Gjykata Themelore në Prizren ka mbajtur seancën gjyqësore në çështjen penale kundër të akuzuarit Berat Spahiu nga Gjilani, i cili akuzohet për vepërn penale të mos raportimit ose raportimit të rremë të pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.
“Pas disa shqyrtimeve gjyqësore në këtë çështje penale, respektivisht në shqyrtimin e datës 08.01.2015, Gjykata Themelore në Prizren, refuzoi akuzën ndaj Berat Spahiu nga Gjilani, për shkak të heqjes dorë nga akti akuzues nga Prokurori i Shtetit i Prokurorisë Themelore në Prizren”, njofton Gjykata Themelore në Prizren.
Prokurori i Shtetit në këtë shqyrtim gjyqësor në fjalën e tij përfundimtare ndër të tjera theksoi se tërhiqet nga Aktakuza PP.nr.376/2014 e datës 27.03.2014, ndaj të akuzuarit Berat Spahiu dhe atë me arsyetimin se nga shqyrtimet e mbajtura, provat e administruara e sidomos nga ekspertizat mbi vlerësimin e automjetit ka rezultuar se automjeti kap vlerën nën 5000 euro për të cilën gjë i akuzuari në cilësi të zyrtarit publik nuk ka qenë i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë së tij të luajtshme, respektivisht automjetit të markës Mercedes-Benz të tipit Vaneo.
Gjithashtu Prokurori i Shtetit ka theksuar se në drejtim të vërtetimit të plot dhe të saktë të gjendjes faktike për marrjen e vendimit të ligjshëm me vëmendje dhe përkushtim maksimal profesional ka bërë vlerësimin e fakteve në favor dhe kundër të pandehurit e duke u bazuar në provat që janë shqyrtuar në këtë çështje penale, sidomos ekspertizave të vlerësimit të automjetit si pasuri e padeklaruar e cila ka rezultuar me vlerën nën 5000 Euro, ka theksuar se për këto arsye ka hequr dorë nga akti akuzues ndaj të akuzuarit./PrizrenPress.com/