14.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Rriten rastet me leukemi

LeukemiaNumri i fëmijëve kosovarë që vuajnë nga sëmundjet malinje për vitin 2013 ka qenë më i madh, krahasuar me vitin 2012. Ndërkohë, përkundër asaj që trajtimi i këtyre sëmundjeve është i kushtueshëm, Ministria e Shëndetësisë i përgjigjet pak këtyre rasteve.

Numri i rasteve të regjistruara në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për vitin 2013, ka qenë 48, ndërsa në vitin 2012, ishin 44 raste. Nga këto më së shumti dominonë sëmundja e leukemisë me 25 raste, ndërsa përqindja tjetër i përfshinë sëmundjet e tjera malinje siç janë, tumoret e trurit, tumoret solide, limfomat, e tumor e të tjerë, që i përkasin sëmundjes fëmijërore.

Ndërsa, në gjashtë mujorin e parë të vitit 2013 në Kosovë, por jo të trajtuara të gjitha në QKUK, ka pasur të regjistruarazyrtarisht 735 raste të sëmundjeve malinje te fëmijët.

Violeta Grajqevci, doktoreshë kryesore në Repartin e Hematologjisë, Leukemisë dhe Onkologjisë, në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, ka thënë për Kosovapress, se rreth 70 për qind të rasteve të cilat janë lajmëruar në repartin e tyre janë trajtuar.

Ajo ka thënë se ka raste kur me një periudhë të caktuar kohore, pacientit mos t’i reagoi terapia dhe në këtë rast duhet të kërkojë trajtim jashtë vendit, për të shkuar me një protokoll shumë më agresiv ose që mund të vijë deri te transplantimi i palcës kockore.

Megjithëse, trajtimi i këtyre sëmundjeve bëhet edhe në QKUK me protokolle të avancuara si në gjithë Evropën, Grajqevci, ka thënë se në disa raste pacientët udhëzohen të dalin jashtë vendit për shërim.

Terapia për sëmundjet malinje kushton shumë, kurse familjeve në shumicën e rasteve i duhët që mjetet t’i sigurojë vet.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti ka thënë për Kosovapress, se për ministrinë, prioritet kanë moshat e reja, sidomos trajtimi i fëmijëve, pasi shërimi i sëmundjeve malinje është jashtëzakonisht i kushtueshëm.

Hoti, ka thënë se rreth ¼ e buxhetit të përgjithshëm është i ndarë për farmaceutikën, mbulimin e nevojave të barnave, materialin shpenzues dhe citostatikë.

“Mund të them se rreth ¼ e buxhetit të përgjithshëm të ndarë për farmaceutikën, për mbulimin e nevojave të barnave, materialin shpenzues dhe citostatikë ka qenë e dedikuar vetëm për kategorinë e fundit, pra, për blerjen e citostatikëve me të cilët trajtohen personat e prekur nga sëmundjet malinje. Diku rreth 4 deri 6 milionë euro në kuadër të buxhetit prej 21 milionë euro që ka qenë për sektorin farmaceutik iu ka dedikuar vetëm këtyre sëmundjeve”, ka theksuar Hoti.

Sipas tij, duke qenë se këto janë sëmundje që kërkojnë trajtim afatgjatë dhe janë të kushtueshme, nuk janë të përmbushura të gjitha kërkesat. Ai ka thënë se për trajtimin e sëmundjeve jashtë vendit, ministria ofron deri në 30 mijë euro ndihmë, ndërsa, kur kjo shumë tejkalohet, Hoti ka thënë se është kompetencë ekskluzive e Qeverisë që të merret me këtë çështje.

Shkurte Hajdaraj, nëna e Ron Hajdaraj, i cili po shërohet në Klinikën Pediatrike në QKUK, nga një sëmundje malinje, e quajtur Medullapllastom ka thënë se djali i saj është diagnostifikuar në Tiranë, ndërsa pas operacionit terapinë ka ardhur ta vazhdoi në QKUK.

Ajo ka thënë për Kosovapress, se janë të kënaqur me trajtimin që iu bëhet nga mjekët, ndërsa ka thënë se që nga muaji qershor, kanë harxhuar rreth 10 mijë euro për blerjen e terapisë dhe barnave.

Edhe Doktoresha Grajqevci, ka shtuar se sa i përket kushteve në repart, janë shumë të mira, ndërsa sa i përket sigurimit të terapisë, ajo ka thënë se një pjesë sigurohet nga ana e barnatores qendrore, përmes Ministrisë së Shëndetësisë, kurse pjesën tjetër e cila mungon prej këtyre barnave, atëherë sigurohet qoftë përmes prindërve ose shoqatave humanitare që u dalin në ndihmë këtyre fëmijëve për sigurimin e citostatikëve.

Ndërkaq, zëdhënësi i ministrisë, ka thënë se sa i përket Ministrisë së Shëndetësisë, ajo ka qenë e fokusuar që përmes bordit për kontrollin e kancerit, ta hartoi planin nacional për kontrollin e këtyre sëmundjeve. Ai ka thënë se në vazhdim do të krijohet edhe plani i zbatimit të kësaj strategjie në mënyrë që në Kosovë përfundimisht të kenë të dhëna më të sakta apo të ketë edhe programe të ndryshme që lufta kundër sëmundjeve malinje të jetë më gjithëpërfshirëse.

Më Shumë

Burri në Dragash ushtron dhunë ndaj bashkëshortes – policia e arreston

Policia e Kosovës përmes njoftimit ka bërë të ditur se ka arrestuar një burrë në Dragash, për shkak se dyshohet se ka ushtruar dhunë...

SBASHK-u mësimdhënësve: Mos nënshkruani ndryshimet e Kontratës së punës

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK), thotë se kohëve të fundit po qarkullon një version i ri...

Lajmet e Fundit