11.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Shefkije Islamaj: Ligjërimi postmodern i Rexhep Qosjes

Shkrimtari Rexhep Qosja, me të drejtë, nga studiuesit e veprës së tij letrare-artistike konsiderohet përfaqësuesi më i rëndësishëm e më i veçantë i letërsisë moderne-postmoderne shqipe. Në të pesë romanet e tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1974), “Një dashuri dhe shtatë faje” (2003), “Nata është dita jonë” (2007) “Bijtë e askujt” I, II (2010) dhe “Të fshehtat e treguara” (2020), mbizotërojnë tipare të shquara të modernizmit dhe sidomos të postmodernizmit.

Postmodernizmi, sidomos i romaneve të tij të fundit, është vazhdimësi e modernizëm-postmodernizmit të tij të shprehur që në romanin e tij të parë “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, që konsiderohet romani nismëtar i postmodernizimit në letërsinë shqipe. Ai është i identifikuar si i tillë me shumë tregues postmodernë e sidomos me stilin. Ndërkaq, në romanet e botuara pas vitit 2000 prirjet postmoderne sa vijnë e përforcohen, ndërsa autori sa vjen e bëhet më i vetëdijshëm për misionin e tij dhe sa vjen e bëhet më ironik, për më tepër më sarkastik.

Me romanet e tij, ai ka sjellë zhvillim të formave letrare, risi e sinteza të reja stili, shprehje të reja artistike, i ka sjellë letërsisë shqipe dhe përvojës sonë letrare pasurim në shumë drejtime: me përmbajtjet, me idetë, me teknikën e me organizimin letrar e gjuhësor.

Për shkrimtarët modernë e postmodernë gjuha është element me shumë rëndësi, në të vërtetë është medium për të eksperimentuar dhe për të aktualizuar risi dhe strategji të ndryshme shpërbërëse në nivelin e tingujve, të fjalëve, të togfjalëshave, të frazeologjive, të ndërtimeve sintaksore deri në nivelin e njësive më të mëdha tekstore. Sipas poststrukturalizmit, si pararendës i posmodernizmit, gjuha kuptohet si lëvizje e paskajshme dhe një lojë e përhershme e llojit të vet në të cilën raportet midis shënjuesit dhe të shënjuarit vazhdimisht ndërrohen duke krijuar këtë rast përfytyrime të kuptimeve të qëndrueshme. Nga kjo anë, romanet e Rexhep Qosjes janë origjinale dhe shumë të veçanta në letërsinë shqipe edhe me gjuhën. Origjinaliteti dhe veçanësia shfaqen si në strukturën e brendshme ashtu edhe në strukturën e jashtme të romaneve, si në ballafaqimin e rregullsisë dhe të çrregullsisë, si në raportin midis arsyes dhe paarsyes, të heroit e të antiheroit, si në kundërvënien e të natyrshmes me artificialen, të moralit e të kundërmoralit, të lirisë e të dhunës dhe shprehen si në poetikën ashtu edhe në gjuhën e stilin e tyre.

Me stilin, siç dihet, nuk parakuptohet vetëm gjuha, por edhe struktura e romanit – ndërthurja e pamjeve, motiveve, simboleve dhe e metaforave. Në këtë drejtim, shkrimtari Rexhep Qosja, është treguar vërtet mjeshtër i madh i gjuhës, virtuoz, gjurmues e ruajtës, përpunues dhe krijues i saj. Mund të mendohet se kjo gjuhë me veçori të spikatura është më e përshtatshme për tema të vogla, por romanet e Rexhep Qosjes e kanë provuar e argumentuar plotësisht të kundërtën. Të gjitha romanet e tij, prej romanit të parë “Vdekja më vjen prej syve të tillë” e deri te romani i fundit “Të fshehtat e treguara”, trajtojnë njëkohësisht tema të mëdha e tema të vogla të historisë e të së tashmes sonë dhe pikërisht kjo gjuhë i ka mundësuar autorit t’i trajtojë ato në mënyrën, siç i ka trajtuar: të jashtëzakonshme. Prandaj, jo vetëm temat e idetë e tij, po sidomos edhe gjuha e stili i romaneve të tij, e përlavdërojnë autorin e tyre si shkrimtar të madh.

Romanet e Rexhep Qosjes janë ndërtuar mbi një lëndë shumë të pasur jetësore e intelektuale, lëndë që e ka burimin në përvojën personale të shkrimtarit, në erudicionin e tij kulturor dhe në faktet historike e sociale. Dhe kjo pasuri e larmi përmbajtjesore, kjo përvojë e pasur intelektuale e njerëzore, kjo shumësi të dhënash kulturore, historike e shoqërore, ka kërkuar një gjuhë të pasur me shumëkuptimësi, një gjuhë shumë të pasur edhe nga ana formale e strukturore, ka kërkuar një gjuhë e një ligjërim të veçantë. Gjuha e romaneve të Rexhep Qosjes sjell pasurim nga shumë anë – nga ana semantike, leksikore e sintaksore.

Romanet e Rexhep Qosjes shquhen pos me risi, teknika e strategji ideoestetike, edhe me gjedhe të veçanta të shkrimit kritik-artistik, shquhen me vetëdije, qëndrim e ndjeshmëri të re ndaj njeriut dhe botës, ndaj mendësisë dhe moralit të tij. Për të konkretizuar atë që u tha po i referohemi në këtë rast romanit të tij “Nata është dita jonë”

Romani “Nata është dita jonë”

Romani “Nata është dita jonë” sjell njohje shumë të gjerë e të pasur, por edhe shumë personazhe, karaktere, qëllime, veprime. Ai e ndihmon lexuesin të ndërtohet me vlera dhe njohje, duke nxitur te ai përpjekjen për të sendërtuar idealin estetik, domethënë dëshirën për të bukurën, për të lartën dhe për të përsosurën. Në roman shkrimtari paraqitet ndërmjetësues aktiv midis të mundshmes e të pamundshmes, midis reales e imagjinares, midis mitit e historisë, midis të vërtetës e gënjeshtrës, midis lirisë e dhunës, midis të drejtës e të padrejtës, midis krimit dhe njerëzores, midis dashurisë dhe urrejtjes. Motivi kryesor, shtytës, në romanin “Nata është dita jonë” është pakënaqësia e autorit me rrethanat e gjendjen në realitetin dhe në mendësinë shqiptare, në mjedisin ku është formuar e zhvilluar si intelektual, si studiues e si shkrimtar. Ai e përjeton thellë rënien shpirtërore, emocionale, etike, morale e kulturore të Vajazanit, të shfytyruar, të veshur me pafytyrësi e qyqarësi, me vrazhdësi e paturpësi, në kohën e pasluftës së fundit, kur do të duhej realisht të ngrihej i rilindur, sepse po përjetonte çlirimin e dëshiruar e të shumëpritur. Revolta, zhgënjimi dhe dëshpërimi janë të depersonalizuara në atë mënyrë që shihet fare qartë se romani ka lindur pikërisht nga kjo revoltë, ky zhgënjim e ky dëshpërim. Romani ndërtohet përmes një kronike të gjerë e të pasur, objektive e reale, mbushur me ngjarje e personazhe që na paraqiten prej rrëfimtarit, që është njëri ndër përfaqësuesit më tipikë të këtij zvetënimi e të kësaj rënieje morale, viktimë e zhgënjimit dhe e dëshpërimit në një mjedis tipik për kohën tonë, të mbarënjohur jo vetëm nga lexuesi i pararomanit, por edhe nga lexuesi i sotëm, i pasromanit.

Romani karakterizohet me kompozicion të veçantë, me pasuri formash e me larmi strukturimi të brendshëm, i dukshëm për syrin dhe mendjen e lexuesit. E kuptueshme sepse shumësia e teknikave dhe e strategjive të autorit bashkë me kontekstin e gjerë jo vetëm kulturor janë tregues bazë të romanit postmodern, siç është cilësuar romani “Nata është dita jonë”. Përdorimi i gjuhës është ndër veçoritë më të spikatura të këtij romanit. Gjuha në këtë roman nuk është vetëm krijuese, por edhe gjurmuese, veçori kjo e gjuhës së shkrimtarëve të mëdhenj të të gjitha epokave.

Roman modern

apo postmodern?

Në romanin “Nata është dita jonë” shkrimtari Rexhep Qosja ka paraqitur në mënyrë të gjerë e të plotë artistike njëmendësinë shoqërore, politike, kulturore, etike dhe psikologjike në përmasat e mundshme reale, siç i ka parë, ndier e përjetuar ai, në Vajazanin e tij, që identifikohet me gjithë hapësirën shqiptare. Nga ky mendim i shprehur mund të mendohet se kemi të bëjmë me një roman modern, por ky përcaktim nuk do të ishte i plotë, objektiv, sikur të mos thuhej se shkrimtari në këtë roman shkon përtej kësaj paraqitjeje artistike reale: ai, jo vetëm paraqet njëmendësinë por, njëkohësisht, shpreh fuqishëm papajtueshmëri, pakënaqësi, kundërshtim, demaskim dhe përçmim ndaj kësaj njëmendësie, domethënë tregon ndërgjegje të lartë sa të përtashme aq edhe historike. Dhe këtë papajtuesi ai e realizon përmes përzierjes së natyrshme të llojeve të ndryshme shkrimore-ligjërimore dhe të ndërveprimeve të shumta midis tyre, prandaj mund të quhet roman postmodern. Në të vërtetë, mund të thuhet edhe kjo: romani “Nata është dita jonë” qëndron midis romanit modern dhe atij postmodern si me ndjeshmërinë ashtu edhe me formësimin. Në roman shkrimtari ka ngritur në kult artin, artizmin e shprehjen e pastër artistike, por, njëkohësisht, ka aktualizuar eksperimentimin me stilin e ashtuquajtur përmbysës (subversiv), ka zbatuar strategji e teknika arti të kombinuara, sidomos me referenca të shumta kulturore, historike, mitike, politike, shoqërore, etike dhe natyrisht estetike. Si i tillë ky roman zgjon kureshtjen jo vetëm të lexuesit, por edhe të studiuesit letrar e gjuhësor, jo vetëm për narracionin e strategjitë narrative të tij, por edhe për gjuhën e stilin, për artin e gjuhës dhe gjuhën e artit, për pasurinë gjuhësore dhe stilistikën e pasur.

Duke qenë modern dhe postmodern, qoftë edhe me titullin, me ditën – natë e natën – ditë, romani “Nata është dita jonë” shquan me shumësi e larmi ligërimore, strukturore e poetike, për çka i ofron mundësi studiuesit trajtime nga këndvështrime të ndryshme dhe zbatim metodash të reja ose gërshetim metodash tradicionale dhe moderne.

Studiuesit e prirjeve letrare thonë se postmodernizmi nuk e kundërshton modernizmin, por i interpreton lirshëm të arriturat dhe rëniet, të mirat dhe dobësitë e tij, duke i përimtuar në mënyrë kritike e gjithëpërfshirëse. Mund të thuhet se ky roman është gjedhe e mirëfilltë si bashkohem modernia dhe postmodernia në letërsi e në jetë. Këtë bashkim Linda Hatçën, njëra ndër studiueset më të shquara të postmodernizmit e shpjegon si ballafaqim të modernizmit dhe postmodernizmit: vepra letrare moderne, thotë ajo, është e mbyllur, e vetëmjaftueshme, e pavarur: ajo siguron unitetin përmes ndërlidhjes së pjesëve të veta formale, të cilin unitet ajo e shpërbën më pas, kurse vepra letrare postmoderne është e hapur – ajo ia kthen botës tekstin artistik duke bërë përpjekje në atë rast që ta ruajë pavarësinë e saj estetike.[1] Ky përcaktim në mënyrën më të saktë e fut romanin “Nata është dita jonë” të shkrimtarit Rexhep Qosja në kufijtë ndjenjorë, kuptimorë e strukturorë të postmodernizmit.

Rexhep Qosja, përmes fiksionit dhe njëmendësisë, ka bashkuar polifoninë e zhanreve, toposeve, kohëve dhe personazheve në një botë unike artistike të realizuar përmes një shumësie e larmie gjedhesh diskursive. Kjo polifoni shprehet posaçërisht edhe në ndërtimin e personazheve, në përqendrimin ekspresiv të botës së tyre të brendshme, në zhvillimin e tyre dhe në kritikën e thellë të realitetit të njëmendësisë së shfytyruar. Romani “Nata është dita jonë” edhe në këtë pikëvështrim hyn plotësisht në kornizat e romanit postmodern.

Vetëreferencialiteti si tipar i metafiksionit në këtë roman është sajuar në atë mënyrë që teksti të shpërfaqë shumanshëm strukturën e vetë, përkatësinë zhanrore, kontekstin dhe subjektin. Edhe pse metafiksioni, ta quajmë historiografik, përfshin përmbajtjen, mënyrën e ligjërimit, personazhin letrar dhe veprimin narrativ, kjo mënyrë paraqitjeje bën që lexuesi i vëmendshëm i romanit të mos harrojë në asnjë çast se po lexon krijim artistik. Metaforat, parabolat, ironia, satira dhe në përgjithësi tërësia e tropeve dhe e figurave të përdorura letrare e gjuhësore, e bëjnë romanin “Nata është dita jonë” të lidhur mirë rreth nyjës qendrore fabulare. E kaluara dhe e sotmja vlerësohen duke u ballafaquar mes vete përmes një ironie të fuqishme dhe mbresëlënëse. Përvoja e metafiksionit historiografik, siç dihet, gjithmonë është shprehje e përvojës së leximit. Romani “Nata është dita jonë” të Rexhep Qosjes e bëjnë posmodern edhe referencialiteti dhe metafiksioni historiografik.

Narracioni dhe ligjërimi

Romani “Nata është dita jonë” është realizuar mjeshtërisht me shumësi veprimesh narrative të poetikës postmoderne, shumica e të cilave fshehin ose mjegullojnë gjurmët e autorit, prandaj krijohet përshtypja që idioma narrative s’është e thënë të jetë e rrëfimtarit. Kjo teknikë, e njohur edhe si ligjërim i lirë, jo i drejtpërdrejtë, ose si ligjërim i jetuar a i përjetuar, i ka shërbyer shkrimtarit si mjet i përshtatshëm narrativ e stilistik, me të cilin është arritur baraspeshë e përsosur ndërmjet vetës së tretë dhe vetës së parë, ndërmjet paanësisë realiste dhe emocionalitetit, në të vërtetë është arritur të krijohet përshtypja që ai vetë, rrëfimtari, nuk është autor i rrëfimeve në roman, prandaj në rrëfimin e romanit mbizotëron leksiku dhe sintaksa e personazheve, qoftë përmes dialogëve, monologëve të rrëfyer ose të së folurës në vetën e tretë, qoftë përmes përdorimit të fjalëve deiktike, të përemrave dëftorë dhe të përcaktuesve kohorë, që u shkojnë përshtati citimeve e jo ligjërimit:

Nuk ka rregull pa përjashtim. Ka krijesa të cilave natyra u ka dhënë të drejtë më të madhe për jetë të gjatë sesa njeriut. Breshka – edhe pse me samar në shpinë dhe shkaba – edhe pse grabitqare e lirë në majë të shkëmbit, jetojnë më gjatë se njeriu. Mrekulli natyre! Sa më i robëruar – si breshka nga samari dhe sa më i lirë dhe grabitqar – si shkaba në majë të shkëmbit, do të jetosh më gjatë.

Domethënë: robëria dhe liria – kundërshtohen, kushtëzohen dhe përplotësohen! (f. 14)

Shkrimtari ka arritur synimin të qëndrojë pak a shumë jashtë veprës së tij, të qëndrojë “indiferent” dhe “i padukshëm”. Për arsye të frymës “klasike”, shkrimtari refuzon të ndryshojë atë që ndien, atë që ka parë e dëgjuar e, megjithatë, përzgjedh të përpunojë e të modifikojë atë që di, atë që ka menduar ose atë që është e pranishme. Ky veprim mund të konsiderohet si veprim i aluzionit posmodern i lidhur me estetikën e pavetësisë (impersonales), i aluzionit, si formë shprehëse e pashmangshme në postmodernen, si lidhje e epërme midis asaj që mund të paraqitet dhe asaj që vetëm mund të imagjinohet. Mungesa e qëndrimit të qartë të autorit dhe, ta quajmë, pavetësia narrative e tij që sugjeron paanësi, mund të quhet përzgjedhje e ndërgjegjshme estetike e shkrimtarit Rexhep Qosja.

Në lexim të parë, gjithçka që ndodh në roman na duket objektive dhe plotësisht e qartë, por vëzhgimi i vëmendshëm që ka synim të depërtojë sidomos te të pathënat ose te kuptimet e fshehta, zbulon se këtyre rrëfimeve a monologëve të shpeshtë të personazheve, në të shumtën e rasteve qëllimisht u “mungojnë” intriga a ngjarja, të cilat shpërfaqen më tej nga ndonjë nëntekst a mbitekst që është qendër e pozicionit të shkrimtarit dhe e kuptimit të qëndrueshëm, që lidhet me të. Nga ky aspekt, romani “Nata është dita e jonë” nuk ndërtohet me narracion të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, por plotësohet shkallë-shkallë me fragmente, aluzione të tejpashme dhe të pakapshme, të cilat në vazhdimësi sugjerojnë diçka që mund të imagjinohet, por jo edhe të përshkruhet në mënyrë diskursive:

Nata qe dy orë e ka pushtuar ditën. Janë marrë vesh që të sundojnë duke u ndërruar sa njëra sa tjetra: dymbëdhjetë orë dita e dymbëdhjetë orë nata. Kohë pas kohe dita sundon më gjatë se nata e, mandej, nata më gjatë se dita. Marrëveshja e tyre është e përjetshme. Njerëzit kurrë nuk mund të bëjnë marrëveshje të përjetshme si dita e nata: gjithmonë njëri dëshiron të sundojë më gjatë se tjetri!

Në largësi shihen drita, që më shqetësojnë e nuk e di pse më shqetësojnë. Ndoshta pse më mirë, më sigurt ndihem në terr. Të dhjefsha dritën. Rroftë terri! Punët më së miri bëhen në terr. Terr! Dritë! Natë! Dritë! Terr! Dritë! Shkëmbim i padurueshëm! i them Garipit. (f. 130)

“Ftohtësia” e paraqitjes së këtillë dhe, ta quaj, “paanësia” e stilit të këtillë, kanë pikëmbështetje të fortë estetikën moderne dhe përmasën e rëndësishme etike të romanit, për çka mund të quhet edhe roman i njerëzve të pakënaqur, të diskriminuar, të skajuar, të parealizuar, i njerëzve pa mundësi për të jetuar normalisht, i njerëzve të dështuar, të humbur, të shkatërruar, për më tepër i njerëzve të kriminalizuar, siç është Budin Buda i konvertuar në Kentaurin, në një mjedis të kontaminuar politik, shoqëror, kulturor e etik. Mund të thuhet se romani shquhet për përmasën estetike krah përmasës etike. Përzgjedhja e shprehjeve gjuhësore që përmbajnë mllef, pakënaqësi e pashpresë, por edhe vulgaritet, e konkretizojnë qartë gjendjen në të cilën bëjnë jetën personazhet e romanit. Budin Buda i Rexhep Qosjes sikur na e thotë mendimin e Albert Kamysë: “Mënyra e vetme për t’u përballur me botën jo të lirë është të jesh paimagjinueshëm i lirë, aq sa jeta jote të bëhet akt rebelimi”.

Aluzionet, imazhet asnjanëse, retorika, teknika e kolazhit, monologu i brendshëm, dialogët dhe strukturat dramatike të dialogëve, që përdoren për të humbur gjurmët e rrëfimtarit, e dëshmojnë shkathtësinë e veçantë të shkrimtarit që qëndron prapa këtyre teksteve e strategjive postmoderne. Këto strategji e kanë ndihmuar shkrimtarin për të organizuar, ndërthurur e përzgjedhur ato që ka vendosur t’ia lërë lexuesit t’i zbulojë dhe ato që ka vendosur t’i heshtë a t’i fshehë. Një ndërveprim i tillë na e çon mendjen te veprat e shkrimtarëve të mëdhenj modernë e postmodernë si Xhems Xhojsi, Virxhinia Uolfi, Uiliam Fokneri, Ernesto Sabato, Hulio Kortasari, Federiko Garsia Markezi, Horhe Luis Borgesi, Gynter Grasi, Umberto Eko, Salman Ruzhdi. E të tjerë.

Shkrimtari dhe

identiteti gjuhësor

i romanit

Romani përshkon rrugëtimin e vet përmes gjuhës përkatëse, individualizuese dhe mjaft të përzgjedhur. Mund të thuhet se shkrimtari, përmes gjuhës në mënyrën më të plotë realizon ta quajmë një medium shumë të gjallë e të ndryshueshëm që afirmon qartë identitetin e tij të veçantë e të dallueshëm shkrimor. Në roman përmes gjuhës, herë më hapur e herë më fshehtë mund të identifikohen lehtësisht ndodhi, ngjarje dhe njerëz realë, të njohur për lexuesin që sado pak e njeh hapësirën shqiptare e në veçanti Kosovën. Ky identifikim bëhet edhe përmes referencave, parafrazimeve ose parodive inventive. Disa personazhe i identifikon më së qarti e folura dhe stili i tyre në monologët ose në format e tjera shkrimore-ligjërimore në roman. Disave prej tyre u përmenden edhe emrat. Në mjaft raste lidhjet ndërtekstore janë më shumë se të qarta. Pjesët ku shkrimtari është “vetvetja”, ai “i vërteti”, “origjinali”, i shquan stili logjik, i qartë, i saktë, përshkrues, stili që paraqet kurrizin e romanit të tij. Ja një shembull dëshmues për këtë stil:

Nuk është hera e parë që më rrethojnë personazhet kur i afrohem përfundimit të romanit. Pse më janë afruar këta sot? E tregojnë vetë, natyrisht. Shumica janë të pakënaqur me vetveten në roman, me vendin që u është dhënë në roman, me cilësitë me të cilat janë pajisur qoftë prej rrëfimtarit, qoftë prej meje, qoftë prej njëri-tjetrit a njëra tjetrës, ndërsa vetëm dy-tre mund të jenë të kënaqur dhe kanë ardhur të më shprehin mirënjohje për kujdesin e treguar ndaj tyre. (f. 351)

Ndërkaq, aty ku shkrimtari flet me gjuhën e rrëfimtarit, me gjuhën e personazheve, stili shpesh është përdallues nga ai i “vërteti”, pra i vetë shkrimtarit. Ai është i shpejtë, i rrjedhshëm, është një formë narrative që “shkrihet” në fjalë, në lumë fjalësh, në radhitje fjalësh të një fushe tematike, në grumbullim, numërim ose në kundërvënie.

Kur ju kanë ndihmuar?

Kryesisht në Mesjetë!

Kur ua kanë ngatërruar punët.

Kryesisht në komunizëm!

Pse në Mesjetë?

Sepse ishim të robëruar, kurse me to krijonim iluzion lirie.

Pse në komunizëm?

Sepse mendonim që jemi të lirë, kurse me to e robëronim shpirtin. (f. 258)

Në këto tekste që u ngjajnë dialogëve të dramave klasike e që nuk janë të paktë, shquhen veçori stili të shkrimtarëve të mëdhenj të epokave të ndryshme, nisur nga stili solemn e nga plotësia e gjallësia e renesansës, nga retorika klasiciste e nga gjerësia e letërsisë viktoriane, përkatësisht dikensiane, e deri te ligjërimi i shkrimtarëve si Xhojsi, Fokneri, Borgesi, që i bashkojnë të gjitha këto në ligjërimin e tyre artistik.

Në romanin “Nata është dita jonë”, krahas stileve dhe ligjërimeve të shumta, janë aktualizuar ndërtekstualisht dhe mund të identifikohen disa lloje tekstore brenda narracionit mbizotërues, që ndërlidhen duke formësuar disa nënlloje të tyre, në të cilat nuk është lehtë të përdallohen kufiri i tyre e as kufiri midis shkrimtarit e rrëfimtarit, midis tekstit letrar e jo letrar.

Të gjitha romanet e Rexhep Qosjes dhe sidomos romani ”Nata është dita jonë”, për arsye të bazës realiste dhe shtresës alegorike, mund të lexohen me kode të veçanta: ato mund të vështrohen nga shumë anë dhe asnjëra prej tyre nuk mund të cilësohet si më e mira, më e përshtatshmja ose më objektivja. Jo vetëm lexuesi i rëndomtë, por as lexuesi kritik nuk e ka lehtë të zotërojë tekstin, pasurinë e larminë e tij, por as emocionet, meditimet, kënaqësinë dhe përjetimin estetik që i jep leximi i tij. Edhe për këto arsye ky roman quhet roman postmodern. Në të vërtetë romani ”Nata është dita jonë” mund të quhet roman postmodern edhe për një arsye të madhe – lirinë: lirinë e shkrimtarit, lirisë e rrëfimtarit, lirinë e personazheve, domethënë lirinë e shprehjes mendimore, ndjenjore dhe sidomos lirinë gjuhësore e stilistike. Trajtat e mendimeve, të ndjenjave, të gjuhës dhe të stilit të tyre janë shpesh të papritura madje edhe të çuditshme. E kur thuhet të pazakonshme dhe të çuditshme mund të thuhet postmoderne.

Në fund, duhet të rithuhet se vendi dhe roli i romaneve të Rexhep Qosjes në letërsinë mbarëkombëtare shqipe, si shpërbërëse të kodeve letrare tradicionale romantike e realiste, janë shëmbëllyese me vendin dhe rolin e romaneve të Marsel Prustit në letërsinë franceze, të Xhems Xhojsit në letërsinë angleze, të Uiliam Foknerit në letërsinë amerikane dhe të Ernesto Sabatos në letërsinë latinoamerikane.

[1]? Linda Hutchion, Poetika postmodernizma: historija, teorija, fikcija. Botimi i parë, ”Svetovi”, Novi Sad, 1996.

 

Më Shumë

I shkaktuan vazhdimisht dhunë psikike – viktima nga Malisheva përfundon në QKUK

Një grua nga Malisheva ka përfunduar për trajtim mjekësor në QKUK, si pasojë e ushtrimit të dhunës psikike ndaj saj nga dy persona. Rasti ka...

Pse e ndërpreva seksin për një vit!

“Në mars të vitit 2018, ndalova seksin. Vendosa që për një vit të mos bëj seks apo ndonjë gjë që lidhet me të.” Francisco...

Lajmet e Fundit