25.8 C
Prizren
E martë, 23 Korrik, 2024

Shakohoxha: Ballkani është skuadra më e mirë shqiptare

Skuadra e Ballkanit ka shkëlqyer në ndeshjen e parë ndaj BATE Borisov në Conference League.

Kampioni i Kosovës triumfoi me rezultat 4 me 1 dhe bëri një hap të madh drejt kualifikimit në kompeticionin e tretë më të rëndësishëm për klube në Evropë.

Të drejtuarit e Ilir Dajës ishin fantastikë në çdo aspekt të lojës, madje duke përmbysur në mënyrë të mrekullueshme rezultatin.

Gazetari i njohur nga Shqipëria, Dritan Shakohoxha tha për ‘GazetaBlic Sport se historia e Ballkanit është realisht historia më e bukur e futbollit të shqiptarisë, me një skuadër që është ndërtuar në saje të një projekti shumë serioz dhe solid.

“Historia e Ballkanit është realisht historia më e bukur e futbollit të shqiptarisë. Po flasim për një skuadër që nuk ka histori, pra i mungon rivaliteti me skuadrat historike të futbollit të Kosovës, në atë mënyrë që edhe një tifoz i Prishtinës, Gjilanit apo Dritës mund të jetë krenar me të. Kjo është një histori e krijuar nga presidenti Arsim Kabashi, të cilin e kam takuar vite më parë dhe nuk e mendoja se do të ishte kaq i suksesshëm në projektin e tij”.

Është një skuadër e mrekullueshme dhe e ndërtuar në baza shumë solide që në startin e tij. Suksesin e sotëm të Ballkanit, apo edhe atë të djeshmin, unë e kam dëgjuar 4 apo 5 vite më parë nga presidenti Kabashi. Gjithsesi atëherë dukej pak e vështirë, për mua e pamundur, po realisht doli të ishte një histori suksesi“, tha fillimisht Shakohoxha.

Tutje, ai tha fjalë të mëdha për trajnerin Ilir Daja, i cili sipas tij ka merita të jashtëzakonshme në suksesin e arritur nga skuadra e Ballkanit.

“Suksesin, historinë dhe atë që bën Ballkani do ta lidhja padyshim me emrin e trajnerit Ilir Daja. Në Shqipëri ishte ai që pati suksesin e parë të vërtetë me skuadrën e Skënderbeut, gjë të cilën në fillim e menduam se ishte rastësi. Pastaj, edhe njëherë menduam se ishte rastësi kur pati suksese me Ballkanin, por tani nuk është më rastësi, është realitet. Skuadra e Ballkanit është skuadra më e fortë shqiptare dhe skuadra që po i bën krenarë të gjithë shqiptarët kudo që janë. Ashtu si Skënderbeu që bëri tifozë gjithë shqiptarët, po kështu besoj që tani Ballkani ka tifozët edhe në Korçë, edhe në Prishtinë, Gostivar, Preshevë, në Gjermani dhe kudo ku ka shqiptarë“, vazhdoi ai.

Krejt në fund, Shakohoxha tha se shpreson që një ditë Daja të jetë në krye të përfaqësueses së Kosovës, kurse e vlerësoi atë si trajnerin më të mirë shqiptar të të gjitha kohërave.

“Meritë të jashtëzakonshme për sukseset e mëdha të Ballkanit pra ka trajneri Daja, i cili për mendimin tim ka shkruar emrin me shkronja të arta në futbollin e shqiptarisë. Besoj që është trajneri më i madh i të gjitha kohërave në futbollin e shqiptarisë, mendoj se është fat për skuadrën që ai është në krye të saj. Ajo që shpresoj është që Kosova t’i besojë drejtimin e ekipit përfaqësues trajnerit Daja, sepse është njeriu që me fakte, me punë, me trofe, me suksese, pa shumë zhurmë, pa bërtitur në studio televizive, pa u vetëreklamuar, është trajneri më i mirë i të gjitha kohërave në historinë e futbollit shqiptar, si në Kosovë, si në Maqedoni të Veriut ashtu edhe në Shqipëri. Nuk ka pasur kurrë një të tillë”, përfundoi Shakohoxha.

Më Shumë

Fluks i madh nga Kosova drejtë Shqipërisë!

Sot është shënuar fundjava me fluksin më të lartë të shtetasve që kanë hyrë në territorin e Shqipërisë në Morinë për këtë vit. Sipas të...

Furnizimi i nxënësve me tekste shkollore, MASHTI pa vendim zyrtar

Ministria e Arsimit ende nuk ka vendim zyrtar për mënyrën e furnizimit të nxënëseve me tekste shkollore për vitin e ri shkollor 2024/25. Ndërkaq,...

Lajmet e Fundit