13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Rritja e rasteve me COVID 19, mësimi në Kosovë po vazhdon në dy variante

Në shkollat e Kosovës, mësimi vazhdon të mbahet herë në shkolla e herë në platformën online, për shkak të situatës që po përballen me pandeminë Covid -19.

Për këtë kalim nga një skenar në një tjetër, ekspertët dhe prindërit thonë se ka ndikim te nxënësit si dhe vështirësi në procesin mësimor. Ndërkohë, udhëheqësit e shkollave thonë se ky kalim ka edhe sfidat e veta.

Në shumë shkolla të Kosovës, herë pas herë është ndërprerë mësimi, varësisht nga rastet që kanë pasur me Covid-19. Disa prej tyre kanë kaluar në mësimin online dhe më pas i janë rikthyer shkollës. Për këtë kalim nga njëri skenar në një tjetër, njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, tha për Radio Kosovën se ka ndikuar te fëmijët si dhe në cilësinë e mësimdhënies.

Ndërkohë, Shkolla “Faik Konica”, në Prishtinë, aktualisht është duke mbajtur mësim të kombinuar.

Drejtorja e kësaj shkolle, Jehona Oruçi, tha për Radio Kosovën se një grup i nxënësve është në klasë, ndërsa grupi tjetër ndjek mësimin në formën virtuale. Ajo theksoi se në fillim, ky lloj procesi ka pasur sfidat e veta.

Gjithashtu, prindërit theksojnë se në këtë situatë të pandemisë, vështirësitë në procesin mësimor janë shumë të theksuara. Rezarta Sefedini, që ka vajzën në klasën e katërt, thotë se ndërrimi nga shkolla në mësim online dhe përsëri kthimi në shkollë, ka shkaktuar vështirësi te fëmija i saj.

Mësimdhënësja e Shkollës “Gjergj Fishta”, në Prishtinë, Shpresa Latifi, thotë se ky proces mësimor po shoqërohet me vështirësi si tek nxënësit ashtu edhe tek mësimdhënësit.

Ndërkohë, rastet me Covid-19 kanë filluar të rriten edhe nëpë shkolla. Ministria e Arsimit ka theksuar se Kosova ka nevojë të mbajë shkollat hapur, pasi asnjë skenar tjetër nuk e zëvendëson pjesëmarrjen në shkollë. Por, ka theksuar se është e përgatitur edhe për skenarë të tjerë, në rast se mbyllen shkollat.

Prandaj, Ministria e Arsimit u ka bërë thirrje nxënësve, prindërve, mësimdhënësve dhe stafit të shkollave, që të respektojnë masat kundër pandemisë.

Më Shumë

Lajmet e Fundit