5.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Rrëfenja e një ukrainaseje: Shpresoj të takohemi në një botë të paqtë

Këtë mëngjes, nuk e zgjoi alarmi i telefonit.

Këtë mëngjes, nuk e zgjuan as familjarët e saj, por një-dy… dhe tetë shpërthime radhazi.

Kërceu pupthi nga shtrati dhe pa nga përtej xhamit të dritares: rreth 30 kilometra larg shtëpisë së saj shtëllunga tymi, tek ish-aeroporti ushtarak i qytezës.


E reja me plot ëndrra dhe plane për të ardhmen, Maria, 25 vjeç, sot jeton mes panikut dhe frikës, në verilindje të Kiev-it, Chernihiv. Mu në kufi me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainën, aty ku në orët e para të mëngjesit të 24 shkurtit trupat ushtarake ruse filluan mësymjen drejt Ukrainës.

Rrëfenjën e saj, për ngjarjen e cila shënon kthesën e gjeopolitikës evropiane, por jo vetëm, Maria zgjodhi ta tregojë për Albanian Post.

Njëmend që kjo situatë është e vështirë të përcillet, por ajo thotë se “bota duhet ta dijë si është situata në Ukrainë”.

Forcat ushtarake bjelloruse iu bashkuan atyre ruse, qysh pa zbardhur dita, sipas saj. Më pas kanë ndaluar pikërisht në fshatin e saj. Ato kanë mësyrë të gjitha subjektet ushtarake pranë Kiev-it.

“Pra, e gjithë baza ku qëndronin ushtarët në situata normale, u sulmua nga rusët”, vijon 25-vjeçarja nga qyteti verior industrial i Ukrainës.

Edhe në një situatë “lufte” apo “agresioni”, do të ishte telefonata e të dashurit të Marias, ajo që do t’i vërtetonte se përnjëmend lufta kish filluar.

Turravrap zbriti shkallaret e shtëpisë, mes një panorame drithëruese: britma të familjarëve, sinjale të automjeteve parkuar aty pranë shtëpisë së tyre, alarmit të qytetit dhe zhurmës që raketat ruse oshtinin në qytet.

“Oh, kam shumë frikë! Po më dridhet i gjithë trupi. Zemra po më rreh shpejt”, shprehet ajo për Albanian Post.

Ndërsa po qëndron e bashkuar me familjen e saj, në përpjekje për të përballuar gjithçka po ndodh, Maria thotë se edhe miqtë e saj të fshatit nuk e kanë përjetuar lehtë situatën.

“Edhe miqtë përreth nesh janë në panik. Disa tentuan të largohen nga vendi. Por kjo shkaktoi kaos në radhët e karburantit dhe në bankomate”, jep detaje ajo, duke shtuar se disa të tjerë kanë rendur drejt supermarketeve për të siguruar ushqime të mjaftueshme “në rast mbijetese”.

Komunikimi i Albanian Post me Marian ndërpritet.

Rikthehemi pas disa minutash dhe Maria na bën me dije se një sulm i fuqishëm kibernetik ka ndodhur. Të tillë sulme ka pasur kryesisht ndaj departamenteve të qeverisë, por edhe mediat sociale.

Në bisedë të ngushtë, ajo zbulon një hollësi – edhe pse është e vështirë “për t’u gëlltitur” në vitin 2022 – sesi qeveria ukrainase u ka kërkuar qytetarëve të mos kenë asnjë lloj komunikimi në median sociale, “rreth lëvizjeve të ushtarëve tanë”.

Sipas ukrainases, “kjo ndihmon armikun të shohë lëvizjet e grupit tonë teknik, apo të ushtarëve ukrainas”.

Aktualisht, qytetarët e këtij rajoni po informohen vetëm nga burime zyrtare.

Edhe pse, mu në zemër të luftës, Maria zgjedh të qëndrojë e fortë në fortesën – “vendin e saj”.

“Do të përkrahim tokën tonë, ushtarët tanë, Ukrainën tonë! Do të qëndrojmë të palëkundur ndaj agresionit rus”, thotë ajo, edhe pse në vende të tjera ka ende më shumë sulme.

Ukraina gjendet në orët e saj më të vështira dhe të errëta, teksa i gjithë vendi po goditet nga të gjitha anët. Një situatë surreale, deri më tani Kiev-i ka regjistruar dhjetëra shpërthime në afërsi të saj.

Ukraina po rrethohet nga të tëra anët, në të tëra rrugët, qoftë detare, ajrore apo tokësore.

Elita perëndimore e ka dënuar fuqishëm këtë agresion, duke e cilësuar si shkelje të ligjit ndërkombëtar, cenim të demokracisë dhe shkelje të të gjithë marrëveshjeve, ndaj një vendi sovran.

I gjithë Perëndimi është me Ukrainën!

Këto ngjarje shënjojnë “pikë kthese” në historinë e Evropës. Ngjarje që do të mbeten në kujtesën afatgjatë të njerëzve dhe në gjeopolitikën e kontinentit, ose, siç i cilëson Maria, do të mbesin si “kujtime të tmerrshme” në mendjen e gjithsecilit.

Ndërsa i shprehim përkrahjen tonë Marias, familjarëve të saj dhe gjithë bashkëqytetarëve të Ukrainës, mikja jonë shpreson që një ditë “të takohemi në një botë të paqtë dhe pa luftë”.

Më Shumë

Tri përballje interesante në Albi Mall Superliga – vëmendja në Suharekë

Sot do të zhvillohen tri ndeshje në Albi Mall Superligën e Kosovës. Vëmendja do të jetë në Suharekë, pasi Ballkani është nikoqir i Dritës për...

Policia në Prizren mbajti ligjëratë në shkolla mbi temën “Dhuna në Familje”

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë në Bashkësi dhe Parandalim-DPP/Prishtinë, zbatuan Strategjinë e Inteligjencës dhe Policisë në Bashkësi. Në...

Lajmet e Fundit