. Ata nuk janë të zgjedhur ndihen sikur të emëruar nga Serbia pavarësisht se kanë dalë në zgjedhje dhe për çdo detaj duhet që Beogradi apo Zyra për Kosovë të jetë e involvuar, e cila po e ngadalëson procesin e vendosjes së plotë të institucioneve të Kosovës në veri”, tha ai.

Më Shumë

Lajmet e Fundit