12.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Shulz: S’ka BE pa i kryer detyrat e shtëpisë

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Shulz thotë se e vetmja rrugë me anë të së cilës vendet kandidate do të hyjnë në Bashkimin Evropian, është që të përmbushin detyrat e shtëpisë. “Nuk ka rrugë tjetër. Mesazhi im për klasën politike është: Ndërtoni ura, përfshihuni në dialog dhe zgjidhini problemet në mënyrë konstruktive!”, tha ai.

Presidenti Shulz, si e konsideroni situatën aktuale që kalon Shqipëria, pas kthimit të opozitës, në shtatorin e shkuar, në parlament? A jeni dakord me zotërinjtë Kukan dhe Svoboda, të cilët kanë deklaruar se klima politike është ende larg së qeni optimiste dhe se tensioni politik mes PD e PS ekziston ende?

Martin Shulz: Në Parlamentin Evropian ne e mirëpritëm vendimin e opozitës për t’u kthyer në parlamentin shqiptar në shtator. Siç ju kujtohet, kolegët e mi parlamentarë dhe unë personalisht, u angazhuam fort në ndihmesën ndaj liderëve shqiptarë për të anashkaluar ndasitë e tyre dhe për të tejkaluar krizën e zgjatur politike që zvarritet prej më shumë se dy vitesh.

Situata është më e mirë tani, por jo perfekte. Klima politike në vend mbetet shumë e brishtë dhe si qeveria ashtu dhe opozita, duhet të bëjnë përpjekje shtesë për t’i lënë mënjanë mospajtimet e tyre, t’i shtyjnë bashkë reformat e nevojshme dhe të përqendrohen në një qëllim të përbashkët, për një integrim europian më të shpejtë.

Mesazhi im për klasën politike shqiptare është: ndërtoni ura, përfshihuni në dialog dhe zgjidhini problemet në një frymë konstruktive.

Cili është opinioni juaj për mënyrën sesi po avancon procesi i integrimit evropian të vendit, në momentin aktual?
Martin Shulz: Fatkeqësisht, Shqipëria ka humbur kohë të çmuar gjatë dy viteve të fundit si rrjedhojë e një lufte të zgjatur politike në shtëpi, duke mbetur pas në agjendën e saj të reformave. Tani është koha të lëvizim shpejt për zbatimin e të gjitha reformave të nevojshme, të tilla si reforma elektorale, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për të krijuar një momentum të ri në procesin shqiptar të integrimit në BE. Kjo do ta lejojë Shqipërinë të arrijë pjesën tjetër të rajonit.

Ky vit që i paraprin vitit zgjedhor 2013, është kritik për Shqipërinë, në mënyrë që ajo të përqendrohet në arritjen e rezultateve konkrete për të marrë statusin zyrtar të vendit kandidat dhe më në fund të nisë diskutimet për anëtarësimin.

Gjithçka është në duart e Tiranës dhe ne jemi këtu për t’ju ndihmuar. Parlamenti Europian i mbështet përpjekjet e Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së.

Si e shihni procesin e zgjerimit të BE drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kushtet e krizës financiare që po kalon Evropa?

Martin Shulz: Besoj se në këto kohë sfiduese për Unionin, ne duhet ta rrisim besimin në projektin tonë evropian. Ne duhet të mbështesim forcën e tij tërheqëse, duke e mbajtur gjallë zgjerimin, si instrumentin tonë më të fuqishëm të politikës së jashtme.

Ndërsa presim për Kroacinë t’i bashkohet radhëve tona brenda vitit që vjen, na duhet t’i dërgojmë një sinjal inkurajues pjesës tjetër të rajonit që dora e BE-së qëndron e hapur për ta. Prandaj besoj se Këshilli Evropian këtë javë është një mundësi e shkëlqyer për ta mundësuar diçka të tillë duke rënë dakord që Serbisë t’i jepet statusi i vendit kandidat. Së fundmi Beogradi ka bërë një progres të rëndësishëm në dialogun me Prishtinën dhe në duhet ta pranojmë këtë.

A është korrekte të thuhet që Evropa e Bashkuar ka probleme të tjera për të zgjidhur, përtej atij të zgjerimit të kufijve të saj?
Martin Shulz: Shqipëria dhe i gjithë rajoni kanë mbështetjen time në përpjekjet për të lëvizur drejt anëtarësimit evropian. Jam i bindur se procesi historik për t’i dhënë fund ndasive në Evropë, i cili nisi nga bashkimi i Gjermanisë, e ndjekur nga zgjerimi lindor i BE-së në 2004 dhe 2007, do të përfundojë me hyrjen e Ballkanit Perëndimor. Por topi ndodhet në fushën tuaj. Duhet të jeni gati, duke përmbushur të gjitha reformat e nevojshme. Të gjitha vendet kandidate duhet të përmbushin të gjitha kriteret strikte të anëtarësimit evropian. Duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë. Nuk do të ketë një mënyrë tjetër. Pikë së pari, janë kriteret politike, të ashtuquajtura kriteret e Kopenhagenit mbi shtetin ligjor, liritë demokratike, respektimi i pakicave dhe të tjerëve. Së dyti, vjen përshtatja e dhjetëra mijë faqeve të legjislacionit të BE-së. Nuk është detyrë e lehtë.

Nuk do ta fsheh faktin se ka një “lodhje nga zgjerimi” në disa shtete të BE-së. Po ashtu, nuk është sekret që prioriteti parësor i BE-së tani është të tejkalojë krizën e borxheve sovrane, çka ndoshta është sfida më e madhe për Unionin në 50 vitet e historisë së tij.

Por, një vendim për të pranuar Kroacinë si një anëtar i ri është provë se BE-ja vazhdon të jetë e angazhuar për zgjerimin edhe në kohë të vështira.

Cili mund të ishte, sipas jush, roli i Parlamentit Evropian, në hapësirën kohore që e ndan Shqipërinë nga zgjedhjet e vitit 2013? A mos duhet më shumë presion nga ana juaj, në mënyrë që partitë politike të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, për një zhvillim normal të procesit zgjedhor?
Martin Shulz Parlamenti Evropian do të monitorojë nga afër situatën në Shqipërime shpresën e sinqertë se partitë e saj politike do të angazhohen në një rivalitet të drejtë dhe demokratik. Në nuk do të hezitojmë të shprehim shqetësimin tonë nëse vërejmë se politikanët drejtohen për kah metodat hileqare apo jodemokratike. Unë i jap shumë peshë përgjegjësisë së tyre.

Në një mënyrë miqësore dhe konstruktive, ne do të bëjmë sa më shumë presion të mundemi, por përfundimisht varet nga Shqipëria, politikanët dhe qytetarët e saj se sa shpejt do të integroheni në BE.

Ashtu si në vitet e mëparshme, Parlamenti Evropian do të përgatisë vlerësimin e tij të reformave në ato vende që aspirojnë t’u bashkohen BE-së. Kjo do të plotësojë progres-raportet vjetore të Komisionit Evropian. Raporti i parlamentit për Shqipërinë do të debatohet dhe do të votohet në maj ose qershor. /revista java.al/

Më Shumë

DJ me nam ndërkombëtar Black Coffee, pjesë e Sunny Hill Festival

Këtë vit, dyfish më shumë artistë të mëdhenj ndërkombëtar e vendorë do ngjiten në skenat e Sunny Hill Festival. Në edicionin që do të jetë...

Në Prizren nis ndërtimi i një parku

Dje nisi përgatitja e terrenit në hapësirën e udhëkryqit mes rrugëve "Reshat Karjagdiu" dhe "Zahir Pajaziti" në Prizren për ndërtimin e një parku. Ky park...

Lajmet e Fundit