16.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Me argumente të fuqishme shkencore kundër të pavërtetave

(Vështrim për veprën Kërkime gjuhësore I dhe II, i autorit Shkëlqim Millaku. Libri u botua në Prizren, viti 2015 dhe 2019.Recensent i librit është prof. dr. Asllan Hamiti).

Shkruan: Prof. Gani Rudaj 

Gjuhësia është shkencë që studion gjuhën si dukuri shoqërore. Studion ligjet dhe rregullsitë e sistemit të saj. Studion përdorimin e saj dhe zhvillimin historik.

Kemi Gjuhësi të përgjithshme, krahasimtare(përshkruese, statikore, matematikore, gjuhësi e zbatuar),kemi Gjuhësi shqiptare, Hyrje në gjuhësi, Gjuhësi narrative. Vlen të përmendim se vetëm mendimi për të hyrë në studimin e Gjuhësisë nga ana e autorit, na tregon se prof. dr. Shkëlqim Millaku ka një guxim intelektual dhe sidomos kur merret me problemet e Gjuhësisë gjenerative.

Fort mirë e dimë se Gjuhësia është një oqean ku rruga për të hyrë është e lehtë, por dalja është e vështirë. Autori hyri dhe doli nga oqeani pa asnjë problem.

Ai e njohu rrugën e dyanshme.

Qysh në fillim të librit, autori na jep një pikënisje për të na treguar rëndësinë e Gjuhësisë gjenerative. Në libër autori përmend studiues të shumtë që janë marrë me Gjuhësinë dhe me Fjalinë e thjeshtë dhe kryefjalën.

Shembujt paraqiten në të dyja gjuhët dhe janë të kapshëm për lexuesin. Në shembujt e dhënë nuk ka konfuzitet. Autori na tregon se është kompetent për atë që shkruan.

Dr. Shkëlqim Millaku jep një mendim shumë të fortë në lidhje me mësimin e gjuhës angleze që nga klasa e parë e shkollës fillore.

Këtë ide ai e sheh si të paarsyeshme. Thotë se arsimi në Kosovë nuk është i përgatitur për këtë sfidë të madhe. Për këtë jep arsye të shëndosha duke thënë se ne në radhë të parë nuk kemi kuadro të specializuara për dhënien e mësimit të gjuhës angleze në klasat e para të shkollave fillore.

Madje, autori thotë se nuk është i saktësuar planprogrami me të cilin duhet të punohet, çfarë duhet të mësohet dhe në fund të fundit cili do të ishte rezultati i punës me nxënësit. Të gjitha këto Millaku i mbron duke bërë krahasimin profesional, si dhe kushtet që i ka Ministria e Arsimit e Kosovës me Ministritë e vendeve të tjera më të zhvilluara në fushën e arsimit.

Autori i librit Kërkime gjuhësore, me mjete të fuqishme shkencore u bën ballë bastardimeve dhe të pavërtetave historike në lidhje me gjuhën shqipe. Të pavërtetave u printe një grup profesorësh nga Universiteti i Beogradit, si: Jovan Canak,dr. Kosta Cavoski, dr. Slavenko Treziç, dr. Dusan Batakovic, dr. Radovan Radovanovic, Tomislav Kresovic.

Këta shkruanin të pavërteta mbi gjuhën, kulturën dhe çdo gjëje tjetër shqiptare. Por, për fat të keq të tyre që nuk e kanë ditur se edhe populli ynë ka njerëz të shkolluar, të cilët me argumente shkencore i demantojnë propagandat armiqësore që po mundohen t`i bëjnë gjuhës dhe kombit tonë në përgjithësi.

Autori bëri një mbrojtje për lakmi. Me këtë tregoi se titulli i fituar shkencor duhet të flasë në kohë të pakohë, e jo të lihet të vyshket në një çoshe të dhomës. Në fund bëri një vërejtje mjaft të qëlluar kur u shkrua për përpilimin e teksteve shkollore.

Ai, si një gjuhëtar me plot kuptimin e fjalës, vuri në dukje se në tekstet tona shkollore kemi shumë fjalë të brumit të huaj. Këtu përfshiu tekstet që përdoren në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri.

Bënte thirrje nga gjuhëtarët që të merren me këtë problem. Të pastrohen fjalët e huaja dhe të zëvendësohen me fjalët shqipe.

Nëse bëhet kjo punë me tekstet shkollore, do të ishte një lehtësim i madh për nxënësit sepse do t`i kuptojnë fjalët dhe shprehjet. Kjo është një ide shumë e qëlluar e dr. Shkëlqim Millakut.

Libri Kërkime gjuhësore II, i botuar në Prishtinë më 2019 nga prof. asoc, dr. Shkëlqim Millaku ngërthen në vete një varg problemesh gjuhësore.

Për këtë vepër autori për disa vite kishte bërë hulumtime shkencore të gjuhës. Libri ndahet në dy pjesë. Në pjesën e pare të librit, në kreun e parë bëhet fjalë mbi vështrimin e kompozitave në revistën Përpjekja shqiptare, Terminologjia dhe përkufizimi dhe Pikëpamjet e studiuesve të huaj për kompozitat e shqipes.

Kreu i dytë bën fjalë për Disa të dhëna historike dhe krahasuese mbi kompozitat.

Në kreun e III autori bën fjalë për kompozitat në revistën Përpjekja shqiptare.

Aty bën ndarjen e kompozitave në këpujore, përcaktore, pastaj shkruhet për emrat e përbërë, për strukturën e kompozitave, pastaj bëhet analiza gjenerative e kompozitave. Këtu kemi edhe mbiemrat e përbërë, ndajfoljet e përbëra, foljet e përbëra, kompozitat e përbëra me shkurtesa, kompozitat përemërore ose numërore.

Në kreun e IV kemi të bëjmë me kompozitat dëshirore, urdhërore, popullore, sinonimike, antonimike të ndara në antonimet e përbëra përcaktore dhe antonimet e përngjitura. Pastaj në tekst bëhet fjalë për theksin në kompozita, huazimet leksikore – kompozitat, pastaj Korpusi i kompozitave të evidencuara në revistën Përpjekja shqiptare.

Pjesa e dytë e këtij libri përmban Studime dhe personalitete, pastaj fillon Kompozita e shqipes dhe anglishtes, ku autori i ndan në kompozita këpujore, kompozitat përcaktore, struktura e emrave të përbërë, kompozim-ndajshtim, struktura e formimit të kompozitave, kompozitat emër + mbiemër, kompozitat mbiemër + emër, kompozitat emër + emër, kompozitat emër + folje, kompozitat folje + emër, kompozitat ndajfolje + emër, shumësi i fjalëve të përbëra, kompozitat emërore me shkurtesa.

Në fund të librit kemi Pikëpamjet e Idriz Ajetit për nyjën e shqipes.

Autori përmbledh edhe mendimet e Selman Rizës, E. Çabejit, Kapitarit dhe Mikloshiqit, Sandfeldi, B. Bokshi, P. Skok, N. Jokli, Sh. Demiraj dhe Pederseni.

Kemi edhe fazën e rindërtimit të nyjës së prapme. Në fund të librit kemi të paraqitur Studim krahasues i nyjës së prapme të shqipes dhe gjuhëve ballkanike.

Libri përfundon me një shkrim të titulluar: Ndihmesa e Stuart Edwart Manit për Gjuhën shqipe.

Dr. Shkëlqim Millaku në këtë vepër në mënyrë serioze fillon të bëjë hulumtime. Ai që në kreun e I e të II na njofton se për pikëpamjet shkencore mbi kompozitat ishin të ndara në dy grupe studiuesish. Grupin e parë e përbënin ata studiues që e mohonin ekzistimin e mirëfilltë të kompozitave në gjuhën shqipe dhe në grupin e dytë bënin pjesë autorë shqiptarë që e mbronin pasqyrimin objektiv të fjalëve të përbëra.

Autori i veprës në mënyrë të ngadalshme shpjegon në hollësi terminologjinë e kompozitave duke i pasqyruar me shembuj konkretë. Flet me dashamirësi për studiuesit e huaj që janë marrë me trajtimin e kompozitave të gjuhës shqipe.

Në mënyrë të shkëlqyeshme na njofton për një të dhënë mjaft interesante, ku thotë se është një dokumentim edhe më i lashtë i kompozitave, sesa që është e shkruar nga autorët e vjetër, Buzuku, Budi, Bogdani e të tjerë.

Këtë vështrim autori e bëri nga analiza e veprës së prof. Ruzhdi Ushakut në romanin me titull: Florimont.

Këtu autori përmend edhe kompozita të tjera të nxjerra nga autorë të tjerë, si: A. Kostallari, Dh. Shuteriqi, Xh. Lloshi, N. Jokli, E. Çabej. Nga të gjithë këta studiues, autori ka nxjerrë shembuj konkretë që janë të kuptueshëm për të gjithë, të cilët duan të merren me problemet e gjuhës.

Në kapitullin e tretë autori bën klasifikimin e kompozitave (strukturën e kompozitave) që janë nxjerrë nga revista Përpjekja shqiptare, revistë që ishte botuar në vitet 1936 dhe 1938. Këtu autori bën klasifikimin e kompozitave emër + emër, emër + pjesore e të llojeve të tjera. Pastaj autori vazhdon me shpjegimin e mbiemrave të përbërë, të ndajfoljeve të përbëra, pastaj bën fjalë për foljet e përbëra. Të gjitha këto na paraqiten me shembuj konkrete, të nxjerra nga revista. Diku në brendi të librit vërejmë shpjegimin mbi kompozitat e përbëra me shkurtesa të tipit p.sh. ATSH ( Agjencia Telegrafike Shqiptare ), RTSH (Radio Televizioni Shqiptar ) e ndonjë shembull tjetër.

Në kreun e katërt bëhet fjalë për kompozitat dëshirore, urdhërore, kompozitat popullore, kompozitat sinonimike dhe antonimike. Këto lloje të kompozitave janë nxjerrë nga revista dhe janë shpjeguar në një formë të kapshme për studiuesit e tjerë. Autori nuk la asgjë të shpjeguar që nuk mund të kuptohet.

Ai tregoi seriozitet profesional në këtë fushë. Nuk e bëri veprën sa për sy e faqe, por e shtjelloi aq lehtë saqë edhe nxënësit do ta kuptonin. Nga fundi i librit, autori na jep një kontrasivitet të mendimeve për nyjën e shqipes.

Aty shfaqen mendimet e gjuhëtarëve si: I. Ajetit, S. Rizës, E. Çabejt, Sanfeldit, B. Bokshit, P. Skokut, N. Joklit, Sh. Demirajt dhe Pedersenit. Në fund të librit, autori ia kushton një hapësirë në shenjë respekti për kontributin e dhënë për gjuhën shqipe aglofonit Stuart Edwan Man.

Çfarë mund të themi për këtë libër të autorit Shkëlqim Millaku?

Gjatë hartimit u pa një seriozitet i lartë shkencor si nga ana e autorit, ashtu edhe nga ana e recensentit.

Një gjë që më la përshtypje të mirë, titulli i librit.

Autori me këtë titull të librit Kërkime gjuhësore, lexuesit qysh në fillim ua bën me dije se puna e tij këtu nuk ka të bëjë me studime të problemeve gjuhësore, por ai ishte në kërkim të tyre.

Gjatë leximit të këtyre veprave u vërejt se autori ka shfrytëzuar literaturë të mjaftueshme. Një gjë tjetër për të mirë na bie në sy ana kuptimore e librave.

Kuptimësia e librit është aq e thjeshtë sa që na lind pyetja se ky libër a është i dedikuar për nxënësit e shkollave të mesme, apo për studentë?

Këtu shihet mjeshtëria e dr. Shkëlqim Millakut.

Jam i bindur se njerëzit kur ta lexojnë këtë libër do të jenë të pajisur me njohuri të reja gjuhësore. Lexuesi do të vërejë se si një studiues i mirëfilltë i gjuhës shqipe që me armën e tij intelektuale e mbron atë që është shqipe dhe kjo mbrojtje bazohet në brumin shkencor që ishte vjelë nga ana e dr. Millakut.

Sa i përket anës teknike të librave mund të them se gjatë leximit të tyre nuk më ka rënë në sy ndonjë gabim gjuhësor, por këtë që po e them nuk do të thotë që nuk ka. Këto ishin pikëpamjet e mia mbi këto libra, por të tjerët mund t`i shohin me një këndvështrim edhe më të mirë.

Më Shumë

Jasharaj: Po përgatitemi për grevë

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari ka deklaruar se nëse qeveria aktuale në vend nuk merret me kërkesat dhe shqetësimet e paraqitura nga kjo sindikatë,...

Në SBASHK shtohen kërkesat për të rikthyer protestat e grevat

Në takimin e rregullt me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve që ka organizuar SBASHK-u janë zhvilluar biseda për situatën aktuale në arsim...

Lajmet e Fundit