3.1 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Serbia nuk e meritoi shpërblimin e BE-së

Edita TahiriZëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherësh udhëheqëse e dialogut teknik me Serbinë në Bruksel, Edita Tahiri, ka thënë se Serbisë nuk i ka takuar shpërblimi nga Bashkimi Evropian për nisjen e negociatave për anëtarësim.
Sipas saj Serbia nuk e ka zbatuar pjesën esenciale të marrëveshjes së Brukselit, e cila është arritur në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.“Mendoj se Serbia nuk i ka plotësuar kushtet për të qenë e shpërblyer për sa u takon obligimeve për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit. Prandaj, pasi nuk i ka plotësuar kushtet zbatuese, nuk i ka takuar ky shpërblim. Serbia nuk e ka zbatuar pjesën esenciale të marrëveshjes së Brukselit, prandaj edhe nuk i ka takuar të marrë këtë shpërblim nga ana e Bashkimit Evropian”, ka thënë Tahiri për “Epokën e re”.

Në këtë kontekst, Tahiri ka thënë se vlerësimi i Bashkimit Evropian për shkallën e zbatimit të marrëveshjes nuk përputhet me realitetin në terren.

“Për sa iu takon kushteve që Serbia ka pasur t’i plotësojë lidhur me marrëveshjen e Brukselit në pjesën esenciale të marrëveshjes, ajo ka dështuar t’i plotësojë këto kushte. Mendoj se vlerësimet që kanë ardhur nga raporti i baroneshës Ashton kanë qenë vlerësime që nuk përkojnë me realitetin, sepse ka vetëm një progres të kufizuar në zbatimin e marrëveshjes nga ana e Serbisë, e cila ka dështuar ta plotësojë pjesën esenciale të marrëveshjes së Brukselit. Prandaj, BE-ja është dashur të jetë më objektive në raportin e vet. Është dashur të bëjë një raport, i cili me të vërtetë është në përputhje me situatën në terren”, ka deklaruar zëvendëskryeministrja Tahiri, duke shtuar se ende nuk ka progres substancial të marrëveshjes së Brukselit.

Po në këtë kontekst Tahiri ka thënë se në raport me dialogun e Brukselit mbetet shumë për t’u bërë nga ana e Serbisë.

“Mund t’ju them me përgjegjësi si kryenegociatore se për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit që nuk ka ende një progres substancial të kësaj marrëveshje dhe për këtë përgjegjëse është Serbia me zvarritje, vonesa dhe shmangieje nga zbatimi. Prandaj, mendoj se ky është edhe një mesazh për takimin e nivelit të lartë që mbahet më 20 dhjetor në Bashkimin Evropian, që shefat e shteteve duhet të kenë parasysh se në raport me dialogun e Brukselit mbetet shumë për t’u bërë nga ana e Serbisë”, është shprehur Tahiri.

Ajo ka thënë se duhet të pritet konstituimi i organeve komunale në veri për të parë nëse do të ketë zbatim të marrëveshjes së Brukselit dhe ligjeve të Republikës së Kosovës. “Ende nuk janë zhbërë strukturat paramilitare të ashtuquajtura mbrojtje civile, çështja e gjykatave dhe çështja e zhbërjes së strukturave të drejtësisë dhe integrim të individëve në institucionet e Kosovës ende nuk ka pasur. Pra, është dashur të pritet konstituimi i organeve të reja komunale të dala nga zgjedhjet lokale të 3 nëntorit dhe 1 dhjetorit për të parë se sa do të zbatohet marrëveshja e Brukselit dhe ligjet e Kosovës në katër komunat e pjesës veriore të vendit tonë”, ka theksuar Tahiri.

Të martën Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian ka shpërblyer Serbinë për progresin e shënuar në kuadër të dialogut. Ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare të BE-së kanë vendosur që bisedimet me Serbinë të nisin në janar, mirëpo nuk kanë precizuar datën e saktë.

Më Shumë

Prizreni përforcon masat kundër zjarreve: Vendosen 40 hidrantë të rinj

Drejtoria e Emergjencës dhe Sigurisë në Komunën e Prizrenit ka përfunduar një projekt të rëndësishëm për rritjen e sigurisë në qytet, duke vendosur 40...

Nis Liga Unike: Bashkimi në Grupin A dhe Ylli në Grupin B

Sot nis sezoni i ri i Ligës Unike Meshkujt, ku 12 skuadra nga Kosova dhe Shqipëria do të konkurrojnë në dy grupe, duke sjellë...

Lajmet e Fundit