2.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Rasti i Vaçe Zelës me të tjerë, dhe hija e harresës

Evis-NastoEvis Nasto

Nuk dua të shkruaj për dhembjen që provohet kur një njeri ndahet nga jeta, sepse të gjithë e Evis Nastodimë që koha jonë në këtë botë është e kufizuar. Nuk dua as të përlotem më shumë sesa ata që i qëndruan realisht pranë Vaçes në agoninë e sëmundjes që e mundonte prej kohësh. Mendoj se mesazhi më i mirë në ditë të tilla është për ata që mbeten pas, ata që përfaqësojnë vlerat e një brezi që punoi me pasion dhe përkushtim, por që sot po përjeton hidhësinë e harresës, pasi është lënë mënjanë.

Personalisht, dhe do të shtoja me keqardhje, i takoj një brezi që në fëmijëri i ka dëgjuar shumë pak këto emra, sepse në kapërcyell të demokracisë, disa prej tyre u lidhën gabimisht me ideologjinë e mbrapshtë të së kaluarës, ndaj dhe me nxitim u tentua që kontributet e tyre të zbeheshin. Do të doja të kisha pasur mundësinë t’i njihja më shumë dhe pse jo, t’i adhuroja për pasionin me të cilin kanë punuar, pasi vështirë ta rigjesh në ditët e sotme te dikush.

Po flas për poetë që shkruan me shpirt vargje, edhe pse në materializmin e sotëm ato janë demode, për këngëtare që i kënduan kohës që jetuan, edhe pse ajo është shumë e ndryshme nga koha që jetojmë sot, për aktorë që interpretuan në filmat e realizmit socialist, por që në një dritë tjetër, sot vlerësohen si demagogji. Të gjithë këta janë të vdekurit e harresës që ecin në hijen ku i kemi lënë. Ata enden mes botës së përtejme, ku mortja i pret për t’i rrafshuar në mënyrë të barabartë dhe botës së të gjallëve, ku shkallarja e vlerave është dëmtuar dhe vlerat autentike konsiderohen si të vjetra, të dala boje. Ndarja nga jeta e Vaçe Zelës mori vëmendjen që duhet t’i takojë me protokoll çdo personaliteti që ka kontribuar për kombin e tij, por mendoj se një tjetër vëmendje i takonte të merrte në të gjallë. Nuk është koha për brerje ndërgjegjeje dhe as për justifikime që peshojnë në tranzicionin e gjatë të shtetit të pafuqishëm shqiptar. Tek e fundit nuk mund të qahet mbi atë çfarë ka mbetur pas e nuk mund të rikthehet. Ndaj dhe largimi i Vaçe Zelës nga kjo botë duhet të kishte prodhuar të tjera mesazhe, të paktën nga gojët e atyre që jetën e kanë ndarë mes artit dhe politikës.

Kjo humbje duhet të na kishte shkaktuar të gjithëve një dhembje më të madhe, veçanërisht për ato personalitete të tjerë që kanë jetuar më Vaçen, që kanë punuar me të njëjtin përkushtim e sakrificë, por që sot janë në kufijtë e mosqenies dhe duhet theksuar, jo vetëm prej vdekjes. Çfarë po ndodh me këtë shoqëri që nuk po arrin të evidentojë vlerat e hershme të rritura në gjirin e saj? Apo nuk është përgjegjësi komunitare, më shumë sesa shtetare kjo e lënies mënjanë?

Shkrimtari Mark Tuein e cilëson vdekjen si kalimin nga një dhomë në një tjetër, por me një ndryshim të vetëm, që me transferimin në banesën e re, nuk do të mund “të cenosh” askënd. Dhe me “cenim” nënkuptohet realisht sfida që gjallon mes aftësisë dhe paaftësisë, urtësisë dhe injorancës, dinjitetit dhe servilizmit. Raporte të tilla nuk kanë më asnjë rëndësi nga Atjeposhti dhe për rrjedhojë të gjithë prej këndej flasin mirë, të sigurt se askush nuk është rikthyer deri më tani për t’i sfiduar. Sigurisht, përveç Jezu Krishtit, por ne shqiptarët jemi fortpaganë në rrënjët tona për të besuar në historinë biblike.

Mjafton të sjellësh ndërmend sa herë blasfemojmë në përditshmërinë tonë, krejtësisht pa dashur, kur përdorim termin “vdiq” dhe jo “ndërroi jetë” pikërisht se për të vdekurit tanë, pakkush beson tek ekzistenca e jetës tjetër. Ndaj dhe ndoshta mezi ç’presim në heshtje cinike, që t’i përcjellim me nderimet e duhura të harruarit e përjetshëm. Ndryshe nuk ka si të shpjegohet sesi humbja e kujtesës kundrejt atyre emrave që shkruan historinë e muzikës, letërsisë, kinemasë shqiptare…

Nëse dikush nuk është dakord me një përfundim të tillë, atëherë le të më shpjegojë apelin publik të aktores Hajrie Rondo për ndihmë, pasi vuan nga një sëmundje e rëndë.

Apo të më thotë nëse mban mend se kur ka dëgjuar për të fundit herë mbi violinistin e shquar Ibrahim Madhi? Po për fatin e Minella Borovës që emri iu harrua që më 1993 kur u largua nga Shqipëria, për t’u kujtuar vetëm ditën e ndarjes nga jeta…? A di të ma shpjegojë dikush përse-në? Kjo nuk është gjë tjetër veçse amnezi, origjina e së cilës është tek mosmirënjohja. Koncepti i kësaj të fundit gabimisht lidhet me fjalët, ndaj dhe në këto vite ne veç kemi folur për të tilla figura në përvjetorë lindjesh apo ndarjesh nga jeta, porse në të vërtetë, antipodi i saj, mirënjohja është tjetër gjë.

Referenca e duhur besoj se është John Kennedy, i cili thoshte: “Mirënjohjen më të madhe e shprehim jo përmes shqiptimit të fjalëve, por duke jetuar çdo ditë me ato vlera të krijuara prej kontributorëve më të mëdhenj të njerëzimit”. Druaj se gjatë këtyre viteve, jo vetëm që kemi harruar këta kontributorë të njerëzimit, siç i quante Kennedy, porse jemi duke harruar edhe vlerat që ata kanë krijuar.

Kjo bjerrje e pasurisë së ndërtuar prej tyre, pavarësisht kohës së çmendur që kanë jetuar, po vë në diskutim, pa kuptuar të ardhmen e këtij brezit të ri dhe të gjithsecilit prej nesh.

Më Shumë

Përfundon stinori vjeshtor, Rahoveci dimëron në vendin e parë

Me tri ndeshje të zhvilluara të enjten, ka përfunduar stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve. Skuadrat favorite nuk kanë...

Policia shqiptoi 1456 gjoba trafiku për 24 orë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 1456 gjoba në trafik. Sipas raportit të policisë, gjatë 24...

Lajmet e Fundit