11.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

SHBA mirëpresin kanabisin shqiptar

Debati për lejimin e mbjelljes së kanabisit në Shqipëri dhe përdorimin e tij për qëllime mjekësore është shtrirë në ditët e fundit në agjencitë kryesore ndërkombëtare. Idenë dhe propozimin e deputetit Koço Kokëdhima, mediat amerikane e kanë parë si një mundësi konkrete përfitimi në dy drejtime: së pari, Shqipëria do të siguronte të ardhura për fermerët e saj dhe sistemin e taksave dhe, së dyti, trajtimi mjekësor i pacientëve do të kishte mundësi të siguronte një produkt, si kanabisi shqiptar, me cilësi të lartë e kosto të ulët.

Pas shkrimit të agjencisë “Marketwired”, që nënvizonte edhe kontaktet mes deputetit Kokëdhima dhe Komisionit të Kongresit për Çështjet Euro- aziatike në Uashington, ka mbërritur një tjetër vështrim për këtë propozim, këtë nga herë nga prestigjozët e “Globe- Newswire”.

Në materialin e “GlobeNewswire”, një ndër rrjetet më të mëdha të shpërndarjes së njoftimeve të shtypit dhe raporteve financiare për mediat, evidentohet qartësisht mundësia e përfitimit nga nisma e blerjes në SHBA të kanabisit shqiptar, duke e vlerësuar atë si një ndihmë të madhe për mjekësinë.

Në mënyrë të veçantë, pacientët, të cilët vuajnë nga epilepsia, problemet mendore dhe kanceri i lëkurës, mund të përfitonin një kurim më cilësor dhe më pak të kushtueshëm. Më poshtë, shkrimi i publikuar në “GlobeNewswire”.

Anthony Cohen për “GlobeNewswire”

Të premten (3 prill 2015), në mediet ndërkombëtare u dha lajmi se një përpjekje për bashkëpunim ka nisur që dy vjet më parë mes Komitetit të Çështjeve Euroziatike në Kongresin Amerikan, Parlamentit shqiptar dhe disa organizatave ndërkombëtare për të mbështetur prodhimin dhe eksportin e nënprodukteve të kanabisit nga Shqipëria në SHBA, në përpjekje për të ulur trafikun e paligjshëm të drogës dhe nxitur ekonominë shqiptare. Ky lajm do të ishte shumë i rëndësishëm për kompanitë e ligjshme të tregtimit të kanabisit në SHBA, si “Mentor Capital Inc.”, “Cannabis Sativa Inc.” dhe “mCig” etj.

Megjithatë, kjo gjë madhore nga Ballkani, për fat të keq, nuk do të ndikojë në fqinjin verior të Amerikës (Kanada), për shkak të politikave ndaluese të prodhimit nga kërpi të vajit, farës dhe produkteve ushqimore. Vaji i kanabisit nga Shqipëria, i njohur për cilësi të lartë dhe kosto të ulët, mund të jetë një mundësi e madhe për ata që jetojnë në Kolorado, Alaska, Uashington apo në 12 shtetet e tjerë të SHBA-së, ku ky produkt është i ligjshëm për t’u tregtuar dhe konsumuar.

Nga ana tjetër, ligjet aktuale të Kanadasë i detyrojnë pacientët që vuajnë nga epilepsia, problemet mendore, kanceri i lëkurës dhe sëmundje të tjera të lidhura me këto që të gjejnë zgjidhje për kurimin e tyre në disa vende në Shtetet e Bashkuara, ku nuk kërkohet një leje për të konsumuar kanabis për qëllime të trajtimit mjekësor.

Shumë shtete në SHBA janë duke ndryshuar ligjet lidhur me nënproduktet mjekësore që derivojnë nga kanabisi, si vaji i kanabisit, që përdoren si medikamente për trajtimin e pacientëve që vuajnë nga epilepsia.

Ndërkohë, Kanadaja, e cila e ka ligjëruar kohë më parë kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore, ka licencuar vetëm kultivimin dhe shitjen bruto të kanabisit, ndërsa derivatet që dalin prej tij, si vajrat apo ekstraktet e tjera mjekësore, mbeten ende të paligjshme.

Me gjithë shqetësimet në rritje – që lidhen me konsumimin e kanabisit përmes tymosjes dhe me abuzimet për shitjen e tij në tregun e zi – në Kanada, shumë sindikata dhe shoqata civile, si “Community Works në Ontario”, vazhdojnë të theksojnë rëndësinë e kërpit industrial para legjislatorëve kanadezë, me shpresën se ata do të marrin në konsideratë një rregullim më të përshtatshëm, që do të mundësojë përdorimin e vajit të kanabisit, me kufizimet e nevojshme për të ndaluar prodhuesit abuzivë të keqpërdorin vajin e kanabisit për qëllime të paligjshme.
Artikull i shkruar nga Anthony Cohen për “GlobeNewswire”

Çfarë është “GlobeNewswire”

“GlobeNewswire” është një kompani për marrëdhëniet me publikun, me qendër në Los Anxhelos (Kaliforni, SHBA). Si një bashkëpunëtore e platformës “Nasdaq” të tregtimit të aksioneve, “GlobeNewswire” është një ndër rrjetet më të mëdha të shpërndarjes së njoftimeve të shtypit dhe raporteve financiare për mediat, kompanitë e investimeve, investitorë individualë dhe publikun në përgjithësi.

E njohur më parë si “PrimeNewswire”, kompania e ndërroi emrin në “GlobeNewswire” në vitin 2008 për të reflektuar më mirë synimet e saj për zgjerimin në shkallë ndërkombëtare. “GlobeNewswire” ofron edhe ekspertizë në disa kontinente për të ndihmuar kompanitë publike e private të komunikojnë me median dhe investitorët në gjuhët lokale. Kompania gjatë viteve të fundit ka zbatuar shumë inovacione të rëndësishëm, kryesisht në drejtim të shpërndarjes së të dhënave e raporteve financiare për mediat.

Kokëdhima, kontakte në Uashington për eksportin e kanabisit

Deputeti Koço Kokëdhima e hodhi për herë të parë idenë e legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore gjatë mbledhjes së Komisionit parlamentar të Ekonomisë, në muajin nëntor 2014. Ai u bëri thirrje autoriteteve shtetërore të marrin në konsideratë idenë e licencimit të prodhimit të kanabisit për industrinë farmaceutike dhe nga ana tjetër sugjeroi t’u kërkohet autoriteteve të BE-së, të subvencionojnë bujqësinë shqiptare me 200-250 milionë dollarë në vit, për disa vite rresht.

“Fshatarët që kanë kultivuar kanabis nuk janë kriminelë. Këta fshatarë janë pragmatistë. Ata nuk entuziazmohen nga planet tona afatgjata dhe afatmesme të zhvillimit të bujqësisë. Ata kanë nevojë për punë, ushqim, para, shëndet, siguri jete e ekonomike sot”, tha deputeti Kokëdhima, gjatë diskutimit të projektbuxhetit për vitin 2015, duke iu referuar edhe aksionit të policisë në zonën e Lazaratit. Deputeti Kokëdhima shtoi se, “nuk duhet të kemi hezitim të flasim hapur për problemet tona, pa pasur frikë se mund të dukemi si të asocuar me çështje të tilla të ndjeshmërisë shumë të lartë, si droga”.

“Me këtë luftë të madhe dhe me pasoja shumë të rënda social-ekonomike për vete, kemi bërë një investim të madh në luftën e këtyre vendeve (BE) ndaj trafikut të drogës. Këto vende duhet të na ndihmojnë me grante në buxhetin e shtetit, për të investuar e subvencionuar bujqësinë me 200-250 milionë dollarë në vit, të paktën për 5 vjet rresht. Kështu do të mund të ndihmojmë fshatarët të jetojnë me bujqësi”, u shpreh deputeti socialist i qarkut të Vlorës.

Ideja e deputetit Kokëdhima u zhvillua më tej, duke nënvizuar se kanabisi që mund të prodhohet në Shqipëri, për shkak të cilësive të veçanta që ka, do të shërbente si një burim i mirë për industrinë farmaceutike. Pra nga eksporti i kanabisit të prodhuar, Shqipëria mund të siguronte të ardhura të konsiderueshme.

Ndërkohë, agjencia “Marketwired” raportonte të premten se partneriteti trans-atlantik mes SHBA-ve dhe Shqipërisë për CBD (canabidiol) dhe produkte të tjera të ligjshme të kanabisit mund të mbërrijë pikërisht në kohën e duhur për Panairin e Kanabisit, në Mile High City, që do të zhvillohet gjatë këtij muaji.

Në shkrim vlerësohej se Koço Kokëdhima, deputet i Partisë Socialiste në Parlamentin shqiptar, ka vendosur kontakte me Komisionin e Kongresit për Çështjet Euro-aziatike në Uashington D.C. (CCEA), lidhur me një takim që do të zhvillohet më vonë gjatë këtij muaji, për të diskutuar mbi një fazë tjetër zhvillimi të programit për eksportin e produkteve të kanabisit nga Shqipëria drejt Shteteve të Bashkuara.

Gjithashtu, drejtori i CCEA, Cary Lee Peterson, ishte shprehur se “partneriteti dypalësh SHBA-Shqipëri për mallra të lidhura me kanabisin është ende i ri, pasi u deshën pothuajse dy vjet, që nga krijimi i Programit të Shoqërisë Civile të Mijëvjeçarit të Ri për Shqipërinë për të mbërritur sot në këtë pikë”. “Kjo mundësi ishte diçka që u mor absolutisht në konsideratë në fillim, por që ka filluar realisht të ecë vetëm këtë vit”, tha ai.

Më Shumë

Veshja Tradicionale e Hasit 1980 & 2024

Antropologia amerikane, Janet Reineck, e cila merret me kulturën dhe trashëgiminë shqiptare, ka publikuar fotografi të veshjeve tradicionale të rajonit të Hasit. Përmes fotove...

Vizita e kryetarit të AAK, Ramush Haradinaj, në fabrikën ‘Proton Cable’: Një model i suksesit ‘Made in Kosova'”

Kryetari i AAK, Ramush Haradinaj, vizitoi sot fabrikën "Proton Cable" në Prizren, me pronarë vëllezërit Fatos, Sami e Besim Dida. Kjo fabrikë prodhon mbi...

Lajmet e Fundit