Ia kujtoj zërin sapo i dëgjoj një këngë… kudo që të jem në radio, në internet… zëri I Edës spikat dhe vlera e tij është thjesht e padiskutueshme. E shijoj tani teksa dëgjoj atë ndërthurje folku shqiptar me xhazin shkrirë në një timbër të spikatur….Por kurrë nuk e kisha menduar se do të dëgjoja zërin e saj edhe pse të shkruar në një status, e zeza mbi të bardhën e Facebook-ut. Më shumë se një artikulim tingujsh që i ndjen teksa i lexon, ai status i këngëtares më befasoi, më ndricoi sa shumë dimensione mund të ketë një zë këngëtari, një zë artisti, që mbi të gjitha është një zë qytetari, një zë njerëzor që kërkon vëmendje, ngre pyetje, jep përgjigje, shpreh ndjenjat dhe mbi të gjitha refleksionet e tij realitetin.Eda Zari ka shkruar një shkrim të mirëfilltë, ndonëse me statusin e statusit në Facebook.
Është një shkrim për stacionin e trenit që nuk është më, për zhvendosjen e tij në Vorë, pra për projektin e ri që do të sjellë një stacion multifunksional, por gjetkë, larg qendrës së Tiranës.
Shkrimi i saj është i mbushur me kujtime, por nën pektun e nostalgjisë, konstaton se zëri i Edës ngrihet në regjistrin më të lartë; në zërin e qytetarit, banorit që jeton dhe kërkon të përfillet, e kur nuk dëgjohet të marrë guximin edhe për një peticion.
Shumë komente mund të pasojnë këtë shkrim të Edës për stacionin e trenit Dikujt mund të mos i pëlqejë “timbri” i zërit, por përtej kësaj ajo që vlen është se zëri është aty. Nuk është një bashkësi tingujsh mbytur brenda shpirtit, por një artikulim I vërtetë, thuajse, një këngë më vete për tu kënduar dhe për tu dëgjuar.
Mu kujtuan sa e sa artistë kryesisht amerikanë, këngëtarë e aktorë, regjisorë e piktorë që jo pak herë kanë ngritur zërin për realitetin që I rrethon. Kanë patur dëshirën që përtej veprës së tyre artistike të ndikojnë në shoqëri e pse jo edhe në politikë me pikëpamjet e tyre. Disa prej tyre mund të kenë veshur kostume partiake, mund të mbrojnë edhe presidentë në luftërat që hapin, por zëri i tyre “bën zhurmë” dhe dëgjohet. E drejta pastaj është tjetër gjë.
Teksa hedh vështrimin tek artistët tanë shoh me trishtim se në mijëra intervista të tyre nuk flitet për gje tjetër vecse për bukurinë, projektet, lidhjet dashurore, fotot skandalistike, familjen deri dhe lëvdata të tërthorta për veten. Nuk dëgjoj një zë të flasë për qytetin, për shoqërinë apo për një shqetësim shoqëror që ia vlen t’ia japësh ”borxh” zërin…
Është një zë artisti që tregon se përtej sipërfaqes, ka brumë, mendime, formim dhe shpirt, se zëri i tij nuk shërben vetëm për projektet e tij personale sado që këto kanë vlera edhe për kombin të cilit i përket. Zëri i Edës, me pro-të dhe kundra-t që mund të ngjallë në komentet rreth tij, është zëri kurajoz, zëri i munguar i artistëve të impenjuar fort në shoqëri të cilës pa dyshim që i duan vetëm të mirën.
S’ka mo qofte ke… treni!
T’mos i bie nga Zelanda e Re (për ata që nuk e dinë).
Troçthënë… s’ka mo stacion treni n’Tironën tonë!
Çfarë është kjo? Çakërrqejf i dalldisur për të lënë pseudo gjurmë mbi gjurmë?
Ç’mllef të kenë për kësilloj vendesh, ku shumëkush nga ne ka një, dy, tre a më shumë histori të shpirtit (kurdo të ketë ndodhur në atë stacion një mesele personale) që sillen ende në atë platformë, kolona e shina si xhind urtak!
Nuk jam në ujëra misticizmi, thjesht, më mpak ideja se shumë shpejt Tiranës do t’i mungojnë ato xhepat e bukur të moçëm socialë e kulturorë (këtu përmend, si shembull, shuarjen e “Kafe Kursal” me nam në qendër të Tiranës, aty ku elita shqiptare kishte “rifuxhon” e vet), ku njerëzia prej kohësh patnë ngritur statujat e kujtimeve të jetës.
Stacioni i Trenit në Tiranë qe bërë gati-gati si vakëf për të tërë. Pa përjashtim. Mirë, me shuuuuumë pak, fare pak përjashtime. Atje miletëria kryente pelegrinazhe, sikush me ritualet e tij.
E rilexoj lajmin e miratuar për prishjen e Stacionit të Trenit në Tiranë, dhe ma beh hidhërimi. Kështu më ndodhi para ca kohësh kur dëgjova zëra (bëj ‘amin’ që nuk ndodhi) për prishjen e Piramidës fakire pranë bulevardit të dashur në Tiranë.
Të jenë këto shenjat e kiametit për Tiranën? Ore, dikush edhe do thotë, apo ka thënë: Amani ore, se nuk qe ndonjë mrekulli arkitektonike, 64 vjet i ka a s’i ka ai stacion (e, mes nesh, mos më bëj të flas se erë urinë vinte shkallëve e qosheve)!
Mir mër vlla, po kur zotnija jote hala s’kish pa drit’n e dillit, e yt vlla i modhi i bite maces me lugare (përnjime, keni qenë pas shtatë malesh, prrenjsh e shpellash) ene s’ju pat ra koma noiher m’Tiron, 29,000 njerëz (burra e gra) kanë blujt kockat e tyne për t’ardh hekurudha deri m’at stacion!
Ene, si thu ti? Vetëm me punë krahu, robo!! Gjatë pushimit msonin abetaren, u jepnin noi kothere dhe, hec bab për Qaf Krrab! Se mos i nihej zoni no njonit se, gjoja parë kish për t’qen Fletrrufeja, gjonat e tjera masanej merri me men vet!
Mendoni pak vlerën lapidareske në respekt të këtyre shpirtrave! Hekurudha së bashku me Stacionin e Tiranës, në këtë rast, duhen trajtuar si objekte të cilat dëshmojnë për një etapë kohe me ngarkesë të tmerrshme diktature, duam, s’duam ne. Shumë objekte të këtij lloji mbetën pjesë e së kaluarës sonë dhe e atij brezi fatmenderosur (që i qofshim falë)!
Çdokush me një botëkuptim të shëndetshëm (duke lënë mënjanë nostalgjinë, apo, le t’i quajmë, fijet e jetës), duke i parë gjërat me largpamësi, pse jo, ashtu sikundër bën Gjermania, Amerika, Franca apo Italia, etj., etj., do thoshte:
Plane të reja pooooo, byjrem Axhi ba, Tirona t’bohet një metropol dinjitoz, e t’gjerohet e t’shtriqet, sa t’i mbajnë kokallat, se rraca ka fillu t’shtohet e t’Lulzoj, po mër çun, jom dakord!
Por aty ku duhet e me karar.
Një gjë s’më bën në këtë të tërën: pse duhet me shku n’Vorë, në një kohë kur bota i mban stacionet në kërthizë të qytetit?
“Po me urën, ç’patën xhanëm”? Ja, fiks kështu!
Më 23 shkurt 1949 u përfundua hekurudha Shkozet-Tiranë (prej 38 km) ku minatori Sadik Sinani nguli gozhdën e fundit në shinat e këtij stacioni të Tiranës.
Nga një faqe interneti shumë informative, që gjendet nën emrin http://www.t669.net kushtuar hekurudhës shqiptare (një faqe serioze, shumë e përkushtuar si dhe tejet e pasur në informacione mbi hekurudhat në Shqipëri), tregon historikun e ndërtimeve, ngarkuar me video e foto materiale interesante e mbresëlënëse, për të madh e të vogël, ku tregohen, gjithashtu, dhe pasojat të cilat çuan në mpirjen e këtyre damarëve transportues, pa të cilat bota e huaj që nga viti 1835 nuk mund të imagjinohet. Po lexoja e bridhja sytë tërë kërshëri. Dhe, po, nuk e mohoj.
Një grusht rërë nostalgjie më kish rënë kokës.
M’u ngjall fëmijëria, ato netët ku pa kast, bëhesha pjesëtare e turli bisedave që gumëzhinin nëpër shtëpi. M’u ngjall im atë (rahmet pastë) tek kuvendonte me miqtë e tij (ai qe inxhinier, specialist për tanket, diagaçët dhe tërë mjetet e blinduara ushtarake), qejflinj e adhurues të ndezur për tërë ç’kishte të bënte me botën e hekurt të trenit, shinave, teknikën dhe gjithë magjinë që fal inxhinieria mekanike. Flisnin për x lokomotivë çeke, kineze, apo përbërjen e shtresave metalore të rrotave, duke filluar kështu: “Jo, po anglezët përdorin çelik të pandryshkshëm”, “gjermanët, si kursimtarë dhe riciklues të fortë përdorin një përqindje të kthimeve dhe mbetjeve të gizës së derdhur apo plumbit”. Diskutonin mbi stampimet dhe zbukurimet e vagonëve të pasagjerëve (ca herë flisnin për dokumentarët propagandues rusë që shfaqeshin vetëm për oficerët në reparte të caktuara ushtarake), rafinimin e pistonave që tregonte libri rus “Lokomotivat e viteve ’40-‘50”, etj., etj.
Vazhdoj të eci në stacionin më të bukur të jetës sime. Fëmijëria!
Shoh fotot. “Stacioni i Trenit Tiranë”, 1975, 1980, gjithëhera paraqitet me të vetmen platformë, me ato kolonat e trasha, pas së cilave mbështesnim bokshet, furnell e ibrik, kamerdaren e zezë, kovat si dhe rrjetën time për fluturat. Pas tyre fshihesha e lozja gjithmonë me tim atë e vëllezërit, në atë dishezë ku derdheshim e dyndeshim çdo verë e xhëng vape drejt Adriatikut.
Ja, mendohem kësisoj tani, gjallërisht. Sa shumë behare të perënduar midis sot dhe “djesë” sime!
Udhëtimi me tren për ne qe përherë një mini aventurë, mbushur me gajasje (nuk i ngjante aspak atyre odiseve që kemi parë nëpër filma, ku njerëzia u hipte shinave e nisej me ditë të tëra në filifistun, niseshin për të mbërritur në një metropol të kësaj bote, ku fundi ishte ajo që u pat bërë Zoti kismet), ne niseshim me dëshira të vogla, çdo radhë sediljeje hante të njëjtën menu: bukë me djathë e domate zemër kau, dhe nga një arançatë.
Me të mbërritur treni, ashtu, pa u zbrazur vagonët, im vëlla, Iliri (u prehtë në paqe) më mbante kalaqafë, dhe unë futesha nga dritarja e vagonit (shkalafitesha dorë e këmbë, tërë eufori fëmije, që me një tak-çkraf do të bëjë një të mirë për familjen) dhe ruaja vendet. Që në shtëpi isha përgatitur për këtë aksion-ritual: që të mos më dukeshin breçkat, vishja pantallona të shkurtra. Këshillë kjo nga vajzat e pallatit. Ja, kështu punonte mendja e një 8 vjeçareje. Më qeshet. Uuuuuuuu u uh! Sa i gëzohesha vendit të dritares, dhe prisja me padurim stacionet: Kashar, Vorë (y y y y, ndjej që po firosem në mall), Sukth (aty shiteshin kaushët me thana, mana të bardhë, fiq të ardhur mirë si mjalta, misra, prevede, dhe lista s’sos), Shkozet (shumë herë zbrisnim edhe këtu) e deri në Durrës.
Oh, se desh harrova: ja, shoh në foto altopolantët ushtarakë. Hinkat e hirta, rrjepur e ndryshkur si mos o Zot, ashtu, vënë tufëkatërsh në kulm të strehës. Taaaak, më fanepset në vesh thirrja legjendare për nisjen drejt detit:
VINI RE, VINI RE! TRENI PËR DURRËS GATI PËR NISJE!
Lumturia e asaj kohe ishte si Buka.
Më mbetet peng kjo fikje drite në Stacionin e trenit t´Tiranës, por ajo që shpon është:
A u pyetën qytetarët e Tiranës për këtë vendim?
U dëgjua zëri i tyre?
Një peticion kolosal kundër kësaj shuarjeje, u krye?
A pati një shans kuraja civile kryeqytetase për t’u marrë në konsideratë nga “Madhnit”?
Një mik, më në fund, më ndriçoi:
Pakkush që merr frymë në Tiranë ka këto kujtime e mejtime që po më thua. Kush ta bëjë peticionin? Mos fol kaluar…